Si asnjëherë më parë, partitë në RMV ndezin motorët

    Aktivitetet e partive politike vazhdojnë edhe pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, për konceptimin dhe përbërjen e ekipit që do garojë në zgjedhje. Derisa nga të gjithë anët po vazhdon retorika e përditshme e partive për fitoren dhe nevojën për procese zgjedhore të ndershme dhe demokratike.

    Deri më tani nga partitë më të mëdha vetëm koalicioni i opozitës shqiptare LEN ka zyrtarizuar kandidatin e saj për president – Arben Taravari. Koalicioni u zyrtarizua me nënshkrimin e deklaratës me Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit dhe pjesën tjetër të LEN. Ndërsa partitë tjera ende nuk i kanë shpallur kandidatët për president të vendit, sa u përket zgjedhjeve parlamentare njoftimet kanë të bëjnë me masat në programet me të cilat do të dalin para qytetarëve, premtimet për ndryshime në funksionimin i Qeverisë së ardhshme.

    Kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski tha se gjatë muajve të kaluar 18 komisionet e LSDM-së janë plotësuar me rreth 200 ekspertë për të punuar në programin e ri zgjedhor për periudhën 2024-2028. Programi, siç tha ai, do të përmbajë masa konkrete dhe mbi të gjitha do të kujdeset për mirëqenien ekonomike të qytetarëve për avancimin e proceseve sociale, vazhdimin dhe përfundimin e procesit të integrimit evropian.

    “Programi do të jetë edhe vazhdimësi e aktiviteteve specifike për anëtarësim të plotë në BE, i cili do të sigurojë barazi për qytetarët ku shoqëria do të jetë e barabartë në mënyrë që secili të shfrytëzojë kapacitetet e veta dhe të përparojë në jetën e tij personale dhe profesionale”, thotë Kovaçevski.

    Ai thekson se në Frontin Evropian dyert janë të hapura për të gjithë ata që ndajnë vlerat për anëtarësimin e vendit në BE, por të mbyllura për partitë politike që kanë zgjidhje alternativa tjera të cilat nuk janë anëtarësimi në BE.

    Për sa i përket nëse do të kenë lista të përbashkëta në zgjedhjet parlamentare, ai thotë se do të kenë lista me partnerët e tyre të koalicionit, por që në ato lista dyert janë të hapura edhe për partitë tjera që t’i bashkohen nëse vlerësojnë që ndajnë të njëjta vlera.

    Në zgjedhjet presidenciale, siç tha ai, LSDM do të shkojë me kandidatin e vet për president, të cilin do ta përkrahin të gjitha partitë e koalicionit të partisë. Sipas Kovaçevskit, kandidati i tyre do t’i ndajë vlerat evropiane dhe nuk do t’i ndajë qytetarët në asnjë bazë. Ai tha se presidenti aktual Stevo Pendarovski në pesë vitet e fundit e ka kryer shumë mirë pozitën e tij.

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristija Mickoki, nga ana tjetër, bën njoftime për funksionimin e kabinetit të ardhshëm qeveritar. “Do të ketë një rikonstruksion serioz të kabinetit qeveritar, me shkrirje dhe ndarje të resoreve, pa ministra pa portofol. Qëllimi është që kabineti i ardhshëm qeveritar të jetë funksional dhe t’u përgjigjet seriozisht nevojave të epokës së re”, tha Mickoski.

    Kandidati për president të partisë, siç ka bërë të ditur më herët në një deklaratë për media, do të bëhet i ditur pas konventës së 2 marsit.

    “Për momentin kemi një thirrje publike, e cila do të zgjasë deri më 21 shkurt. Të gjithë kandidatët e interesuar kanë mundësi të aplikojnë dhe pastaj në konventë rreth 500 delegatë do të vendosin se kush do të jetë kandidati dhe presidenti i ardhshëm i Maqedonisë i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe shumica dërmuese e popullit”, deklaroi Mickoski.

    Ai nuk i komentoi informacionet se BDI do të shkojë me kandidatin e saj për president dhe se do të jetë lideri i partisë, duke theksuar se inkurajon Ali Ahmetin që t’i bashkohet garës për president.

    Mickoski pret fitore edhe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Ai vlerëson se se konsolidimi i opozitës shqiptare është një hap i mirë për demokracinë në vend. Sipas tij, BDI, është mirë që ai të shkojë në opozitë që, siç tha ai, t’i nënshtrohet reformimit të brendshëm.

    Nënkryetari i BDI-së dhe ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në lidhje me mundësinë e të qenit kandidat për president të vendit, thotë se varet nga vlerësimet se ku është më i dobishëm dhe se ia lë të vendoset në strukturat e partisë. “Mendoj se nëse BDI ka një kandidat, ai duhet të jetë kandidat serioz për të fituar, por duhet bërë vlerësime të mira që të bëhet një ofertë e përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë, sfidat që kemi dhe pritshmëritë e qytetarëve. Duhet të llogaritet që të kemi një ofertë që nuk është për t’u testuar por për t’u fituar”, tha Osmani.

    Në nënshkrimin e Deklaratës së Bashkimit me LEN-in, Taravari tha se bashkëpunimi mes partive opozitare shqiptare po zyrtarizohet për herë të parë që nga viti 2011 dhe se shpreson që ndryshimi i shumëpritur në bllokun politik shqiptar të ndodhë me tetë maj. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, kur duhet të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale fillon më 4 prill dhe përfundon më 22 prill. Për zgjedhjet parlamentare, fushata nis më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

    Sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, nuk do të ketë probleme edhe përkundër mbivendosjes së proceseve zgjedhore në fushatën parazgjedhore. Siç bëri të ditur ai, gjatë heshtjes parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale, fushata për zgjedhjet parlamentare do të duhet të ndalet për 48 orë për të shmangur abuzimet e mundshme. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Sali: ia vlen beteja kundër të keqes

    Lajmi i rradhës

    Shkollat rurale në Tetovë pa nxënës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë