Shkollat e Tetovës pa salla sportive

    Rreth shtatë shkolla fillore në komunën e Tetovës nga gjithsej 12 sa janë nuk kanë salla sporti. Ndërsa nga shkollat e mesme vetëm Gjimnazi 7 marsi nuk ka sallë sporti. Kështu thonë nga sektori për arsim në komunën e Tetovës, prej nga bëjnë të ditur se shkollat fillore që nuk kanë salla sporti janë në pjesën qendrore të Tetovës. Bëhet fjalë për shkollën fillore Migjeni, shkollën fillore “Liria”, shkollën fillore “Istikball”, shkollën fillore “Kirili dhe Metodi”, shkollën fillore “Naim Frashëri”, shkollën fillore në fshatin Sellcë dhe shkolla në fshatin Reçicë të Vogël “Besa”.

    Aplikimi është bërë në Ministrinë e arsimit dhe Shkencës por deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje, thonë nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës.

    “Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Agjencinë për Rini dhe Sport, vit për viti hapin thirrje për aplikim për ndërtimin e sallave në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Zakonisht thirrja hapet në kuadër të projektit për ndërtimin e 145 sallave sportive ku selektimi bëhet nga ana e tyre. Nuk e di se në çfarë mënyre bëhet selektimi, neve si komunë kemi bërë aplikim për gjashtë shkollat pra për ndërtimin e sallave të sportit. Baza e aplikimi është vetëm fleta e pronësisë, ku ata kanë dy lloje projektesh, njëra është sallë me tribunë dhe tjetra është pa tribunë”, deklaroi Valedin Ademi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në komunën e Tetovës.

    Deri më tani nuk ka asnjë lloj përgjigje nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës se kur do të miratohen kërkesat për ndërtimin e sallave të sportit.

    “Ne deri më tani, zyrtarisht nuk kemi asnjë njoftim apo përgjigje pozitive se a do të ndërtohen salla sporti në Tetovë. Mungesa e sallave të sportit ndikon shumë në procesin edukativo arsimor, sidomos gjatë stinës së dimrit, nxënësit janë të detyruar që orën e edukatës fizike ta mbajnë në ato sallat e vjetra pa nxemje, pa kushte, ose në klasë. Rast e kemi shkollën Besa në Reçicë të vogël, ku ora e edukatës fizike zhvillohet në klasë dhe dëmtohen klasat. E tërë kjo ndodh në mungesë të sallave sportive”, tha Valedin Ademi.

    Nga komuna e Tetovës njoftuan se sa i përket sallës sportive në Gjimnazin e Tetovës janë siguruar mjetet dhe punimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e së njëjtës. Në ndërkohë, pyetje dërguam edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës lidhur me mungesën e sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës, por ende nuk ka përgjigje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Zgjedhjet lokale turke, që do t’ia matin popullaritetin Erdoganit

    Lajmi i rradhës

    Nxënësit në RMV, analfabetë funksional!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë