Manipulimi, nga informimi te keqinformimi

    AGIM BAÇI

    Studiuesit e çështjeve të komunikimit, me në krye filozofin kanadez Marshall McLuhan, e konsiderojnë… manipulimin si një kalim nga dhuna në bindje. Por, për të funksionuar ky kalim nga dhuna në bindje, duhet më së pari që të kalohet nga informimi në keqinformim.
    Në një situatë të tillë, të botës së keqinformimit, manipuluesi krijon mundësitë për një opinion paralel nga ai i fakteve në botën reale, duke bërë që opinioni publik të mos jetë më i vetëm, e aq më pak i unifikuar. Garancia e këtij kalimi nis me vënien nën kontroll të mjeteve të informimit.

    “Aty ku ekziston monopoli i informacionit, i ideve, pak mundësi ka për mendime alternative”, shkruan McLuhan, duke theksuar se mungesa e alternativave e bën fuqinë e një individi mbi një individ tjetër apo mbi një grup, shumë vendimtare. (A nuk ishte në kufijtë e besueshmërisë kërcënimi i Kryeministrit Rama para zgjedhjeve se nuk do kishte as legalizime, as rindërtime e as vaksinime nëse fitonte kundërshtari i tij politik? A nuk kishte në çdo qytet e fshat njerëz që e besonin këtë propagandë, edhe pse Kryeministri përdor paratë e buxhetit të shtetit dhe jo paratë personale në këtë proces?). Ajo që ndodhi përpara zgjedhjeve ishte jo thjesht një propagandë për zgjedhjet e radhës, por rrugëtimi që ka nisur Rilindja për të kontrolluar “të vërtetat” e shoqërisë shqiptare.

    Pas nis të zbatohet një kontroll i tillë, publiku kthehet në pasiv dhe numri i atyre që pranojnë mendimet e sugjeruara vjen e zgjerohet në kurriz të atyre që Zoti u ka falur mundësinë të mendojnë vetë. Turma humb kështu çdo autonomi përballë institucioneve, përballë pushtetit, ndërkohë që përfaqësuesit e pushtetit depërtojnë në turmë për të zvogëluar çdo autonomi mendimi që vjen nga diskutimet e hapura. “Të gjitha sëmundjet e shoqërisë më së pari shfaqen si sëmundje të gjuhës”, shkruan sociologu Talcot Parsons në veprën e tij “Shoqëritë moderne”. Sipas tij, janë interesat që helmojnë gjuhën, ndaj dhe manipuluesi mundohet të zhveshë kuptimin historik të fjalëve, duke i zëvendësuar me shprehje emocionale. Një helmim i tillë i gjuhës na çon në botën oruelliane, i cili në romanin distopik “1984” shkruante: “Të thuash rrena me vetëdije dhe t’i besosh sinqerisht ato; të harrosh çdo fakt kur bëhet i pafavorshëm, dhe më pas, kur bëhet i nevojshëm, ta harrosh sërish – ta nxjerrësh nga harresa për aq kohë sa ke nevojë. Të mohosh ekzistencën e së vërtetës objektive dhe gjatë gjithë kohës të kesh parasysh faktin e mohuar. E gjithë kjo është domosdoshmëri. Dhe kështu deri në pafundësi: me faktin që rrena është gjithnjë një hap përpara së vërtetës”.

    Manipulimi kështu kthehet në një radioaktivitet shpirtëror, në krimin modern, sepse u jep njerëzve një realitet që nuk ekziston dhe i shtyn të mendojnë mbi atë realitet të sajuar. Nën shiun e simbolikave të prodhuara mbi gjysmë të vërteta krijohet, në dukje, një bindje pa dhimbje, që nxit nevojat e turmave, duke e bërë informimin edhe më të vështirë. Sepse, manipuluesi e zëvendëson çdo ditë e më shumë dijen me fuqinë, pra, duke u bazuar marrëdhënien njerëzore mbi frikën dhe adhurimin e fuqisë së pushtetit.

    Në këtë situatë, duket se hyn në skenë shkrimtari britanik Aldox Hyxley me parashikimin e tij distopik në librin “Më e bukura e botëve” ku shkruan: “Njerëzit qëndrojnë në radhët e gjata duke pritur racionin e tyre me tru dhe mend. Ata e marrin atë nga duart e pushtetit, njëri pas tjetrit, dhe të mbuluar me mirëqenie e të lumtur largohen nga radha. Askush nuk shtron pyetje, askush nuk rebelohet”.

    Në fakt, manipuluesit nuk përpiqen të ndryshojnë në rrethanat reale, por të ndryshojnë perceptimin tonë mbi këto rrethana. P.sh., politikanë të ndryshëm, nuk kanë më shqetësim korruptimin apo devijimin e vullnetit të tyre politik, por janë përpjekur të ndryshojnë perceptimin mbi këtë fenomen, duke e diskutuar hapur në publik si diçka normale. Manipulimi nis shkallë-shkallë të ndryshojë interpretimet, duke i bashkangjitur informacione plotësuese, me qëllim që interpretimi i mëvonshëm t’i shkojë për shtat. Shini p.sh. se çfarë ndodhi me z. Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2021- ai nuk kërkoi ndjesë lidhur me aktivitetin e patronazhistëve, por zgjodhi t’i falënderonte, duke e konsideruar punën e tyre si një “aktivitet vullnetar të arsyeshëm”. Pra, Rama u shtoi fakteve disa të dhëna që i shkonin për shtat interpretimit të tij, duke shfrytëzuar kështu edhe dëshirën e partive të tjera që të kishin një rrjet informimi. Votuesit në këtë rast ishin nën presionin e disa interpretimeve që kishin peshën e njeriut “në krye të qeverisë”. Në ndihmë të këtyre interpretimeve, Ramës i erdhi mungesa e çdo hetimi nga organet ligjzbatuese, duke e kthyer kështu në një normë survejimin e jetës së të tjerëve.

    Po përse politika, sidomos qeveritë e sotme, janë të interesuara për vdekjen e idealit? Sepse është e qartë se njeriu mund të veprojë kundër instinkteve natyrore dhe ndjenjave turbulluese vetëm nëse ka ideal dhe ideali e shtyn të veprojë me ndërgjegje, që është edhe masa e fundit që njeriu mund të vlerësojë veprimet përpara vetes dhe përpara Zotit. “Kur mungon qëllimi, a nuk mungon aty edhe vetë njerëzimi?”, pyeste Niçe në mënyrë ironike në librin e tij “Kështu foli Zarathustra”.

    Kështu, “diktatorët e rinj shpirtërorë” i zëvendësojnë urdhrat me “këshilla”., duke i ftuar njerëzit të veprojnë gjithnjë me instinkt, duke parë nga mbijetesa si artin e vetëm të jetës së sotme. Diktatura e tyre mbështetet më së shumti te bllokimi i çdo lëvizjeje që i nxjerr në pah gënjeshtrën, te çdo lëvizje që bën bashkë njerëzit të mendojnë, të arsyetojnë. Nuk duhet të ketë asnjë të vërtetë tjetër veç asaj që sugjerojnë ata. Turmat duhet të sundohen pa e ditur, por duke besuar se ajo që bëjnë është vullneti i tyre. Për manipuluesin, “Njeriu i revoltuar” i Kamysë, që gjen rrugë për të mos pranuar të padurueshmen, nuk duhet të funksionojë. Jeta dhe vdekja duhet të sugjerohen vetëm nga ata që formulojnë edhe pushtetin edhe romantikën./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Viktimat e pafajshme të dhunës për pronën

    Lajmi i rradhës

    Bërns: Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kushtet për të filluar negociatat me BE-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë