Braktisja e ideologjisë nga tandemi PS-PD

    BEN ANDONI 

    Sapo flitet për ideologji, njerëzit jo rrallë rrudhin buzët dhe, në kokë u shkëlqejnë dy llambushka: E Majtë dhe e Djathtë! Këtu mbyllet edhe diskutimi ideologjik mes përkrahësve të PD-së dhe PSsë, politikanëve të dy anëve dhe akuzat mes njëra-tjetrës. Klishetë: E Majta e lidhur dhe me rrënjët te socializmi i para ‘90. E Djathta e lidhur me persekutimin dhe klasat e shpronësuara dikur. Ka një të vërtetë në të gjithën këtë, pasi formimi dhe përdorimi ideologjik më së shumti u bë gjatë kohës së pasluftës.

    Duke u kthyer në kohën tonë: zgjedhjet po afrohen, me shumë gjasë me një Kod Zgjedhor jo shumë të rregulluar, e para prej përçarjes së pa princip të PD-së dhe, e dyta prej rezistencës së PS-së, të shkojë me një produkt zgjedhor, që i përshtatet. Ajo që mbetet dhe përplasja PD (L) dhe PD (R) s’paraqet më asgjë. Paradoksi është se, ndërsa zgjedhjet e vitit 2025 po afrohen ngadalë javë pas jave, duket se asgjë nuk ndryshon. Nuk na duhet ideologjia dhe çfarë është kjo?! – e dëgjon shpesh e më shpesh. Maxhoranca dhe opozita thjesht ndryshojnë rekuizitën dhe në fund kryetarët vendosin ata ligjvënës, që do të vazhdojnë këtë status quo.

    Rrallëherë kemi tema: Si është përshtatur ideologjia e së Majtës apo çfarë duhet të vlerësojmë tek opozita e sotme për ideologjinë. Por, koncepti i kësaj të fundit, në kohën ku po jetojmë dhe ku Lufta Botërore mbase nuk është aq e shpejtë, por jo më e pamundur merr një kuptim të madh. Ideologjia përfshin një lloj variabli standard sociologjik, që bashkon apo ndan njerëzit, ashtu si gjinia, klasa, raca, kombi e disa elementë të tjerë.

    Por forca e saj nuk është vetëm kaq, pasi jo rrallë individi në vetvete mund të jetë i ndikuar nga ideologji, për të cilat është i paqartë edhe vetë. Këtu mund të kuptosh edhe pse rrjedhin pasoja të ndryshme nga qasja me ideologjitë, që çdo individ i percepton sipas mënyrës së tij, kuptohet që për oportunitet duke përshfaqur në shoqëri ngjyresa të një partie të caktuar.

    De Tracys, njeriu që i dha qytetarit konceptit ideologji, përcaktoi katër faktorë, të cilët e definojnë konceptin “ideologji”: Sistemi i shpjegimit të botës,\Programi i veprimit,\Veprimi publik për realizimin e programit,\ dhe Manifestimi i rolit të posaçëm të individit. Po t’i kuptosh saktë këto faktorë, arsyeton qartë se cila nga dy partitë tona kryesore i ka bërë të qarta ato për individin shqiptar. Në fakt, diskutimi i sotëm mbetet tek e Majta dhe e Djathta, por ndërsa sot nga teoricienët besohet se ndarja ka karakteristikat e vendeve nga vjen, ndryshe ndodh te ne, që ndarja trajtohet në formën klasike shqiptare:

    Trashëgimia e Partisë së Punës tek PS dhe konglomerati i akteve dhe veprimeve politike, që lidhen me persekutimin dhe ish-pronarët, që i merr PD-ja. Në fakt, dëshmi të kohës dhe protagonistë të ndryshëm (si ish-presidenti Topi) kanë përcjellë faktin se ideologjia s’është element aq i përfillshim në rastin shqiptar, kurse partitë kryesorë në vitin ’90 u projektuan nga regjimi i shkuar! Në një rrafsh më kanonik: qëndrimi ndaj individit, lirisë, pronës, barazisë, progresit, shpenzimeve publike, mjedisit, apo rolit të shtetit në këtë, taksimi, korporatizimit, sigurimi shoqëror, problemit të grave janë disa elementë që e ndajnë kuptimin e ideologjisë.

    Individi shqiptar ka qenë i rrethuar prej këtyre koncepteve, ashtu si çdo individ i shoqërive të tjera. I vetmi dallim ka qenë raporti i tij me këto koncepte dhe mundësia e tij për të ndikuar përmes shtetit që ka ndërtuar ndër vite. Të ndërthurura përmes shprehjes së politikave, ato i kanë ardhur individit shqiptar dhe i kërkuan përfshirjen për të ndikuar apo për t’u kultivuar. A ka pasur mundësi individi shqiptar të kuptojë dhe të përshtatë ideologjinë e tij?!

    Mënyra sesi është konceptuar liria, sidomos në Demokraci; si është ndarë prona (Ligji 7501) dhe shpërfytyruar; si janë ndarë të mirat publike (koncesionet); kanë treguar se ideologjia politike nën dy partitë kryesorë nuk ia ka vlejtur shumë. Ashtu, si shtresëzimin e ideologjisë që e ka marrë prej familjes dhe edukimit aty; përçimi dhe zënia vend e asaj, që është projektuar nga mësuesit; ndikimi i ardhur prej religjionit dhe politikës; shtuar në formë më skajore prej elementëve të tjerë si media dhe kultura e përgjithshme popullore nuk ka zënë aq vend, për të mos thënë ka dhënë impakt tjetër.

    Duke parë ngarendjen e shumë individëve më të afërt me politikën e momentit dhe përfitimet e tyre sa-hap-e-mbyllsytë, qoftë edhe pa elementë ideologjikë (mirëfilli si pragmatistë) dhe pastaj benefitet e tyre të pamerituara, ky shtresëzim ideologjie që përmendën më sipër është bjerrë. Është pikërisht ajo dilemë e frikshme, që neve na shpaloset para syve si një e tërë: Si ta shpjegojmë botën e pakuptueshme para nesh, që po na imponohet me “të papriturat”, si COVID dhe luftërat, por edhe atë më të prekshme: pse një vend aq i pasur i ka njerëzit e vet aq të varfër?! Këtu është edhe sfida e mbetur e shqiptarit të sotëm për të formuar një ideologji të tij, që para se të jetë e Majtë apo e Djathtë, duhet të jetë e tillë, që t’i japë një vend në shoqëri nga ku mund të përcaktojë ekzistencën dhe mirëqenien.

    Në politikë, kur shikon luftën që bëhet për fraksionet, atëherë kupton pse është e vështirë në parti të ndryshme të ketë ndarje identitare të tilla. Kjo është edhe e vërteta, që sot thuhet nuk ka më ideologji, pasi njerëzit më shumë po jepen pas besimeve të ndryshme, kurse media po luan rolin e madh të ç’ideologjizimit. Në një farë mënyre, kjo amulli idesh po i heq publikut dhe individit në veçanti atë pushtet, që e ka kur përqafon një ideologji. Kjo sot po nëpërkëmbet sepse janë politikanët që mund të diktojnë dhe paradoksalisht në Shqipëri po bëjnë atë që e bëri indirekt regjimi me mjetet e atëhershme të propagandës: përçimin e gjërave që donte vetëm ajo.

    Kjo është arsyeja pse duhet ideologjia, që kur ua përmend partive rrudhen. Tek e fundit: tek ideologjia e merr përgjigjen racionale, por atë që nuk e merr gjetkë. Ose më thjesht akoma: ideologjia e thjeshtëzon botën për t’u kuptuar nga njerëzit. Ndaj, tek ne tallen me ideologjinë dhe thonë që është term i tejkaluar. Po ky nuk është rasti i PS dhe PD, që tashmë ideologjinë e kanë një mburojë për të përjetësuar pushtetin e dy grupimeve, që nuk i përfaqësojnë më shqiptarët.

    Shkrimtari Selman Ruzhdie e thoshte edhe më qartë: “Duhet të konkludojmë se nuk është vetëm një ideologji e veçantë politike që ka dështuar, por ideja se burrat dhe gratë e sotëm mund të arrijnë e ta përcaktojnë ndonjëherë veten në terma që i përjashtojnë nevojat e tyre shpirtërore”. Po çfarë ideologjie kemi pra, ne shqiptarët?! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Stano: Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën drejt BE-së për shkak të veprimeve të njëanshme

    Lajmi i rradhës

    Pika të zeza, apo të ndritshme?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë