Investimet e huaja kapin majat në RMV

    Serbia kryeson listën e investimeve të huaja në rajon me 4.6 miliardë euro e pasuar nga Shqipëria me 1.4 miliard euro. UNCTAD, organi për tregtinë dhe zhvillimin i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka publikuar së fundmi raportin e investimeve për vitin 2023, ku në analizë merren pjesa më e madhe e vendeve të globit. Sipas tij, Maqedonia e Veriut në vitin e kaluar ka shënuar investime të huaja prej 794 milionë euro, Mali zi shënon investime prej 877 milionë euro dhe Bosnje dhe Hercegovina shënon 661 milionë euro investime të huaja. Nuk ka të dhëna për Kosovën, për shkak se nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

    Mirëpo, në rast se renditja analizohet në bazë të Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) si vlerë totale e të gjithë mallrave dhe shërbimeve që janë prodhuar në vend minus vlerën e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për prodhimin e tyre, atëherë ndryshon renditja. Pra në rast se shifrat do t`i analizonim pak më ndryshe dhe më drejtë, në raport me madhësinë e ekonomisë së secilit vend, shohim se renditja ndryshon në rajon, edhe pse Shqipëria mbetet e dyta, por jo pas Serbisë, por pas Malit të Zi. Për këtë të fundit, Investimet e Huaja Direkte për vitin 2022 në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit fiksohen pranë 14 për qind, për Shqipërinë pranë rreth 8 për qind, për Serbinë pranë 7 për qind, për Maqedoninë e Veriut pranë 6 për qind dhe për Bosnje Hercegovinën pranë vetëm 3 për qind. Krahasimi i të dhënave të Bankës Qendrore për vitet e kaluara, tregon më tej në raport me vitin 2020 janë trefishuar investimet e huaja në vend. Vitin 2020 gjithnjë sipas të dhënave dhe metodologjisë së Bankës Popullore, Maqedonia e ka përfunduar me investime të huaja prej 240 milionë euro.

    Njëherësh të dhënat e UCTAD për pesë vitet e fundit tregojnë se fluksi i investimeve të huaja në vitin e kaluar me 794 milionë euro është i përafërt me atë të vitit 2018 kur janë regjistruar 725 milionë euro.

    Ndër shtetet që dallohen me Investime janë Austria, Gjermania, Turqia dhe Greqia. Nga Drejtoria e Zonave zhvillimore teknologjiko-industriale, thonë se viti 2022 është përmbyllur me 430 milionë euro investime të reja dhe mbi 2000 vende të reja pune në vetëm një vit, si vitin më të mirë deri më tani që nga ekzistenca e zonave. Njëherit të dhënat e UCTAD tregojnë edhe prurje modeste të investimeve të huaja me 205 milionë euro në vitin 2017, 446 milion euro në vitin 2019, 230 milionë euro në vitin 2020 dhe 556 milionë euro në vitin 2021. Pas anëtarësimit në NATO dhe nisjes së negociatave zyrtare për anëtarësimin në BE, investimet e huaja direkte (FDI) në Maqedoninë e Veriut u rritën midis 2020 dhe 2021, me projektet e energjisë së rinovueshme dhe teknologjisë së komunikimit të informacionit.

    Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s në mars të vitit 2020 dhe prioriteti i saj tani është përfundimi i bisedimeve të pranimit në BE. Negociatat zyrtare filluan në korrik dhe vendit iu deshën 18 vjet për të hyrë në bisedime zyrtare që kur paraqiti për herë të parë kërkesën e tij për t’u bashkuar me BE në 2004, thotë analiza e Fdi, e tregut të investimeve të huaja apo e Monitorimit të Investimeve Ndërkufitare.

    “Procesi i anëtarësimit në BE ndihmon për të ankoruar politikën dhe për të mbështetur eksportet dhe flukset hyrëse të IHD-ve [në Maqedoninë e Veriut]”, thotë për Fdi Erich Arispe, drejtor i lartë në Fitch Ratings. Sipas shifrave të “FDI Markets”, projektet e energjisë së rinovueshme kontribuan më së shumti në investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut midis janarit 2017 dhe korrikut 2022, me një vlerë totale prej 739 milionë dollarë, të ndjekur nga sektori i pasurive të paluajtshme 409 milionë dollarë dhe softuerit dhe Teknologjisë informatike me 381 milionë dollarë.

    Vendi ka 14 zona të lira, duke i lejuar kompanitë ndërkombëtare të anashkalojnë detyrimet doganore dhe të përfitojnë nga lehtësimet tatimore, ndërsa në korrik 2022, vendi njoftoi gjithashtu se do të hapte zonën e parë të teknologjisë së lartë. Zona e re e lirë, Zona Teknologjike Industriale – Shkup III, do të shtrihet në 18 hektarë dhe paraqet një investim prej rreth 146 milionë dollarë amerikanë. Synimi është të gjenerohen investime prej më shumë se 850 milionë euro (821.69 milionë dollarë) në dhjetë vitet e ardhshme dhe natyrisht të sjellin ose zhvillojnë kompani që do të fokusohen ekskluzivisht në teknologjinë e lartë. Kjo do të krijojë vende pune shumë të paguara për 4.500-5.500 të rinj që pritet të angazhohen në këto kapacitete dhe do të gjenerojë të ardhura për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut përmes pagesave buxhetore, thonë nga Drejtoria e Zonave Teknologjike. Njëherësh qeveria po realizon edhe nisma të fuqishme për të ndihmuar rritjen ekonomike për të mbajtur dhe nxitur investimet në vend. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PUSHTETI I VARDISET OPOZITËS PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE!

    Lajmi i rradhës

    SHËNDETI MENDOR TE TË RINJTË NË RMV! Ligji që nuk ofron mbështetje të mjaftueshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë