Shkupi nga 2023 pa transport publik, Këshilli nuk e votoi subvencionimin e NTP-së prej 12 milionë euro

    Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk e ka miratuar vendimin për dhënien e subvencioneve për NTP “Shkupi” në vlerë prej 12 milionë eurosh, dhe kështu nga 1 janari nuk do të ketë para për qarkullimin e autobusëve.

    Në seancën e fundit si pikë e rendit të ditës e propozuar nga kryetarja Danela Arsovska ishte ndarja e subvencioneve për NTP-në në vlerë prej 12 milionë euro në mënyrë që ndërmarrja të funksionojë normalisht. Për transport falas të pensionistëve dhe studentëve janë paraparë 130 milionë denarë ose 2,1 milionë euro, për funksionim normal dhe tejkalim të vështirësive në punë 550 milionë denarë apo 8,9 milionë euro dhe për sistemin inteligjent të faturimit një milionë euro. Por ky vendim nuk u votua, sepse këshilltarët nga VMRO-DPMNE, të cilët kanë shumicën dhe dje e votuan buxhetin, tani nuk votuan “pro”. Me këtë, nga 1 janari nuk do të ketë para që Shkupi të ketë transport me autobus, nuk do të ketë para për të paguar derivatet dhe për t’u ndarë pagat për punëtorët.

    Këshilltarët nga VMRO-DPMNE thanë se bëhet fjalë për një shumë të madhe parash dhe nuk kanë asnjë informacion se si si harxhohen.

    “Askush nuk e di se ku dhe si do të shpenzohen këto para. Të gjithë e shohim që tre furnitorët më të mëdhenj nuk janë paguar prej dy muajsh, pra kujt i shkojnë paratë që merr ndërmarrja? Për këtë arsye ne propozuam që të zvogëlohen paratë, gjegjësisht të jepen subvencionet e nevojshme për muajin janar. Pasi të marrim informacione shtesë, do të dimë nëse vërtet kanë nevojë për aq para, përkatësisht mbi 10 milionë euro. NTP bëhet fuçi pa fund dhe askush nuk na thotë asgjë, Këshilli nuk respektohet, këshilltarët ofendohen, nuk respektohet orari, qytetarët janë të pakënaqur me transportin publik. Prandaj shtrohet pyetja pse do të jepnim kaq shumë?”, tha këshilltari nga VMRO-DPMNE Stefan Andonovski.

    Këshilltarët nga LSDM-ja thanë se ata si opozitë në Këshill do të votojnë me përmbajtje si edhe deri tani, sepse gjatë gjithë vitit as kryetarja Danela Arsovska, as ndërmarrja dhe drejtori nuk kanë marrë asnjë përgjigje për transportin publik dhe gjendjen në ndërmarrje.

    Kryetarja Arsovska tha se nëse këshilltarët nuk e miratojnë këtë vendim për subvencionim, Shkupi do të mbetet pa transport publik dhe kërkoi që ta votojnë vendimin.

    “Pas mosvotimit të këtij vendimi, nga 1 janari nuk do të ketë transport falas për pensionistët dhe studentët. Nuk do të ketë para për të kapërcyer vështirësitë operative të shkaktuara nga kriza ekonomike dhe energjetike dhe nga rritja e kostove të karburanteve që është mjeti bazë për punën e ndërmarrjes. Nëse vendimi nuk miratohet, vihet në pikëpyetje nëse do të ketë transport publik. Që qytetarët të mos habiten, nga 1 janari mund të mos kemi transport publik të përhershëm sepse këta këshilltarë nuk kanë dhënë mbështetje për subvencionimin e NTP-së për herë të parë. Ju lutem, duhet të mendojmë pak përtej sherreve të ndërsjella, grindjeve politike dhe mospëlqimit të drejtorit. Të mos i lëmë qytetarët pa transport, ju lutem të votoni. Për më tepër, jua lë ndërgjegjes tuaj dhe qytetarët do të gjykojnë se kush i ka lënë pa autobus”, tha Arsovska.

    Në fund ky vendim nuk u pranua, pasi pro votuan vetëm 18 këshilltarë, që nuk mjaftuan për të kaluar.

    Transporti me autobus për qytetarët në Shkup, për disa javë ka qenë në krizë dhe i bllokuar.

    Shoferët e “Slloboda Prevozit” dhe “Makekspresit” më 13 dhjetor vendosën t’i largojnë autobusët që ishin të parkuar në bulevardin “Ilinden”, para Qytetit të Shkupit, pasi kryeministri Kovaçevski deklaroi se nuk do t’i pranojë transportuesit privat në takim derisa nuk i largojnë autobusët e bllokuar.

    Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

    Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

    Pas disa ditësh, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”, që nënkupton të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

    NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

    Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia është larg parimit “ndotësi paguan”

    Lajmi i rradhës

    Digjen disa kamionë në një barrikadë në veri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë