Shkrimtarja ruse Elena Kostiukoviç: Vladimir Putin, Cari i ri mes ezoterizmit dhe mitit të mbinjeriut

    Stefania Parmeggiani

    Si ndodhi që Rusia nisi pushtimin e Ukrainës? Çfarë po ndodh në mendjen e Putinit? Cili është synimi i i fjalimeve të tij frikësuese dhe jo koherente? Jemi duke kërkuar përgjigje  për këto pyetje që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Në një intervistë për gazetën Elena Kostiukoviç, përkthyese, shkrimtare dhe specialiste mbi lidhjet kulturore midis Rusisë dhe Perëndimit, thotë se ne perëndimorët e interpretojmë luftën me mjetet e logjikës.

    Por kjo sipas saj nuk mjafton.

    Ajo ka hulumtuar rrënjët kulturore që na sollën tek ky konflikt. Dhe kështu lindi edhe libri i saj i fundit “Në mendjen e Vladimir Putinit”, një analizë e situatës katastrofike në të cilën gjendet sot Rusia, duke u nisur nga disa koncepte kyçe të mendimit post-sovjetik, siç është ai i “Russkij Mir”, Botës Ruse, një shtet ideal ku të bashkohen të gjithë popujt rusë “gjenetikisht superiorë” ndaj të tjerëve.

    Nga ju lindi ideja për shkrimin e këtij libri?

    Nga Umberto Eko.

    Çfarë lidhje ka Putin me të?

    Unë isha përkthyesja e tij në rusisht. Kur po përktheja librin “Lavjerrësi i Fukosë”, u befasova nga këmbëngulja me të cilën anëtarët e shoqërisë sekrete i referoheshin Planit. Ishte një fjalë që përmendej pa pushim midis faqeve të romanit të tij dhe jo rastësisht. Pasi çdo teori konspirative, çdo komplot i supozuar global, ka në qendër të saj një Plan misterioz. Duke dëgjuar fjalimet e Putinit, fillova të vërej këmbënguljen me të cilën edhe ai flet për Planin.

    Një shembull për këtë?

    Më 15 shkurt 2022, pas një takimi me kancelarin e ri gjerman Olaf Sholc, ai u tha gazetarëve: “Gjithçka do të vazhdojë sipas planit!”. Kur u pyet mbi përmbajtjen e planit ai refuzoi të përgjigjet, duke përsëritur:”Ne e dimë se çfarë përmban ai”. Dhe siç mund ta shohim sot, plani përfshinte bombardime, viktima në civilë, fëmijë të vrarë, zjarre, plaçkitje, dhunë, varreza masive, termocentrale bërthamore të shndërruara në bomba me sahat, ushtarë shumë të rinj rusë të dërguar për të luftuar pa e ditur arsyen, evropianët që bëhen pengje të shantazheve të tij… Dhe më e keqja:ai është një plan, i pavarur nga çdo negociatë apo lëshim.

    Pra negociatat nuk do të vlejnë për asgjë?

    Në krye të delegacionit rus është Vladimir Medinski, që nuk është ushtar dhe as diplomat, por vetëm një zyrtar i nivelit shumë të ulët në rangun e nomenklaturës, një stalinist i apasionuar pas idesë së “Russkij Mir”, Botës Ruse, e lidhur me Kronologjinë e Re.

    Për çfarë bën fjalë kjo e fundit?

    Është një rrymë mendimi gati e panjohur për evropianët, por shumë popullore në Rusi, e teorizuar nga profesor Anatoli Fomenko. Ajo bazohet në tezën se e gjithë historia njerëzore u falsifikua në shekullin XVI nga një grup kronistësh dhe historianësh evropianë të kryesuar nga Xhuzepe Skaliero.

    U falsifikua?

    Po, me synimin për të fshirë të kaluarën madhështore të rusëve. Fomenko dhe ndjekësit e tij pretendojnë se të gjithë librat në të gjitha bibliotekat në botë, janë zëvendësuar me vëllime të rreme. Kjo gjë është kryer nga njohës të kaligrafisë antike duke përdorur rrotulla të vjetra, bojëra të holluara dhe vula të falsifikuara.

    Edhe metodat e analizës kronologjike të artifakteve, si Karboni 14, bazohen në gënjeshtra. Sipas kësaj teze, qytetërimi grek nuk ka ekzistuar kurrë, Palestina biblike ndodhej në Itali, ishin 4 Ivanë të Tmerrshëm etj. Lista është shumë e gjatë.

    A i beson Putini këto gjëra?

    Kjo rrymë mendimi është shumë e dobishme për të, pasi sipas doktrinave të bazuara në Kronologjinë e Re, ka ardhur koha të rivendoset drejtësia, dhe t’i jepet fund poshtërimit historik të popullit të madh rus.

    Deri në çfarë mase qarkullojnë këto shpikje në Rusi?

    Shumë, nëse gjykojmë nga tirazhi i shitjes së librave të Fomenkos.

    Çfarë lexojnë anëtarët e qeverisë ruse?

    Të gjithë bashkëpunëtorët e Putinit, janë të detyruar të lexojnë veprën e plotë të Aleksandër Dugin, filozofi, ezoteriku dhe themeluesi i Partisë Kombëtare Bolshevike. Tekstet mbi Noomachyj, një rrymë filozofike që predikon luftën mes qytetërimeve, janë në kurrikulat e shumë universiteteve ruse, të rekomanduara edhe për mësuesit e shkollave shtetërore.

    Sipas konceptit të “Russkij Mir”, tokat stërgjyshore sllave do të përqendrohen herët a vonë rreth Romës së Tretë të plotfuqishme, Moskës.

    Por që të jetë i mundur ribashkimi i pjesëve të kësaj Rusie ideale, duhet të lindë një Mbinjeri. Dhe para se të veprojë, ai do të duhet të presë për momentin kur të përfundojë një murtajë e madhe, Vdekja e Zezë që do të shkatërrojë popujt e botës, siç tregohet edhe tek libri bilbik i Apokalipsit.

    Pra një profeci për të justifikuar atë që po ndodh?

    Një shpëlarje truri. Ukraina. Lufta ime dhe Hakmarrja Euroaziatike e Rusisë, janë shkruar me fraza të shkurtra që të kujtojnë slogane. Kjo të bën përshtypje, pasi ato duken si baza e fjalimeve publike të Putinit. Plani Strategjik i Dugin, flet për luftën kundër Shteteve të Bashkuara, ndërsa plani taktik parashikon përplasjet e para në territorin ukrainas.

    A është kjo ideologjia e Putinit?

    Po dhe bazohet në falsifikimin e historisë, paranoja, dhe tek një përzierje mitesh të shkëputura nga konteksti. Putini ka një mentalitet atavist, mistik, të errët. Ai është një njeri që nuk e përdor kompjuterin, nuk shfleton internetin, dëgjon eremitët, shkon në manastir në malin Athos, beson tek fallxhorët dhe shamanët.

    Meqë jemi tek simbolet, çfarë përfaqëson shkronja Z, që shfaqet tek trupat ruse dhe tashmë kudo në Rusi?

    Për këtë simbol ka disa interpretime shumë të besueshme. Unë besoj se ka të ngjarë të jetë i njëjti simbol që mbanin ushtarët e grupit sulmues nazist “Zentr”, të cilin Hitleri e dërgoi për të pushtuar Ukrainën. Një grupim njerëzish që kreu akte çnjerëzore, të cilat i kemi parë në kaq shumë filma, dhe tek të cilët kishte megjithatë kishte gjithmonë një lloj romantizmi të çuditshëm e të pashpjegueshëm.

    Kush mund ta ndalë Putinin?

    Unë mendoj se kjo luftë është tashmë një dështim i madh. Përveç Putinit, askush nuk e dëshiron atë. Shumë njerëzit po burgosen, vetëm sepse përdorin fjalë të ndaluara. Ndoshta në fund do të jenë gjeneralët, ata që do ta ndalin këtë çmenduri, pasi ndryshe nga Bosi i Madh ata përdorin logjikën. Dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë më tej. / “La Reppublica.it” – Bota.al/

    Lajmi Paraprak

    Hoxha: Është biseduar për hapjen e një pike të re kufitare mes Bullgarisë dhe RMV-së

    Lajmi i rradhës

    Rekord në rajon | Ja sa minorenë shqiptarë aplikuan për azil në vitin 2021

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë