Shqipëria katërfishon PBB, Maqedonia rritje për 1.6 herë

    Maqedonia e Veriut ka rritur prodhimin e saj të brendshëm për 60 për qind në 30 vitet e kaluara, ndërsa më shumë shtete si Shqipëria, Polonia, Rumania, Turkmenistani, Gruzia, së paku kanë trefishuar këtë tregues ekonomik. Analiza e Institutit ekonomik “Fajnens Think” tregon se në vitin 1992 kemi pasur PBB me vlerë prej 10.278 dollarë për kokë banori, ndërsa sot ky tregues ka vlerën prej 16.444 dollarë për kokë banori. Gjithashtu analiza tregon edhe rënie e vlerës së të ardhurave mesatare nga 44 euro në vitin 1987 në 35.5 euro në vitin 2021 nëse si bazë krahasim merret 100 euro i pagës mesatare sllovene.

    LARG POLONISË, AFËR SHQIPËRISË

    Krahasimi i të dhënave tregon se, para 30 vitesh kemi pasur një zhvillim ekonomik apo nivel të përafërt të PBB si Polonia me 10.729 dollarë, apo Rumania me 10.957 dollarë, ndërsa pas tre dekadash kemi një dallim të madh. Polonia ka sot PBB prej 33.475 dollarë, ndërsa Rumania ka një PBB prej 30.676 dollarë, që paraqet një rritje për tre herë më shumë në raport me rritjen e PBB-së në Maqedoni për 30 vite për 1.6 herë. Shqipëria ka pasur në vitin 1990, PBB për kokë banori prej 3446 dollarë dhe megjithatë një pikënisje kaq të ulët ka arritur që 30 vite më vonë të rrisë PBB në 14.174 dollarë që është mjaft afër PBB –së Maqedonisë me 16.444 dollarë. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur PBB për 4.1 herë, Turkmenistani ka rritur PBB për 4.3 herë, dhe Gruzia ka rritur PBB për 3.4 herë.

    Nga “Fajnens Think” thonë se si bazë për analizë janë marrë vetëm ish shtetet socialiste me tregues të ngjashëm si Maqedonia e Veriut. Njëherësh , krahasimi është bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Me fjalë të tjera, të dhënat tregojnë se Maqedonia në 30 vite si shtet i pavarur nuk ka arritur të gjejë një model ekonomik të qëndrueshëm në aspekt afatgjatë që do të rrisë më shumë ekonominë dhe do të përmirësojë më shumë edhe mirëqenien e qytetarëve. Mungesa e një modeli të suksesshëm rezulton me ngecje ekonomike nga njëra anë në vendin tonë, dhe rritje ekonomike të shteteve të tjera . Nga ana tjetër, analiza e “Fajnens Think” thekson se Maqedonia në periudhën e kaluar është ndikuar negativisht në zhvillimin e saj ekonomik nga fillimi i tranzicionit, konflikti i brendshëm ushtarak, kriza globale financiare, kriza sovrane evropiane si dhe kriza e fundit e pandemisë, si tronditje të natyrës jo ekonomike dhe të natyrës së jashtme që kanë pamundësuar ekonominë të realizojë shkallë më të larta të rritjes ekonomike .

    BANKIERËT RRITJE PAGASH, ARSIMTARËT DHE PUNËTORËT ULJE

    Analiza e “Fajnens Think”, gjithashtu tregon se në 40 vitet e kaluara përfituesit më të mëdhenj në aspektin e rritjes së të ardhurave mesatare janë bankierët, ndërsa humbësit e mëdhenj janë të gjithë punëtorët e tjerë. Në vitin 1981, bujqit kanë fituar vetëm pesë për qind nën pagën mesatare në shtet, ndërsa 40 vite më vonë ato fitojnë 20 për qind më pak se mesatarja e shtetit. Bankierët para 40 vitesh kanë fituar për 26 për qind paga më të larta se mesatarja, ndërsa 40 vite më vonë ato fitojnë 60 për qind më shumë se mesatarja. Nga ana tjetër, arsimtarët në vitin 1981 kanë pasur paga për 11 për qind më të larta se mesatarja, ndërsa tani paga e tyre është për 2.6 për qind më e ulët se mesatarja. Rënie të të ardhurave shënojnë edhe punëtorët në fabrika që atëherë kanë fituar pagën mesatare , ndërsa tani të ardhurat e tyre janë për 13 për qind më të ulëta se paga mesatare në shtet. Janë interesante të theksohen edhe raportet e pagave në ish Jugosllavi para 30 vitesh dhe tani. Nëse si bazë merret 100 euro e pagës mesatare në Slloveni në vitin 1987 shtetet e tjera si Maqedonia shënojnë rënie prej 44 euro në vitin 1987 në 35.5 euro në vitin 2021. Kosova në bazë të këtij krahasimi shënon ulje prej 44.1 në 32.6 euro, Kroacia shënon rritje nga 68.9 në 73.8 euro, Mali i Zi shënon ulje nga 44 në 41 euro, Bosnje e Hercegovina shënon ulje nga 54 në 38 euro dhe Serbia shënon ulje nga 58 në 43.6 euro.

    ULET PAPUNËSIA

    Shkalla e papunësisë në hapësirën e ish Jugosllavisë në më shumë se 30 vitet e kaluara shënon diku rritje dhe diku ulje. Analiza më tej tregon se papunësia në shtet është nën nivelin e periudhës së para pavarësisë, mirëpo akoma është mbi nivelin e së ashtuquajturës shkallë natyrore të papunësisë. Në Maqedoninë e Veriut, shkalla e papunësisë në vitin 1988 ka qenë 21.7 për qind, ndërsa tani është 15.9 për qind. Në Kosovë është ulur nga 36.3 në 25.5 për qind, në Mal të zi shënon ulje nga 19.7 në 15.6 për qind .Ulje shënohet edhe në Bosnje e Hercegovinë nga 18.9 në 15.7 për qind dhe në Serbi nga 14.6 në 10.1 për qind. Në këtë periudhë më shumë se 40 vjeçare, papunësia është rritur në Slloveni nga 1.8 për qind në 7.3 për qind dhe në Kroaci nga 7.3 në 9.9 për qind. Ndryshe, pritet që për tërë rajonin një perspektivë më e qartë e anëtarësimit në Bashkimit Evropian të imponojë edhe reforma më thelbësore që do të përmirësojnë edhe standardin e qytetarëve.

    BE JEP 14.2 MILIARDË EURO PËR VENDET E ZGJERIMIT

    Bashkimi Evropian ka ndezur dritën jeshile për shtetet që janë në proces zgjerimi, përfshi edhe Ballkanin Perëndimor, duke akorduar 14.2 miliardë Euro si ndihmë financiare, e vlefshme për periudhën 2021-2027. Pjesë e përfitimit do të jetë edhe Shqipëria, krahas vendeve si Bosnjë-Hercegovina, Islanda, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia. Në një deklaratë të BE-së thuhet se shuma e akorduar do të shkojë për vijueshmërinë e reformave themelore, kryesisht ato të sundimit të ligjit, institucioneve demokratike, reformës në administratën publike, si dhe zhvillimin ekonomik./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Video e një zjarri në spital po përhapet me thirrjen “Lutuni për Tetovën”, por është nga viti i kaluar në Indi

    Lajmi i rradhës

    Djali e merr nënën e vdekur nga kovid-spitali i Tetovës pa raportuar mjekët, policia heton rastin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë