Shtrenjtime dhe strajca të zbrazëta!

    Pas skadimit të masës në fund të shkurtit për ngrirjen e më shumë prodhimeve ushqimore, qytetarët ankohen për shtrenjtime në dyqane dhe tregjet e gjelbërta, si dhe për fatura më të larta dhe strajca më të zbrazëta. Përkundër pohimeve të ekzekutivit se me miratimin e Ligjit për tregti jo të ndershme do të kufizohen marzhat në 10 për qind për 2500 prodhime dhe të do ndalohen manipulimet me çmimet, është e pritshme që efektet të vijnë tek pas gjashtë muajsh. Për më tepër edhe pas miratimit të ligjit që akoma pret dritë jeshile nga deputetët për praktikat jo të ndershme në tregti, rezultattet konkrete për konsumtaorët priten në vjeshtë. Rregullorja e re duhet të parandalojë manipulimin e çmimeve në zinxhirin e furnizimit dhe rishitjen e produkteve, pasi është konstatuar se shpeshherë ka pasur parregullsi, thuhet në tekstin e propozuar të ligjit.

    Nëse ligji miratohet, duhet të ketë kontroll dhe mbikëqyrje më efektive, për të cilën do të ngarkohet Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës. Por vetëm pas sigurimit të njerëzve dhe fondeve, për të cilat është caktuar një afat prej gjashtë muajsh nga data e miratimi të ligjit.

    Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pret që ligji të jetë në seancë plenare më 11 ose 13 mars, por sipas tij në periudhën deri në zbatimin e plotë të ligjit nuk do të ketë rritje enorme të çmimeve të produkteve. “Nga mbi 2500 produkte që do të përfshihen me ligj, 70 deri në 80 për qind janë produkte bujqësore dhe ushqimore që janë në tregun e vendit dhe nëse ka kërkesa do të zgjerohet lista. Kam biseduar me të gjithë prodhuesit dhe tregtarët vendas si me shumiçë ashtu edhe me pakicë. Nëse kjo periudhë abuzohet gjatë krijimit dhe publikimit të listës së plotë dhe ndërkohë që kontratat që furnizuesit kanë me tregtarët po ndryshohen për t’u dhënë atyre një afat për të rinegociuar disa gjëra që ata kanë përcaktuar në kontratat e tyre të furnizimit ta dini se në Ministrinë e Ekonomisë jemi të gatshëm që gjatë ditës të marrim vendime që nuk do të jenë në favor të grupeve të caktuara që mund të bëjnë keqpërdorime të tilla”, tha Bekteshi.

    Megjithatë, edhe pse ligji kaloi në komisionin parlamentar, opozita mendon se nuk do të ulë çmimet e produkteve bujqësore dhe ushqimore.

    “Ligji nuk vendos se cilat do të jenë çmimet përfundimtare në tregje. Ky ligj nuk rregullon as marzhin e tregtarëve dhe as çmimin përfundimtar. Po mendoja se cilat amendamente mund të përdorim për të përmirësuar tekstin e ligjit dhe më besoni, është e pamundur. Ligji duhet të rishkruhet tërësisht nëse duam të arrijmë ndonjë efekt”, tha deputeti nga VMRO-DPMNE, Zdravko Trajanov.

    Përfaqësuesit e biznesi kanë vërejtjet e tyre për këtë ligj. Trajan Angelovski nga Lidhja e Odave Ekonomike thotë se kanë kohë që apelojnë që ligji të miratohet shumë më herët, i cili do të ndihmonte në rregullimin e kushteve të caktuara të tregut. Ai thotë se qeveria tani është me vonesë në sjelljen e rregullores. “Për të njëjtin ligj po marr komente nga anëtarët tanë të caktuar se ka ende mekanizma brenda të cilët nuk janë të përcaktuar qartë. Andaj duhet të punohet në ligj që të jetë në nivel të lartë cilësor”, thotë Angelovski.

    Sindikatat kanë porositur tregtarët që të mos keqpërdorin ligjet, duke vendosur çmimet në korniza të asaj që mund ta qëndrojnë qytetarët. Kryetari i Konfederatës së Lirë, Blagoja Ralpovski, thotë se trendi i uljes së inflacionit është për shkak të masave, por edhe uljes së inflacionit në Bashkimin Evropian.

    “Nuk duhet të harrojmë se në dy vitet e fundit kemi pasur një rritje enorme të çmimeve, inflacioni ka qenë mbi 25 për qind dhe për nevojat ditore, mbi të gjitha për ushqim, mbi 50 për qind. Ju bëj thirrje të gjithëve, institucioneve, punëdhënësve, tregtarëve dhe prodhuesve të ushqimit, të cilët gjithmonë i harrojmë dhe mendoj se nga këtu vjen rritja e çmimeve, të kenë një sens sepse së bashku duhet të dalim nga këto turbulenca në pjesën e inflacionit dhe goditjeve të çmimeve që pësojnë qytetarët”, theksoi Ralpovski.

    Me miratimin e projektligjit pritet të arrihen efekte pozitive në veprimtarinë e biznesit të të gjithë operatorëve (blerës dhe furnitorë), të cilët janë aktivë në zinxhirin e furnizimit bujqësor dhe ushqimor në faza të ndryshme të prodhimit, përpunimit, tregtimit, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produkteve bujqësore dhe produkteve ushqimore dhe zbatimi i duhur i ndalimeve të praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore.

    Projektligji, siç thuhet në sqarim, i jep rrugë kontrolleve dhe mbikëqyrjes më efektive të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili merr kompetencë shtesë.

    Autoritetet presin t’i jepet fund konkurrencës së pandershme në tregti dhe se ky ligj do të sjellë uljen e çmimeve të produkteve ushqimore. Pritet që Ligji për parandalimin e tregtisë jokorrekte jo vetëm tu japë fund keqpërdorimeve të tregtarëve dhe furnitorëve në industrinë ushqimore, por edhe të lirojë këto çmime. Kufizimi i rabatit në 10 për qind, dhe jo si më parë, që arrinte në 30-40 për qind të fitimit neto, gjoba në shumën 20 mijë euro, dhe anulimi i manipulimit me çmimet. Këto janë ndër pikat kyçe të Ligji për “Parandalimin e Praktikës së Padrejtë në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore.

    Ky ligj rregullon rregullat dhe masat për parandalimin e imponimit të praktikave të padrejta tregtare që devijojnë nga sjellja e mirë tregtare dhe përcakton praktikat e padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, imponimi i të cilave shfrytëzon fuqinë e konsiderueshme negociuese të blerësit në raport ndaj furnitorëve të tij dhe arrihet koordinimi ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të këtij ligji. Ai do të zbatohet për shitjen e produkteve bujqësore dhe ushqimore, furnizuesi dhe blerësi i të cilave janë të vendosur në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ose në vende të treta. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Tetova pa banesa sociale!

    Lajmi i rradhës

    SPITALI PA MJEKË! | Dibra po mbetet pa kuadro mjekësor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë