SHËNDETI MENDOR TE TË RINJTË NË RMV! Ligji që nuk ofron mbështetje të mjaftueshme

    Korrelacioni ndërmjet shëndetit mendor dhe fizik po diskutohet gjithnjë e më shpesh në Maqedoni. Të rinjtë sot janë të hapur të shprehin emocionet, por shpesh nuk po dinë t’i lënë një emër si pasoj e mos-informimit dhe mbështetjes nga ana e institucioneve.

    Javën e kaluar u organizua një ngjarje nga Klubi për çështje dhe politika e të rinjve në bashkëpunim me Këshillin rinor kombëtar të Maqedonisë  dhe me mbështetjen e Fondacionit për Demokraci Westminster. Ata informuan se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo i katërti person në Maqedoni do të përjetojë një problem të shëndetit mendor në një moment të jetës së tij, dhe të rinjtë janë veçanërisht të cenueshëm ndaj problemeve të shëndetit mendor, për shkak të sfidave dhe presioneve me të cilat përballen në jetën e tyre.

    “Tek të rinjtë ka një ndërgjegjësim për shëndetin mendor dhe kërkojnë që institucionet të kenë prioritet programet, masat dhe shërbimet që nënkuptojnë kujdesin ndaj shëndetit mendor. Ne duhet ta shohim këtë shqetësim për të gjithë vendin. Bëhet fjalë për atë aksion në atë që do të thotë mirëqenia e të rinjve”, thotë dr Stojan Bajraktarov, drejtor i Klinikës Universitare për Psikiatri dhe anëtar i Organizatës Botërore të Psikiatrisë.

    Ai theksoi nevojën e një dokumenti të tillë strategjik, siç është Strategjia Kombëtare, për shkak të nevojave të shtuara të të rinjve gjatë dhe pas pandemisë, që rezultoi në rritjen e numrit të të rinjve me shëndet të dëmtuar mendor, depresion, ankth e të ngjashme.

    “Në këtë iniciativë duhet të përfshihen shumë palë të interesuara, jo vetëm Ministria e Shëndetësisë, sektori joqeveritar apo organizatat ndërkombëtare, duhet të punohet në parandalim, intervenim të hershëm, masa pro-aktive për parandalimin e problemeve”, thotë Bajraktarov.

    Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë shprehu nevojën për një dokument të tillë strategjik për të rinjtë.

    “Gjatë Covid-19, me mbështetjen e Ambasadës Britanike, kemi mundësuar më shumë se 850 seanca falas me psikolog për të rinjtë. Interesimi për këtë mundësi ishte mjaft i madh, me më shumë se 200 të rinj që aplikuan brenda një jave dhe që nga ajo kohë ne e kuptojmë nevojën e të rinjve për t’u kujdesur për shëndetin e tyre mendor dhe se ata dëshirojnë t’u ofrohen shërbime të tilla”, thonë nga ky Këshill.

    Pas analizës së dokumenteve zyrtare nga Këshilli thonë se Ligji për shëndetin mendor nuk e ofron mbështetjen që u nevojitet të rinjve, andaj ka nevojë të madhe për zbatimin e Strategjisë për shëndetin mendor të të rinjve.

    “Ndërkohë kemi prodhuar edhe disa manuale me temë ankthi, stresi, depresioni dhe janë një nga përmbajtjet më të lexuara në ekzistencën tonë 10-vjeçare. Vetëm kjo thotë se të rinjtë po klikojnë dhe i lexojnë përmbajtjet dhe kjo tregon mungesën e përmbajtjeve të tilla në gjuhën maqedonase”, thonë nga KRKM.

    Nga aty theksojnë se ka shumë mangësi dhe nevoja për një strategji që do të fokusohet vetëm tek të rinjtë dhe që do të kënaqë nevojat e tyre, pavarësisht nëse jetojnë në mjedise rurale apo urbane.

    Në prezantimin e Strategjisë së Shëndetit Mendor të të Rinjve nuk u prezantua asnjë dokument i gatshëm mbi të cilin mund të bëhen komente dhe rekomandime, por u përmendën vetëm pjesë të iniciativës dhe u shpjegua procesi i mëtutjeshëm. Aty gjithashtu u ngrit edhe çështja e implikimeve buxhetore gjatë zbatimit të Strategjisë, ku disa nga organizata rinore shprehën shqetësimin për suksesin e kësaj strategjie. “Edhe pse e kemi miratuar Ligjin për të rinjtë dhe pjesëmarrjen e të rinjve, kemi qenë dëshmitarë të zbatimit të pakët, pikërisht për shkak të implikimeve buxhetore dhe financiare, si mund të sigurohemi që kësaj radhe të jetë i suksesshëm dhe të mos kemi një dokument që do ta çojmë vetëm në Qeveri, por që të kemi realizimin e këtyre programeve do të kemi buxhet, sepse buxheti është i rëndësishëm për realizimin e këtyre programeve”, pyetën përfaqësuesit e organizatave rinore.

    Për arsyen pse Strategjia nuk prezantohet publikisht, nga KRKM thonë se edhe pse kanë pasur një synim të tillë fillestar, mendojnë se më së miri është që kjo strategji të miratohet nga Qeveria, pasi Klubi i deputetëve të rinj të lobojë për miratimin dhe zbatimin e mëtutjeshëm të saj.

    “Deputetët e rinj duhet të marrin rolin mbikëqyrës dhe të mbikëqyrin institucionet ku janë me zbatimin, kur buxheti të vijë në votim për të kontrolluar nëse secili institucion i ka pasqyruar iniciativat që janë paraparë në vetë strategjinë, nëse ka implikime buxhetore, sepse nëse nuk ka implikime buxhetore, do të thotë se strategjia e vitit të ardhshëm do të ekzistojë vetëm si dokument”, thonë nga Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë.

    Gjatë procesit të krijimit të këtij dokumenti janë përfshirë shumë organizata rinore, në proces janë përfshirë edhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe përfaqësues të Qeverisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Investimet e huaja kapin majat në RMV

    Lajmi i rradhës

    Dibranët në hall nga thyerjet e dritareve nga persona problematikë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë