A nuk ka gomar në vendin tuaj?

    Tregim nga Aziz Nesin
    Përktheu nga origjinali Besiana Zyfi

    Me njërën dorë mbi fytyrë sikur t’i dhimbte dhëmbi, hyri benda duke tundur kokën sa majtas djathtas. Nga njëra anë kapte faqen me dorë, ndërsa nga ana tjetër thoshte:

    – Pu pu pu, u bëmë rezil… 

    Në fakt është burrë shumë i sjellshëm. Më habiti shumë fakti që pa u përshëndetur akoma, filloi të ankohej sapo hyri në derë duke thënë “Pu pu pu u bëmë rezil”.

    – Mirë se erdhët, i thashë, urdhëroni… Uluni ju lutem… 

    – U bëmë rezil, u turpëruam… 

    – Si jeni? 

    – Si të jemi, u turpëruam…

    Mendova se kishte pësuar ndonjë fatkeqësi, ndoshta diçka në familje. 

    – U futëm në fund të dheut. U bëmë gazi i botës.

    – Pse, çfarë ka ndodhur?

    – Ç’të ndodhë më, një gomar plak të zgjebosur ia shitëm tjetrit për plot dy mijë e pesëqind lira.

    Bëra një hap mbrapa dhe e vështrova me kujdes: Mos ishte çmendur gjë? Nuk mund ta fsheh që u frikësova. Për të gjetur një justifikim që të thërrisja time shoqe, e pyeta:

    – E pimë nga një kafe?

    – Lëre kafen tani, tha, u bëmë rezil… A vlen një gomar plak dy mijë e pesëqind lira?! 

    – As nuk kam blerë, as nuk kam shitur gomar ndonjëherë, s’kam nga ta di… 

    – Dakord, edhe unë nuk mar vesh nga gomerët, por e di fare mirë që një i tillë nuk vlen kurrsesi dy mijë e pesëqind lira…

     – Mos jeni pak i nevrikosur?

     – Jam posi… Kush do nevrikoset tjetër po nuk u nevrikosa unë? A keni dëgjuar ju ndonjëherë që një gomar të kushtojë dy mijë e pesëqind lira?

     – U bënë pothuajse njëzet vjet që nuk kam parë gomar me sy…

     – Unë po ju pyes nëse një gomar bën apo jo dy mijë e pesëqind lira. 

    – S’di ç’të them… Po të ketë ndonjë marifet ndoshta edhe bën aq…

     – Ç’marifet thua zotëri. Është thjesht një gomar… Nuk do mbajë konferencë… Gomari që dimë të gjithë… Për më tepër, edhe i sëmurë, edhe i plakur…  Ia shitën tjetrit për plot dy mijë e pesëqind lira. Dhe a e di se cila është më e keqja, unë u bëra ndërmjetës për këtë shitje.

     – Vërtet… Po si ndodhi?

     – Për të treguar këtë kam ardhur… Ne patëm shkuar në Amerikë bashkë me time shoqe si të ftuar nga Universiteti i Stambollit, ti e di. Patëm qëndruar një vit atje. 

    – Po, e mbaj mend.

    – Në Amerikë u njoha me një profesor, u bëmë miq… Më ndihmoi shumë. Më bëri shumë ndere. Pasi u ktheva në Turqi vazhduam të shkëmbenim letra… I kishte shumë për zemër turqit… Në njërën prej letrave më shkruante se një shoku i tij do vinte në Turqi, ky shok ishte ekspert i qilimave antikë, dhe po vinte për të bërë studime dhe kërkime për një libër që do shkruante mbi qilimat. Në letër më pyeste nëse do mund ta ndihmoja.

     Unë i shkruajta në përgjigjen time se do ta ndihmoja me gjithë qejf shokun e tij me çfarë të mundja nëse vinte në Turqi në muajt kur universiteti ishte pushim. Eksperti i qilimave në fillim do shkonte në Indi dhe Iran, pas disa kërkimeve dhe studimeve që do bënte atje, do vinte këtu, keshtuqë koha e ardhjes së tij më përshtatej.

    Erdhi në korrik. Para se të vinte kishte marë nga miku ynë i përbashkët adresën dhe numrin tim të telefonit. Më telefonoi nga hoteli ku qëndronte. Shkova ta takoja. Burrë shumë i zgjuar. Amerikan me origjinë gjermane. Më duket se kishte edhe një gen çifut, ndoshta nga çifutët e Gjermanisë, bërë amerikan më pas. Kishte sjellë me vete nga vendet që kishte vizituar katër valixhe plot me qilima, sixhade dhe shalë për kafshët. I hapi dhe mi tregoi. Ishin shumë antike… Dukej shumë i kënaqur nga çfarë kishte gjetur. Thoshte se ato ishin si një thesar i çmuar. Sidomos për një copë të vjetër sixhadeje, thoshte se vlente të paktën tridhjetë mijë dollarë. Por ai, tregonte duke u mburrur se ia kishte blerë një fshatari nga Irani për vetëm një dollar. Për më tepër fshatari i varfër, prej gëzimit, e kishte mbuluar me lutje e lëvdata kur kishte marë lekët në dorë. 

    E pyeta se përse ajo copë e vjetër sixhadeje kushtonte aq shumë. “Sepse” tha, “në çdo centimetër katror të kësaj sixhadeje ka me mijëra thurje. Kjo është një kryevepër.” Më jepte pa pushim informacione mbi sixhaden me një pasion të zjarrtë. Deri më sot ekzistonte vetëm një sixhade në botë që kishte maksimumi njëqind thurje në një centimetër katror. Ishte e ekspozuar në një muze, varur mbi mur. Më tregoi një copë tjetër. “Këtë e mora për pesëdhjetë cent” tha, duke qeshur me dinakëri nga kënaqësia. “Edhe kjo copë kushton minimumi pesë mijë dollarë” tha.

    “Si arrini t’i merrni për kaq pak lekë këto sende kaq të çmuara?” e pyeta.  “Kam dyzet vjet që merrem me këtë punë” tha, “kemi edhe ne mënyrat tona.”  Pastaj më tregoi ca marifete që më lanë me gojë hapur. Kishte botuar një album me fotografi dhe tre libra mbi qilimat. Gjithashtu ishte zotërues i njërit prej koleksioneve më të pasura në botë të qilimave dhe sixhadeve.

    Bëmë një shëtitje nëpër Anadoll. Shkuam në çdo krahinë, në çdo fshat. U bënte fotografi dhe mbante vazhdimisht shënime rreth qilimave që i dukeshin me vlerë nëpër xhami. Bleu sixhade, qilima, pëlhura e shalë kafshësh të vjetra nga disa prej vendalinjve. Sipas tij, këto të këtushmet nuk ishin asgjë krahasuar me çfarë kishte marë në Indi, Afganistan, Turkmenistan dhe Iran. “Duhet të ketë edhe sixhade turke shumë të çmuara por nuk kemi rastisur fare” thoshte.

    Arritëm në një zonë ku po bëheshin gërmime arkeologjike nga një delegacion amerikan dhe një tjetër gjerman. Kishin ngritur kampet e tyre me një distancë prej pesë apo dhjetë kilometrash dhe gërmonin. E kishin kthyer tokën me kokë poshtë. I kishin përmbysur malet dhe kodrat si topa pambuku. Kodrat ishin sheshuar dhe ishin mbuluar me nga një shtresë dhe.

    Vendi ku po gërmohej ishte pak a shumë në madhësinë e një qyteze. Ishin ngritur disa çadra. Në këto vise, që prej shekullit të dhjetë para Krishtit deri në ditët tona, disa qytetërime paskëshin qënë nën tokë njëri sipër tjetrit. Kishin nxjerë nga gërmimet jo një, por disa qytete, pallate, varre, e gjëra të ngjashme…

    Duke qënë se ishte një zonë shumë interesante, ishin të shumta makinat e turistëve meraklinj pas historisë dhe arkeologjisë. Në çdo dy tre kilometra, rastiseshin pesë deri në dhjetë turistë. Në një pjesë të konsiderueshme të kësaj hapësire, gjendeshin njerëz nga fshatrat përreth, të cilët u shisnin turistëve sende historike prej qeramike të nxjera nga gërmimet. Turistët i rrëmbenin. Madje edhe fëmijët e tyre rreshtoheshin buzë rrugës për t’u shitur turistëve vathë, gurë të shkruar dhe copëza vazosh të thyera. Djelmosha e vajza të vogla me këmbët zbathur vraponin pas turistëve duke bërtitur “Uan dallër”, “Tuu dallër…”.

    Meqë kishim vajtur deri atje, mendova të ble edhe unë ndonjë gjë për kujtim. Një vajzë me flokë të verdha që dukej jo më shumë se dhjetë vjeçe mbante në dorë një dorezë vazoje, ndërsa djali pranë saj kishte një gur të kaltër në formën e një koke njeriu. Mendova se ky gur mund të kishte qënë i ndonjë unaze.

    – Sa kushtojnë këto vogëlushë?… i pyeta.

    Vajza kërkonte dyzet lira për dorezën e vazos, ndërsa djali pesëmbëdhjetë lira për gurin e kaltër në formën e një koke njeriu. Jo se merrja vesh, por me qëllimin për t’i marë sa më lirë,

    -Qenkan pak shtrenjt…u thashë.

    Fëmijët filluan të flisnin si dy të rritur. E si mund të ishin shtrenjt! Babai i tyre kishte gërmuar me ditë të tëra dhe i kishte nxjerë ato nga pesë metra nën dhe. Por shoku im amerikan ekspert i qilimave, më shpjegoi se ato nuk kishin ndonjë vlerë historike apo arkeologjike, dhe shtoi se kjo situatë ishte e njëjtë në të gjitha vendet që pati vizituar në pjesën lindore të Turqisë: “Edhe andej kështu bënin. Në zonat ku zhvilloheshin gërmime arkeologjike, çdo burrë, grua apo femijë i fshatit u vihej nga pas turistëve. Mundoheshin t’u shisnin çdo gjë që gjenin duke i mashtruar e duke u thënë se ishin sende antike.”

    Këta fshatarë tinëzarë i kopjonin me aq mjeshtëri këto punime të vjetra saqë edhe arkeologët e famshëm mashtroheshin dhe i blinin ato me çmime të larta. Madje një turisti amerikan, një qen të ngordhur të cilit i kishin rrjepur lëkurën ia kishin shitur duke i thënë se ishte një mbret i balcamosur. Qeshte nën buzë me qesëndi “ki ki ki” duke treguar për këto dallavere. Vetëm se edhe këto kopje të bëra nga fshatarët nuk ishin gjëra dosido. Donin truke të mëdhaja dhe mjeshtëri të veçantë. Për shembull guri i kaltër me formën e kokës së njeriut në dorën e atij djali të vogël… Nuk ishte e lehtë të nxirje diçka të tillë…

    Po udhëtonim me xhipin që patëm marë me qera. Bënte shumë vapë… Buzë rrugës na zuri syri dy tre plepa dhe një pus. Do uleshim të hanim në freski. Në hijen e plepit ishte shtrirë një fshatar dhe po dremiste. Pak më tutje po qëndronte një gomar.

    U përshëndetëm me të moshuarin dhe filluam të bisedonim. I përktheja fjalët e tij në anglisht dhe ia thosha amerikanit. 

    – Çfarë rritet më shumë në këto fshatra? 

    – Asgjë… tha. Dikur mbilleshin drithëra. Por qëkur kanë filluar këto gërmimet, ka rreth njëzet vjet, fshatarët janë dembelosur fare. Nuk po mbjellin më asgjë…

    Amerikani:

    – Njësoj si në vendet e tjera… tha.

    E pyeta burrin e vjetër,

    – Po mirë, me çfarë mbahen këtu fshatarët?

    – Qëkur u bë modë të nxiren tasa të thyer e copëza gurësh nga poshtë tokës, fshatarët ia varën punës, kushdo që gjeti një kazëm e një lopatë iu fut gërmimeve. Çdo gjë që gjetën, e nxorën dhe ua shitën të huajve që vinin këtu…

    Amerikani:

    – Njësoj si në vendet e tjera… tha.

    Fshatari:

    – Njerëzit e këtushëm janë të poshtër, tha, ua shitën të gjitha thesaret e këtij vendi të huajve për hiç gjë… Nga poshtë tokës dolën gjëra aq të çmuara, saqë po të ishin shitur kundrejt vlerës së vërtetë, do kishim bërë edhe dhjetë Turqi të tjera me atë pasuri. Kush janë këta të huaj? Të gjithë hajdutë… I vodhën sendet antike që dolën nga gërmimet dhe ia mbathën… Me ato që morën prej këtej u kthyen në vendet e tyre dhe ngritën qytete të tëra… Kush i nxori vetë, kush e kush bleu për fare pak lekë ato që kishin nxjerë fshatarët…

    Amerikani: 

    – Njësoj si në vendet e tjera… tha.

     – Tashmë, nuk ka mbetur më asgjë për të nxjerë… Edhe po të ketë mos ja vër veshin, qeverisë iu hapën sytë tashmë. Nuk i lë të marin më asgjë. Nëse të huajt vazhdojnë ende të vjedhin, i vjedhin nga qeveria. Kushedi, qeveria i shet kundrejt vlerës së vërtetë…

    Amerikani: 

    – Njësoj si në vendet e tjera… tha.

    – Atëherë me se mbahen fshatarët tani?

    – Mos pyet… Këtu përreth ka gjashtë fshatra. Shko shikoji shtëpitë e tyre. Nuk gjen dot asgjë, qoftë edhe ndonjë tas a gotë të thyer, as edhe një gjë… I kanë shtëpitë fare bosh…

    – Po pse?

    – Ua shesin turistëve, ja përse… Nuk kanë lënë asgjë nëpër shtëpi. Çdo send që kanë e shesin për antike. I lënë nën dhe derisa ndryshken dhe i kthejnë në vjetërsira. Njerëzit e këtushëm janë bërë fare të pamoralshëm… Para disa ditësh po më qëndronte afër një djalë i vogël… Kur ç’të shikoj, po vidhte rruazat nga qafa e gomarit tim. Do i fuste edhe ato nën tokë, kupton… Pastaj do i nxirte dhe do i shiste sikur të ishin antike… Të gjitha vajzat e reja beqare janë bërë eksperte të sendeve antike; cilësdo prej tyre që i bie në dorë ndonjë copë gur, e presin, e lëmojnë, dhe nxjerin prej tij lloj lloj gjërash… Po bëjnë medalje e para të vjetra nga patkonjtë e gomerëve.

    Amerikani:

    – Unë ju thashë, tha, edhe në vende të tjera kështu bëjnë.

    E pyeta fshatarin plak, 

    – Po ti me çfarë mbahesh, çfarë pune bën?  

    – Unë ble dhe shes gomerë… tha.

    Duke thënë këtë nxori ujë nga pusi dhe ia dha gomarit të tij. Ndërkohë që kafsha pinte ujë, Amerikani iu afrua. Ne vazhdonim të bisedonim me fshatarin. 

    – A jeton dot me tregëti gomerësh?

     – Bereqaves… Kam pesë vite që mbahem me këtë punë, shyqyr zotit…

     – Sa fiton për shembull?

    – Nuk i dihet… Varet nga gomari… 

    – Për sa kohë mund ta shesësh një gomar?

     – Varet… Ndonjëherë gomari nuk shitet as për tre muaj, as për pesë, të mbetet në dorë… Herë të tjera mund të shesësh pesë gomerë brenda ditës…

    Amerikani m’u afrua. Ishte shumë i emocionuar.

    – Shiko, shiko… Mbi gomar ka një copë sixhadeje, e shikon?

    Fliste anglisht dhe fshatari nuk e kuptonte dot. Mbi gomar qëndronte një copë thesi e grisur, e vjetër dhe e spërkatur me baltë… 

    – Ajo copa e ndotur? i thashë. 

    – Është e mrekullueshme, është një kryevepër, tha… Ndërsa ju bisedonit, unë kam që qëparë që vështroj me kujdes atë copë sixhadeje. Ngjyrat dhe modeli janë shumë të bukura, punimi është i jashtëzakonshëm…. Ka plot njëqind e njëzet thurje në një centimetër katror. Nuk është parë një gjë si kjo në këtë botë, është e pakrahasueshme… 

    – Do ta blini? e pyeta.

     – Po, tha… vetëm se fshatari nuk duhet ta kuptojë akoma që do ta ble… I njoh shumë mirë tipat si ai. Po të kërkosh të blesh ndonjë nga vjetërsirat e tyre, sapo të kuptojnë se ka pak vlerë, mundohen të ta shesin për një mal me lek. Sa më shumë t’i japësh, aq më shumë kërkojnë, vazhdimisht e rritin çmimin… Kështuqë le të mos i themi gjë plakut për momentin…

    Në atë kohë fshatari pyeti: 

    – Çfarë llomotit ashtu ai amerikani?

     – Hiç, i thashë, po tregon që i ka pëlqyer shumë vendi jonë…

    – E ç’ka për të pëlqyer këtu, veç kodra shterpë të zhveshura…

    Amerikani, 

    – Të pata thënë që ekzistojnë disa metoda për të ulur çmimin e mallit që je duke blerë, tani do përdor një prej tyre, tha.

     – E si do e bësh këtë?

     – Nuk do kërkojmë të blejmë sixhaden, por gomarin. Duke qënë se fshatari nuk ia di vlerën copës, kur ne të blejmë gomarin, ai do ia lërë atë mbi kurriz… Pastaj ne do marim sixhaden, ndërsa kafshën do e lëmë të lirë pak më tutje. Tani thuajini që dua të ble gomarin e tij…

    E pyeta fshatarin,

     – Ti shisje gomerë, apo jo?

     – Po, tha, shes gomerë.

     – Për shembull sa e shet këtë gomarin që ke këtu?

     – Varet kush do e blejë…

    – Sikur ta marim ne për shembull…

    Qeshi. 

    – Po talleni me mua? Për çfarë e do gomarin një zotëri si ju? 

    – E ç’rëndësi ka… Na i jep neve këtë gomar. Për sa do na e japësh? 

    – Ju thashë njëherë që varet se kush do e blejë… Do e marësh ti, apo ky i huaji? 

    – Do e marë ai…

     – Çfarë kombësie ka ai?

     – Amerikan…

     – Hımmmm… Nuk qënka fare i huaj. Konsiderohet si një prej nesh… Ore, ky është gomar i plakur. Thuaji që nuk do i vlejë për gjë.

    Ia thashë Amerikanit. 

    – Më mirë akoma, do të thotë që do na e shesë lirë…, tha.

     – Le të jetë plak, nuk është problem për të…

     – Po është turp, do kthehet pastaj në vendin e tij e do thotë ma hodhën turqit.

    Ia përktheva Amerikanit.

    – Fshatari turk është shumë i sinqertë…, tha, po të ishte dikush tjetër do na e kishte shitur menjëherë. Meqë ai është kaq zemërmirë, atëherë edhe unë do i jap shumë para.

    I thashë fshatarit,

     – Amerikani pranon…

     – Po mirë zotëri, veçse ky gomar do ngordhë rrugës pa arritur në Amerikë. Gjithashtu është edhe i sëmurë, e ka mbuluar zgjebja në çdo pjesë të trupit…

     – Po ç’të duhet ty, ai e do gomarin…

     – Allah Allah… Ore, po ky gomar nuk do i vlejë për asgjë… Çfarë do bëjë me atë kafshë të plakur e të sëmurë?

     – E përse pyet? … Ti shiko paratë që do marësh… Për sa do na e japësh tani gomarin?

    Fshatari,

    – Jam shumë kurioz, tha, pa pyete njëherë zotërinë nga Amerika. A nuk ka gomar në vendin e tij?

     – Pyet nëse ka gomar në vendin tuaj.

    Amerikani u mendua pak,

     – Ka tha, por nuk ka të këtij lloji. Përkthejani…

    Ia thashë fjalët fshatarit.

     – Hmmm. Domethënë nuk i pëlqejnë gomerët e Amerikës dhe e ka zënë meraku me të këtushmit. Eh ç’të them, unë e bëra timen… Ua thashë të gjitha të këqijat që ka. Nuk do ia prishim qejfin misafirit për një gomar të sëmurë… Le ta shesim atëherë…

     – Për sa lira?

     – Për ju dhjetë mijë…

     – Çfarë? Mos je çmendur gjë? Një kalë garash i racës arabe kushton dy tre mijë lira…

    – Atëherë nuk e mer dot gomarin. Le të shkojë të marë ndonjë kalë garash…

    Kur i thashë Amerikanit se plaku donte dhjetë mijë lira, ma ktheu:

    – Sikur ta dija, tha, sapo del ndonjë blerës, kështu bëjnë këta… Mesa duket vleka shumë thonë, dhe kërkojnë shumë para. Sikur të kishim kërkuar sixhaden, do na thoshte njëqind mijë lira. Une mund të jap dhjetë mijë lira për këtë gomar. Por, po t’i them kështu, do kërkojë pesëdhjetë mijë… Prandaj duhet të bëjmë pazar…

    E pyeta fshatarin,

     – Më thuaj të vërtetën, ti me sa e ke blerë këtë gomar?

     – Unë nuk di të gënjej, tha, jam edhe besimtar, nuk kam gënjyer ndonjëherë në jetën time… Unë e bleva këtë gomar për pesë lira për të bërë sandale nga lëkura e tij. Sidoqoftë do ngordhte, kështuqë unë mund të përdorja lëkurën e tij… Nuk vlen për asgjë tjetër…

     – Epo dhe kjo punë nuk shkon… Pretendon të shesësh për dhjetë mijë lira gomarin që e ke blerë për pesë?

     – Zotëri, nuk erdha unë tek ju për ta shitur, ju erdhët e ma kërkuat për ta blerë… Ju thashë është plak, ai thotë s’ka gjë. Thashë që është me zgjebe, pranoi. Nuk dihet a do arrijë deri nesër, shumë shpejt do ngordhë ju thashë, ai prapë se prapë e do… Ah, se desh harrova, gomari është edhe sakat, çalon nga këmba e pasme… 

    – Punë e madhe.

     – E shikon? Domethënë që ky gomar ka një vlerë, një marifet që unë nuk arrij ta kuptoj. Përndryshe përse Amerikani duhet të blejë një gomar plak, të sëmurë e sakat… Apo jo? Dhjetë mijë… Më poshtë nuk bëhet… Nuk e jap dot…

    E pyeta Amerikanin,

    – Nuk zbret më poshtë, a t’i japim dhjetë mijë?

    Bëmë dy orë pazar. Bëmë sikur hoqëm dorë dhe u larguam pak. Nuk i bëri përshtypje fare. U kthyem prap pranë tij…

     – E dija që do ktheheshit…  tha.

     – Nga e dije?  i thashë.

    – E si mos ta di? Keni gjetur një gomar kaq të volitshëm, nuk besoj se do e lini t’ju ikë nga dora…

    I thashë shoferit të xhipit të ikte pak më tutje dhe të na priste në fund të rrugës. Do e lëshonim atje gomarin dhe do vazhdonim rrugën me xhip.  Nejse, bëj e bëj pazar, më në fund ramë dakord për dy mijë e pesëqind lira. Ia numëruam paratë në dorë. Fshatari, pasi mori sixhaden nga kurrizi i gomarit, na zgjati frerët në dorë.

    – E gëzofshi! tha.

    Pastaj shtoi:

    – Më iku gomari për dy lekë… Nejse… i pafshi hajrin.

    Amerikani kishte shqyer sytë, po shikonte copën e sixhades në dorën e fshatarit. Po tani si i bëhej?

    – Le të mos reagojmë, tha, marim gomarin dhe ecim pak, pastaj, sikur nuk po i japim shumë rëndësi kthehemi dhe i themi: “Do i ftohet kurrizi kafshës së gjorë. Na i jep atë thes të grisur të paktën ta mbulojmë” … Nuk duhet ta kuptojë kurrsesi që neve na duhet ajo sixhade… E kapëm gomarin nga frerët dhe ecëm. Kur them ecëm, vetëm sa hodhëm disa hapa… Amerikani e shtynte, ndërsa unë e tërhiqja. Gomari mezi çapitej… Nuk i kishte mbetur takat nga pleqëria dhe sëmundja… Sikur të mund ta merrnim atë copë thes nga dora e fshatarit, do e linim të lirë…

    Duke e zvarritur gomarin me zor, ecëm nja njëzet a tridhjetë hapa. Dëgjuam fshatarin që po na thërriste nga pas:

    – Prisni, prisni, ka mbetur kjo gjëja e gomarit…

    O zot! Po na i sillte vetë copën e sixhades, aq shumë u gëzuam… Plaku na arriti dhe na tha:

     – Ore, keni harruar hekurin e frerëve të gomarit. Kur ta çoni në Amerikë, ku do ia lidhni frerët? Nuk ju vajti mendja fare që nuk meret gomar pa marë edhe hekurin e frerëve? Sa shumë dallohet që nuk merrni vesh fare nga këto punë …

    E morëm edhe copën e hekurit nga dora e plakut…

    Amerikani më tha:

    – Tani është momenti, kërkoji edhe sixhaden… Por mos i lër të kuptojë gjë… “Na i jep edhe këtë thesin e pisët” thuaji…

    Iu drejtova fshatarit,

     – Ky gomar është shumë i dobët dhe i sëmurë… Do ketë ftohtë, gjynah. Ti e kishe mbuluar me një copë thes. Na i jep edhe atë vjetërsirë ta mbulojmë kafshën e gjorë…

     – Jo jo, tha, thesin nuk e jap dot… Ju bletë gomarin nga unë, jo thesin…

     – Po, morëm gomarin… T’ia hedhim sipër edhe thesin. Sidoqoftë është diçka e vjetër dhe e ndotur… Nuk ka ndonjë vlerë.

     – Po. Është e vjetër dhe e ndotur… As vlerë nuk ka… Por nuk e jap dot.

     – Po pse?

     – Nuk e jap dot zotëri… E kam trashëgimi nga babai, nuk jepet… Ka mbetur nga të parët e mi dhe është trashëguar brez pas brezi… Nuk e jap dot…

    I thashë Amerikanit: “Nuk e jep, e paska trashëgimi nga i ati’’. “E për çfarë do i shërbejë, pa pyete njëherë” tha.

    – E për çfarë do të të duhet kjo copë thesi e palarë… i thashë…

    Fshatari mori një hije serioze:

     – Ç’do me thënë për çfarë të duhet, tani do mar një gomar tjetër plak të sëmurë e do ia hedh mbi kurriz. Çfarë fati të kem. Ndoshta del ndonjë merakli si puna juaj, e shes edhe atë. Ky thes më sjell fat. Është si një ogur i mirë… Pastaj unë ju dhashë hekurin e frerëve falas. Thashë gjë për atë?

     – Po mirë, të të japim dhe ca qindarka për thesin dhe ta marim, të mbulojmë gomarin…

     – Sa e zgjate edhe ti. Si do i shes gomerët unë pastaj?… Kam pesë vjet që shes gomerë të plakur e të sëmurë falë këtij thesi… Hajde mirupafshim… I pafshi hajrin mallit që morët…

    Pata frikë se mos Amerikanit do i pushonte zemra. E kapa per krahu. Pasi eci disa hapa, fshatari na bëri zë:

    – Nëse do e lëshoni gomarin, mos e çoni shumë larg të paktën, që të mos lodhem kot…

    E lamë gomarin atje ku ishte dhe ecëm në këmbë deri te xhipi. Eksperti Amerikan i qilimave tha:

    – Nuk më kishte bërë ndonjëherë vaki kështu në vende të tjera, kudo bëjnë të njëjtat gjëra, por ky ishte marifet i ri…

    Hipëm në xhip. Në dorë mbante akoma shufrën e hekurit. Nuk po e hidhte dot.

    – Çfarë do bëni me këtë hekur? e pyeta. 

    – Do ta vendos si relike në koleksionin tim të qilimave dhe sixhadeve, tha, është një hekur shumë i vyer, e blemë aq lirë, vetëm për dy mijë e pesëqind dollarë… 

    – Pu pu pu, u bëmë rezil…. thoshte duke goditur kokën me duar. /Exlibris/

    Lajmi Paraprak

    Rritja e ekonomisë në RMV në 2022 do të ngadalësohet si pasojë e luftës në Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    Shaqairi: Nuk është koha për grevë

    Lajme tjera

    Veçse një ëndërr

    Dritëro Agolli Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ikeDhe sikur këtu nuk ishe kurrëS’erdhe si e dashur, por si…
    Më tepër

    UNË DHE BABAI

    Nga: Pär Lagerkvist (fitues i Çmimit Nobel për Letërsi më 1951)Përktheu nga suedishtja: Qerim Raqi Kur isha rreth…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë