NË MË TË KEQEN TONË

    MIZORIA NDAJ KAFSHËVE NË SHQIPËRI DHE KOSOVË.

    Një ditë, në rrugë pashë një grua të moshuar që po e goditste qenin e saj, labrador, vetëm sepse ai ia zuri rrugën një kalimtari tjetër. U shokova dhe e pyeta se çfarë po bënte. “E godas qenin tim për ta edukuar”, më tha. Kjo është, tha ajo, mënyra se si e mëson qenin se çka është mirë dhe çka keq.

    Si mundet dikush ta arsyetojë lëndimin e një qenie tjetër me kaq ftoftësi?

    Fatkeqësisht, nuk është e pazakontë të shohësh të gjitha llojet e abuzimit të kafshëve në një ditë të zakonshme. Së fundmi isha duke ecur rrugëve të Tiranës dhe u ndala ta ledhatoja një qen endacak të strukur në një qosh. Vërejta se sapo fillova t’i afrohesha, u tremb nga frika. Dukej i traumatizuar dhe i uritur, që është realiteti i pjesës më të madhe të qenve endacak nëpër Shqipëri.

    Në Shqipëri dhe Kosovë ka mungesë të dhembshurisë ndaj kafshëve, të cilat e vuajnë abuzimin në duart e institucioneve dhe individëve, të cilët duket se janë bërë të pandjeshëm ndaj dhunës.

    Akte të mizorisë ndaj kafshëve nuk janë thjesht veprime individuale, por në fakt lidhen me kulturën më të gjerë në të cilën mizoria ndodh. Një kulturë e tolerueshme ndaj abuzimit të kafshëve mbështetet nga vendimmarrjet e posaçme burokratike, justifikimi ligjor, vendimet institucionale dhe një mori realitetesh tjera të përditshme.

    Njerëzit që edukohen në një sferë ku abuzimi i kafshëve është i normalizuar, do të jetësojnë praktika të tmerrshme ndoshta pa u ndalur për të konsideruar vlerën morale të veprimeve të tyre. Si rezultat, njerëzit e zakonshëm mund të kryejnë akte të tmerrshme.

    Një nga shembujt më të frikshëm të mizorisë ndaj kafshëve, kohëve të fundit ndodhi në vitin 2017, kur një video e tre fëmijëve në një qytet të vogël duke e torturuar dhe rrahur deri në vdekje një qen, u shpërnda gjithandej. Aktivistët në atë kohë ishin të bindur se një legjislacion më i mirë është i nevojshëm për mbrojtjen e kafshëve. Fatkeqësisht, kjo nuk ishte një ngjarje e izoluar.

    Me sa duket, ka vrasje të rregullta sistematike të qenve në Shqipëri. Aktivistët e të drejtave të kafshëve në vitin 2019 raportuan se bashkia e Tiranës vrau rreth 1000 qen endacakë. Pastaj në prill të vitit 2021, kryebashkiaku i Tiranës urdhëroi një fushatë të re sterilizimi masiv, e cila siç duket ka qenë një tjetër pretekst për vrasje masive të qenve endacakë. Nën pretendimin se do të sterilizoheshin dhe kastroheshin, provat sugjerojnë se qentë endacakë, në fakt, u vranë me injeksione të acidit klorhidrik.

    Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kafshëve (OIPA) dokumentoi se si punonjësit e bashkisë morën qentë nga rruga dhe i transportuan për në spitalin publik veterinar ku i eutanizuan apo i mbytën klinikisht. Më pas, trupat e tyre u hodhën në një deponi plehrash. Një anëtar i Parlamentit Evropian e quajti këtë veprim masakër masive. Në nëntor të vitit 2020, pak para kësaj fushate, qeveria u sigurua t’i përjashtonte qentë endacakë, macet dhe kafshët e tjera të rrugës nga mbrojtja e ligjit të ri për të drejtat e kafshëve.

    Qentë endacakë në Kosovë nuk duket se janë në gjendje më të mirë. Në vitin 2011, komuna e Prishtinës kishte caktuar një grup gjuetarësh t’i vrisnin rreth 190 qen të rrugës. Ndërkaq në vitin 2017, u raportua se Komuna e Podujevës kishte nënshkruar kontratë me një kompani për “ndërhyrje në qentë endacakë në raste emergjente”, një eufemizëm për vrasjen e 600 qenve. Sipas përfaqësuesve të komunës, ky veprim ishte plotësisht legjitim dhe ligjor. Kjo gjë e tmerrshme u dokumentua përmes fotografive që shfaqnin rrugët e përgjakura.

    Këto nuk janë raste e vetme që ka pasur vrasje sistematike të qenve, por ato arrijnë ta demonstrojnë gjendjen e tmerrshme.

    Por nganjëherë ka shkëndije shprese, edhe nëse mbeten vetëm shkëndija. Në janar të vitit 2022, komuna e Prishtinës mbajti një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar gjendjen e qenve endacakë me akterë nga pushteti lokal dhe qendror së bashku me shoqërinë civile. Por pavarësisht angazhimit që u deklarua për të filluar trajtimin e problemit, duket qartë se masat e nevojshme nuk po zbatohen.

    Ky është një shqetësim tejet i madh, sepse hapat e ndërmarrë në të kaluarën nga komunat tregojnë konsideratë shumë të ulët për mirëqenien e këtyre krijesave të gjalla dhe të ndjeshme. Po flasim për një çështje morale, një çështje mes të drejtës dhe të gabuarës. A është e drejtë t’i vrisni qentë endacakë? A është në rregull që qenve t’u injektohet acid klorhidrik, një helm shumë gërryes që dëmton rëndë indet lidhëse? A është e pranueshme të torturohen qentë në këtë mënyrë?

    Po jetojmë në një botë të dhunshme dhe shqiptarët, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, në historinë e fundit kanë qenë subjekt i dhunës së skajshme. Për shkak të këtij realiteti të dhunshëm shpesh mendoj se mund të jemi bërë të pandjenja. Kësisoj, i shohim kafshët si objekte, si gjëra të parëndësishme. Pastaj e shohim se cikli i dhunës vazhdon në mënyrën se si i trajtojmë kafshët tona.

    Të shtypur nga sistemet që na kontrollojnë jetën, zhgënjimin tonë e shfryjmë tek qeniet e pambrojtura përmes lojës së ligë të pushtetit. Shpesh pyes veten nëse njerëzit mbajnë kafshë shtëpiake, vetëm që ta kenë një qenie tjetër që u përulet. Ngushëllohen sepse në njëfarë mënyre kanë një lloj kontrolli mbi jetën e tjetrit.

    Këto pyetje rreth irritimit, dhunës dhe kontrollit s’janë të kota. Hulumtimet sugjerojnë se ekziston një lidhje mes dhunës në familje dhe mizorisë ndaj kafshëve. Njerëzit që i lëndojnë kafshët kanë më shumë gjasa t’i lëndojnë njerëzit e tjerë dhe të shfaqin forma të tjera dhune.

    Njësoj si dhuna në familje, shpesh edhe dhuna ndaj kafshëve konsiderohet çështje private dhe personale. Por ashtu siç shoqëria ka ngritur zërin gjithnjë e më shumë për dhunën në familje, duke kërkuar t’i jepet fund kësaj praktike barbare, është koha që ta ngremë zërin edhe kundër mizorisë ndaj kafshëve. Kafshët meritojnë të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe me ndjeshmëri si bashkëbanorë të botës sonë. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Vonesa gjuhësore te fëmijët

    Lajmi i rradhës

    ANALIZA: Roli që ka zgjedhur Kina edhe pse nuk del dot kundër Rusisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë