Shtohen thirrjet për konsensus për ndryshimet kushtetuese

    Qeveria dhe opozita në Maqedoninë e Veriut duhet të punojnë së bashku, të lënë mënjanë politikën dhe të punojnë për interesat e qytetarëve. Pranimi i Maqedonisë së Veriut në BE, ndër të tjera, do ta ndihmojë vendin të përballet më mirë me sfidat e brendshme, njëra prej të cilave është korrupsioni. Këtë e bëri të ditur ambasadorja amerikane, Angela Ageler, në konferencën “Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut në një epokë të trazirave gjeopolitike”, organizuar nga Qendra Presidenciale për Edukim Politik.

    “Udhëheqja e Maqedonisë së Veriut duhet të gjejë një mënyrë për të marrë drejtimin e duhur, edhe para se të hyjë zyrtarisht në BE. SHBA do t’ju mbështesë, ne do të vazhdojmë të investojmë tek ju, por nuk mund ta bëjmë këtë në vend tuajin. Për të ndërmarrë hapin tjetër, i cili do ta çojë vendin tuaj drejt një të ardhmeje më të ndritur, duhet të ketë vullnet politik. Në çdo vend, për disa vendime të rëndësishme është e nevojshme që qeveria dhe opozita të punojnë së bashku, të lënë mënjanë politikën dhe të bëjnë atë që është e mirë për qytetarët. Në thelb të vendimeve të vështira që duhen marrë, në thelb pse NATO, BE, marrëdhënia juaj me Shtetet e Bashkuara dhe pse reformat e brendshme janë në fakt qytetarët tuaj”, thotë Ageler. Anëtarësimi në BE, sipas saj, do të sigurojë që Maqedonia e Veriut të përballet më mirë me sfidat e brendshme, e njëra prej tyre është emigrimi i të rinjve. Anëtarësimi mund të ndihmojë në frenimin e kësaj prirjeje dhe do të sjellë gjithashtu mundësi ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe mundësi arsimore. “Do ta ruani gjuhën, do ta ruani kulturën, identitetin, është trashëgimia jote, është diçka thelbësore, që të bën atë që je si vend dhe njëkohësisht do të fitosh shumë. Bërja pjesë e një aleance të tillë ndihmon gjithashtu për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për t’i dhënë fund krizës gjyqësore, në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve”, shtoi Ageler.

    PO HUMBIM OKSIGJEN PA BE-në

    Thirrje që të mos politizohen ndryshimet kushtetuese, por të fillohet debati për to, ka bërë shefi i diplomacisë, Bujar Osmani. Në një konferencë për shtyp ai bëri thirrje për debate publike, propozime dhe sugjerime për ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se tashmë procesi është në një fazë ku mund të jepen ide dhe propozime, sepse Komisioni është konceptuar të jetë një organ gjithëpërfshirës në të cilin të gjithë mund të të përfshihen.

    “Pa Bashkimin Evropian, si shoqëri ne humbasim oksigjen. Nuk mund të bëjmë pa BE-në. Çfarë do të ndodhë nëse Unioni i tërheq të gjitha mjetet, paratë, projektet… apo nëse thotë se ky vend nuk do të bëhet kurrë anëtar i Unionit?”, thotë Osmani. I pyetur nëse ka mundësi që të ulemi sërish me opozitën për të diskutuar për ndryshimet në Kushtetutë, Osmani tha se mospranimi i këtyre ndryshimeve nga opozita nuk është i drejtë për qytetarët dhe është një përpjekje e opozitës për të fituar më shumë pikë politike. Prandaj do të kërkohen rrugë alternative, biseda me deputetë që konsiderohen se mund të japin mbështetje.

    SHPRESA VDES E FUNDIT

    “Ne do të punojmë deri në ditën e fundit për të arritur një konsensus me opozitën. Deri në sekondën e fundit. Megjithatë, nuk do të humbasim asnjë ditë për të punuar me deputetët, sepse padyshim nëse keni biseduar me ta do të shihni se shumica e tyre janë të vetëdijshëm për barrën që u është ngarkuar, për të qenë frenuesit e së ardhmes evropiane. Le të jenë ata që do t’i detyrojnë njerëzit të dalin jashtë vendit, le të jenë ata që e izolojnë vendin”, theksoi Osmani.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski sërish i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së që të qëndrojë në qëndrimin e shprehur pas takimit të lidershipit lidhur me ndryshimet kushtetuese, të punohet në nivel të grupeve punuese dhe të pajtohen për detajet, duke theksuar se me përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës, teza “një popull në dy shtete” është në dyshim.

    Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq thotë se duhet t’i jepet edhe pak ditë mundësia për dialog me opozitën para se Qeveria të dërgojë në Parlament ndryshimet kushtetuese. Afati i fundit për përfundimin e procedurës së plotë është në muajin nëntor. Amendamentet duhet të dërgohen në Parlament më së voni gjatë korrikut. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka përsëritur se është i gatshëm të bisedojë me Qeverinë nëse pranohet njëra nga dy zgjidhjet – ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar apo zgjedhjet në vjeshtë. Pranon heqjen e një qeverie teknike, vetëm për të pasur zgjedhje të shpejta. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Absolventët e UT-së sot hodhën kapelat

    Lajmi i rradhës

    Nuk ka çerdhe për fëmijët shqiptarë në Kumanovë!

    Lajme tjera

    TË RINJ PA PUNË!

    Turizmi, që këtë vit preku shifra rekord, zhvilloi ekonominë, por pavarësisht kësaj, shumë të rinj janë ende pa…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë