BLENDI FEVZIU
Myzerim Zeneli duhet të ketë qenë i gëzuar dje, në ditën e tij të parë të punës. Punës që i siguronte jetesën për vete dhe një ndihmë për nënën në gjendje tejet të vështirë. E gëzuar duhet të ketë qenë edhe nëna e tij, që e rriti jetim dhe që besoi se tashmë djali do t’i dilte krah. Asnjë nga të dy s’mund ta dinte që kjo do të ishte jo vetëm dita e fundit e punës, por edhe e jetës e tij. Jetës kaq të re dhe fare të pafajshme. Ai nuk çoi dot as rrogën e parë në shtëpi, ndërsa në xhep iu gjetën vetëm 30 lekë. Nuk ndihmoi dot as nënën që sot po kërkon nëpër të afërm dhe komshinj lekët e arkivolit, me të cilin do ta çojë të birin në varr. Do ta çojë me pishmanin e çdo prindi që nuk i siguroi dot djalit thuajse asgjë në jetë.
Myzerim Zenelin s’e thërriste askush në emër, thoshte sot një lajm. I thërrisnin “Jetimi”, sipas një mendësie neveritëse të shoqërisë shqiptare. Por sot, me siguri, kushdo që e ka lexuar emrin e tij, do ta ketë shumë të vështirë ta harrojë.
Myzerimi ishte një nga mijëra e mijëra të rinjtë e Shqipërisë që aspironte një jetë normale. Ishte një prej atyre që punojnë nga mëngjesi në darkë, që sakrifikojnë, që japin gjithçka dhe paguhen aq pak. Ishte një prej të rinjve që me punën e tyre mbajnë mbi supe këtë vend. Që vuajnë padrejtësi dhe që s’dinë ku di denoncojnë ato.
Myzerimi pati vetëm një “mëkat” në jetë. Besoi se do çante me pune të ndershme dhe me përkushtim. Nuk u bë as trafikant; nuk futi një revole në brez të bëhej vrasës me pagesë; as kërcënoi njeri, as grabiti kënd. Thjesht punoi. Ose tentoi të punojë sepse jetën ia morën që ditën e parë të punës se tij.
Ai ra viktimë e mendësisë së ngulitur në këtë vend sot e 30 vjet, që prona merret me dhunë, që territori zihet me forcë, që gjithçka grabitet, ndërtohet pa leje, kthehet në pasuri dhe në fund legalizohet sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
Që gjithçka bëhet fakt i kryer dhe përpara faktit të kryer ligji dhe shteti nuk funksionojnë. Madje, për arsye elektorale, shteti është kthyer në një makinë legalizimi, që ndëshkon qytetarin e ndershëm, qytetarin model, qytetarin që respekton ligjin dhe shpërblen atë që ka vjedhur, ka thyer ligjin, ka ndërtuar pa leje, ose siç thuhet në jetën e përditshme, “Ka forcë”. Dhe në këtë botë të forcës, ligjin e bëjnë armët, ato armë që i morën jetën një 20-vjeçari, që askush s’e thërriste me emër, por që sot familja po e zbret poshtë në varr.
Kanë vrarë një të ri, kanë vrarë një qytetar të këtij vendi, kanë vrarë një njeri që respektonte ligjin. E kanë vrarë kot. E kanë vrarë sepse nuk zgjidhnin dot kush do vinte 4 shezlonge më shumë në plazh, po aq vend sa do marrin sot në varreza të katërt bashkë.
Myzerim Zenelin s’e njihte askush. Por ai mund të ishte secili nga ne. Mund të ishte secili që ulet në një kafe plazhi a qyteti me dëshirën të shijojë thjesht një ekspres. Myzerimi është akuza e gjallë ndaj kujtdo që mund ta ndalte këtë vrasje dhe s’e ndali dot. Është pasqyrë e asaj që mund të ndodhë edhe nesër, në një vend ku grabitësi quhet i zoti dhe ai që respektin ligjin dhe punon “i paaftë”. Zoti qoftë me ty Myzerim! Ti ishe pa dyshim më i zoti nga të gjithë ne, edhe pse plumbat ta prenë jetën dhe ëndrrën në mes…