Shënohet 20 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, politikanët kërkojnë bashkëpunim në mes bashkësive etnike

    Në shënimin e 20 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit , presidenti Stevo Pendarovski tha se kjo marrëveshje është dokumenti më i rëndësishëm për Maqedoninë, pas Kushtetutës së vendit. Ai tha se politikanët duhet të marrin shembull nga qytetarët që kanë bashkëjetuar edhe para kësaj marrëveshje.

    “Dy bashkësitë më të mëdha në vend, për çështjet kyçe dhe strategjike duhet të punojnë së bashku dhe jo pas shpine. Sfida themelore është se si të mendojmë jashtë kornizave etnike dhe partiake të cilat shpesh janë të ngjyrosura etnikisht dhe në këtë drejtim ne politikanët kemi ende shumë punë”, pohoi Stevo Pendarovski, president.

    Kryeministri Zoran Zaev tha se kjo marrëveshje është themel i bashkëjetesës në vend, ndërsa kreu i Kuvendit Xhaferi tha se sfidat e politik bërjes nuk kanë përfunduar me zbatimin e kësaj marrëveshje.

    “Marrëveshja Kornizë e Ohrit përcolli mesazhin për mirëkuptim, ndjesë dhe falje të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe të gjithë qytetarëve tanë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit solli një frymë të re në politikëbërje. Politika që ndërtojnë ura dhe nuk i shkatërrojnë ato”, theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

    Kreu i Integristëve Ali Ahmeti kërkoi respektimin e marrëveshjeve të arritura, ndërsa të drejtat e qytetarëve të mos bëhen pengesë për bashkëjetesë.

    “Kaluam vështirësi të mëdha, por cila mendoj se do të ishte vështirësia që do të ishte tragjike edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit? Ndarja e këtij shteti. Tjetër është çfarë thuhet pas 20 vjetësh, por para 20 vjetësh edhe ky opsion ka qenë në tavolinë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Ish diplomati Xhorxh Robertson, që ishte pjesë e ekipit ndërkombëtar gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit tha se drejtuesit e vendit duhet të fokusohen për një jetë më të mirë për qytetarët.

    “Maqedonia e Veriut meriton që të bëjë pjesë mes vendeve të BE-së dhe shpresoj se Bullgaria do të dëgjojë zërat unanim të miqve të saj dhe të heqë bllokadën ndaj Maqedonisë”, tha Xhorxh Robertson, diplomat.

    Ish kryeministri Vllado Buçkovski në fjalën e tij tha se gjeneratat e reja duhet të marrin mësimin që viti 2001 të mos përsëritet më asnjëherë.

    “Edhe sot e kësaj ditë ndiej dhimbje në zemër për jetët e humbura të pjesëtarëve të Armatës dhe Forcave të Sigurisë. 20 vjet më pas duhet të mësojmë gjeneratat e reja që diçka e tillë kurrë më të mos përsëritet”, theksoi Vllado Buçkovski, ish-kryeministër.

    Por ish kryeministri Hari Kostov me kritika iu drejtua panelit. Tha se vendi për 30 vite ka ngecur në një rreth të magjepsur, duke kërkuar nga partitë politikë të lënë anash shfrytëzimin e marrëveshjeve për interesat partiake dhe të përqëndrohen në problemet e vërteta, që sipas tij, ka vendi.

    “Konsideroj se nëse Marrëveshja e Ohrit veçmë është zbatuar, atëherë partitë politike në vend duhet të nënshkruajnë në marrëveshje të re për reformat ekonomike, politike dhe masat që duhet të zbatohen gjatë të viteve të ardhshme. Këtë e them, sepse partitë sot janë aq të ndara sa nuk mund të arrijnë pajtueshmëri pothuajse për asnjë masë. Nuk jam aspak naiv dhe e di se ky propozim i imi do të hasë në vesh të shurdhër”, pohoi Hari Kostov, ish-kryeministër.

    Në sallën ku të pranishëm ishin rreth 200 të ftuar nuk kishte asnjë përfaqësues të opozitës. Edhepse lideri i VMRO-së Mickovski ishte ftuar madje edhe për fjalim, i njëjti anuloi pjesëmarrjen, ndërsa liderët shqiptarë të opozitës ishin të ftuar por jo për të mbajtur fjalim.

    Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 nga Boris Trajkovski, Arbën Xhaferi, Imer Imeri, Branko Cërvenskovski dhe Lupço Georgievski.

    Lajmi Paraprak

    Gjoba prej 250 eurove për qytetarët që ulen në kafene pa certifikatë vaksinimi

    Lajmi i rradhës

    Kacarov: Bullgaria po përgatitet të dhurojë 51.000 doza të vaksinave kundër Kovid-19 për Republikën e Maqedonisë së Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë