Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGPM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM) dënojnë ashpër veprimin e turpshëm të medias “Sloboden Peçat” për fshirjen e tekstit të redaktuar dhe publikuar nga kolegu gazetar dhe redaktor Zharko Nastoski.
Bëhet fjalë për një tekst me titullin “Qeveria në mënyrë gjysmë të fshehtë lejoi milionerin Destani të bashkojë koncesionet për një minierë në Strumiçko”, i cili është publikuar më 05.07.2023 (e mërkurë) nga “Sloboden Peçat”, dhe në të cilin shkruante se qeveria lejoi bashkimin e koncesioneve për minierat në Ilovica dhe Shtuka në Strumiçko. Disa orë pas publikimit, teksti u fshi dhe lidhja ishte joaktive.
Një procedurë e tillë e turpshme në vetvete paraqet skandal dhe shkelje të rëndë të lirisë së fjalës dhe gazetarisë profesionale.
“Gazetarët janë të detyruar të publikojnë informacione që përmbajnë dyshime për abuzime nga të gjithë bartësit e funksioneve publike, sepse janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë nga Kodi i Gazetarëve, i cili thotë qartë se gazetari do të respektojë ligjet e vendit, por nuk do të publikojë apo fshehë asgjë që është në kundërshtim me interesin publik. Prandaj, duam t’ju rikujtojmë se censura në Maqedoninë e Veriut është e ndaluar me Kushtetutë dhe kjo është e përcaktuar qartë në nenin 16 të Kushtetutës së RMV-së”, thuhet në reagim.
SHGM-ja, SPGPM-ja dhe KEMM, thonë se si organizata të esnafit që mbrojnë të drejtat dhe interesat e gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë në vend, i japin përkrahje të plotë kolegut Nastoski dhe theksojmë se reagimi i tij ndaj kësaj censurë është shembull i mbrojtjes së integritetit gazetaresk.
SHGM-ja, SPGPM-ja dhe KEMM me ekipet e tyre juridike janë në dispozicion të kolegut Nastoski për ndihmë juridike falas.