Shqipëria përballë mekanizmit evropian të pezullimit të vizave

    PËLLUMB NAKO

    Me të drejtë, kryeministri ynë u trondit thellë kur Presidenti francez deklaroi për mundësinë e pezullimit të vizave për Kosovën. Komentet që pasuan folën edhe për gabim në përkthim. Ndërkohë kryeministri, qeveria dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi duhet të shqetësohen edhe për vendin e tyre në raport respektimin e kushteve të qarkullimit pa viza, pasi problematikat që procesi ka sjellë, shënojnë rritje. Madje, çështja abuzimit me regjimin e qarkullimit të lehtësuar pa viza përbën të njëjtin shqetësim për Bashkimin Evropian edhe në raport me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Privimi i një vendi nga liria e qarkullimit shënon realisht një goditje të rëndë për politikën e tij, ndërkohë më madhore janë pasojat që shënohen direk për qytetarët. Por nga ana tjetër, edhe vetë vendet e hapësirës Shengen nuk mund të mbeten në mëshirën e përgjegjshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor për të garantuar sigurinë e tyre të kërcënuar nga abuzimet më këtë favor të dhënë vite më parë. Në tërësinë e tij, fenomeni të jep përshtypjen se ky abuzim vjen nga popullata e gjerë, por nëse shihen treguesit e mekanizmit të pezullimit të vizave, të ridimensionuara akoma më konkretisht këto ditë të fundit, do të rezultojë se po aq abuzive janë edhe qeveritë e vendeve përfituese, përfshi edhe atë shqiptare.

    Mekanizmi i pezullimit të vizave që Komisioni Evropian ka adoptuar si një instrument mbrojtës, aktualisht është shtrënguar më tej. Treguesit e tij të prezantuar këto ditë të fundit nga Komisioni Evropian janë më konkretë, të matshëm dhe vetë pezullimi më i gjatë në kohë. Kjo sepse siç u tha, fenomenet negative shënohen në rritje. Raporti periodik i nxjerrë nga Komisioni Evropian si proces i monitorimit që bën prej disa vitesh mund të krijojnë mundësinë për çdo qytetar të vendit tonë e më gjerë, për të bërë vetë bilancin e fenomeneve abuzive që dëmtojnë gjithë shoqërinë. Dhe konkretisht, bazuar në raportin e Komisionit Evropian të bërë publik më 18.10.2023, rezulton se një vit më parë Shqipëria shënoi një rritje të treguesve negativë në disa drejtime. Nëse i referohemi numrit të personave me qëndrim të parregullt në hapësirën Shengen, pra shtetas që nuk respektojnë kushtet e qëndrimit, shihet një rritje dhe në tërësi ai mbetet i lartë.

    Në vitin 2021 numri i shtetasve shqiptarë që qëndruan tej afateve ligjore në vendet Shengen ishte 34 840 dhe vitin 2022 shifra u rrit me 38.865. Rritja nuk është e madhe, por trendi i saj si dhe numri absolut mbeten shqetësues. Megjithatë, nisur nga fakti se vendi ynë ka një gatishmëri mjaft të madhe për të ripranuar personat e dëbuar nga autoritetet ligjore të vendeve të Bashkimit Evropian për qëndrim të parregullt si dhe një bashkëpunim shumë të mirë me FRONTEX, shifrat e larta të mësipërme deri diku amortizohen. Por problemi mbetet.

    E njëjta gjë ndodh edhe me azilin. Në tërësi, ai vazhdon të jetë në rritje dhe në një numër për t’u marrë në konsideratë e për të rritur përgjegjshmërinë e qeverisë dhe të vetë shoqërisë shqiptare. Në vitin, 2021 kërkuesit shqiptarë të azilit ishin 11.320 dhe në vitin më pas numri i tyre u rrit duke shkuar në 12.955. Pra edhe këtu trend negativ. Ajo që nuk ka ndryshuar në këtë aspekt dhe që ka rëndësi për vendet evropiane dhe për vetë treguesit e instrumentit të pezullimit të vizave është përqindja e kërkesave të pranuara në raport me ato të depozituara. Dhe kjo rezulton që në të dy vitet, shifra të mos ndryshojë, pra shkalla e pranimit të kërkesave të shqiptarëve për azil shkon në shifrat 9 për qind, ndërkohë që treguesi negativ është 2 për qind.

    Ky element i treguesve për pezullimin e vizave faktikisht përbën një thikë me dy presa. Nëse për Komisionin Evropian dhe vendet Shengen shifra prej 9 për qind përbën një tregues që flet për abuzim më të paktë të shqiptarëve për azil, për vetë vendin tonë duhet të mbetet si një alarm për standardet e sigurisë së qytetarëve brenda kufijve të tij. Pra, nëse në vitin 2021 qeveritë evropiane kanë pranuar të marrin përsipër sigurinë e 1018 shtetasve shqiptarë dhe në vitin 2022 atë të 1165 të tjerëve, sipas një logjike të thjeshtë tregon se situata në Shqipëri përkeqësohet dhe njerëzit kërkojnë mbrojtje gjetkë. Në këtë kontekst ky tregues i raportit nuk duhet analizuar vetëm në raport me Komisionin Evropian, por sidomos në raport me situatën e sigurisë në vend. Sa më shumë të fitojnë azilin, aq më pak siguri ka në vend. Treguesi tjetër, pjesë e rëndësishme e mekanizmit të pezullimit, këtë radhë tërësisht përgjegjësi e qeverisë, është njësimi i politikës së vizave që ndjek qeveria shqiptare me shtetas të vendeve të treta në raport me të njëjtën politikë të vendeve të Bashkimit Evropian.

    Me fjalë të tjera, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të kenë regjim, vizash i cili lehtëson hyrjen në territoret e tyre të qytetarëve nga vendet e treta, që përbëjnë rrezik tranzitimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe për të cilit ky i fundit ka regjim vizash. Një masë e tillë është e rëndësishme për sigurinë e tyre. Ndërkohë vendosja e kësaj mase shtrëngese në mekanizëm është tregues i faktit se qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë përfituar nga liberalizimi i vizave, por nuk janë treguar solidare me vendet e Bashkimit Evropian për të njësuar regjimin e vizave, duke ndarë me to përgjegjësinë e sigurisë. Njësimi i politikës së vizave me të tretë mundëson siguri më të madhe për BE-në. Në këtë drejtim, në krye të listës qëndron qeveria e Serbisë e cila në fillim të vitit 2022 lejonte të hynin pa viza në territorin e saj qytetarë nga 22 vende të botës, të cilët për të njëjtën gjë kanë nevojë për vizë për në vendet Shengen. Duke pasur këtë lirshmëri në këtë vend, këta shtetas e kanë më të lehtë të depërtojnë ilegalisht më pas në perëndim në kufi me Serbinë.

    Shqetësimi për këtë problem u bë i pranishëm para disa viteve dhe në saj të presionit të Komisionit Evropian, ky numër aktualisht ka zbritur në 16. Ndërsa një regjim të tillë vizash, Shqipëria aktualisht e ka me 16 vende. Këtyre të fundit u shtohen edhe 5 të tjera, të cilat përjashtohen nga vizat dhe hyjnë lirshëm në Shqipëri gjatë sezonit turistik, përfshi këtu edhe rezidentët me leje qëndrimi 10-vjeçare në Arabinë Saudite. Në vitin 2023 hyrja në Shqipëri pa viza në sezonin turistik u ul me 3 vende, krahasuar me një vit më parë. Në këtë kontekst nuk mund të lihet pa u përmendur edhe nisma e paradokohe e pasaportave të arta, e cila shkon tërësisht në drejtim të kundërt me treguesit e mekanizmit dhe që qeveria e vendit tonë nuk e adoptoi, pikërisht për shkak të presionit evropian. Tregues tjetër, ai i refuzimit të hyrjes së shtetasve shqiptarë në zonën Shengen, ka trend pozitiv. Pra, nëse në vitin 2021 iu refuzua hyrja 18.850 personave, në vitin 2022 ky numër ra në 15.350. I takon qeverisë që të ndajë procesin me seriozitet qoftë për detyrimet e saj, qoftë për të sensibilizuar njerëzit, qoftë për të rritur parametrat e sigurisë në vend, në mënyrë q kjo arritje të mos rrezikohet seriozisht. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Në Serbi rusët dhe kinezët i shohin si ‘më të afërm’ se sa BE-në dhe ShBA-në

    Lajmi i rradhës

    Pensionistët në Tetovë nuk heqin dorë nga protestat, kërkojnë rritje të pensioneve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë