Si e shpjegon evolucioni përhapjen e autizmit te njerëzit

    Një studim i fundit i botuar në revistën “Molecular Biology and Evolution” ngre një pyetje intriguese: pse autizmi është kaq i përhapur tek njerëzit dhe jo tek kafshët e tjera? Përgjigjja, sipas autorëve, fshihet në vetë mënyrën se si ka evoluar truri ynë.

    Sot, rreth 1 në 31 fëmijë në SHBA (3.2%) dhe 1 në 100 fëmijë globalisht identifikohen me çrregullime të spektrit të autizmit (ASD). Krahasuar me botën e kafshëve, këto shifra janë jashtëzakonisht të larta. Për shembull, tek primatët e tjerë pothuajse nuk shfaqen sjellje që mund të krahasohen me autizmin apo skizofreninë.

    Evolucioni i shpejtë i trurit të njeriut

    Shkencëtarët theksojnë se autizmi lidhet me tipare të ndërlikuara njohëse si prodhimi dhe kuptimi i gjuhës, aftësi që janë unike për njerëzit. Pikërisht këtu hyn në lojë evolucioni.

    Falë teknologjisë së re të sekuencimit të qelizave individuale është bërë i mundur identifikimi i tipave të ndryshëm të neuroneve në tru. Studiuesit zbuluan se një nga llojet më të përhapura të neuroneve në korteksin e jashtëm – të quajtura L2/3 IT neurons – ka evoluar shumë më shpejt tek njerëzit sesa tek speciet e tjera të afërta, si shimpanzetë.

    Por ja ku qëndron surpriza: ky “përshpejtim” evolutiv shoqërohet me ndryshime të forta në gjenet që lidhen me autizmin.

    Një “kosto” që solli përfitim?

    Përse do të favorizonte natyra pikërisht këto ndryshime? Studiuesit nuk e kanë një përgjigje përfundimtare, por dyshojnë se disa prej këtyre gjeneve ndikojnë tek zhvillimi i ngadalësuar pas lindjes tek truri i njeriut. Ky ritëm më i gjatë i maturimit ka qenë vendimtar për aftësinë tonë të të menduarit në mënyrë komplekse dhe për zhvillimin e gjuhës.

    Me fjalë të tjera: evolucioni që na dha gjuhën dhe mendimin abstrakt, rriti edhe probabilitetin e neurodiversitetit, përfshirë autizmin.

    Autizmi si pasqyrë e unicitetit njerëzor

    Fakti që çrregullimet si autizmi dhe skizofrenia lidhen me tipare që na bëjnë “njerëz” – gjuhën, imagjinatën, ndërveprimin social – tregon se këto nuk janë thjesht sëmundje, por edhe pasojë e një truri që ka ecur në një rrugë evolutive të veçantë.

    “Rezultatet tona sugjerojnë se disa nga po ato ndryshime gjenetike që e bënë trurin e njeriut unik, e bënë gjithashtu më të larmishëm në aspektin neurologjik,” shprehet autori kryesor i studimit, Alexander L. Starr.

    Në këtë kuptim, autizmi nuk shihet vetëm si një sfidë, por edhe si një dritare drejt kuptimit të asaj që na bën një specie unike. / bota.al/

    Lajmi Paraprak

    Sa të dëmshme janë patatet e skuqura për shëndetin tuaj?

    Lajmi i rradhës

    Projekti për ndriçimin e Drinti të Zi, Merko akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë