SHTRENJTIME DRASTIKE: Shportat bosh të fundvitit, çmimet në stratosferë

    Temperaturat e ulta nuk janë arsyeja që frekuentimi i tregjeve dhe xhiroja ditore të jetë e ulët. Në ditët e fundit të vitit, si asnjë vit më parë kërkesat e konsumatorëve për të blerë artikuj ushqimore apo industrialë është jashtëzakonisht e vogël, madje edhe në tregun më të frekuentuar të Bit Pazarit. Rritja e çmimeve të mallrave të konsumit të përditshëm dhe pasiguria nga një valë e re rritjesh në fillim të vitit të ardhshëm i kanë detyruar njerëzit të jenë më praktikë në zgjedhjet e tyre, duke numëruar çdo qindarkë.

    “Zbukurimet dhe lodrat për fëmijë i blejnë shumë pak, ka rënë shumë shitja. Kemi mall të ri, ka shumë zgjedhje, por kot, më shumë sesa blejnë njerëzit ndalojnë për të pyetur”, thotë një shitës në tezgat e Bit Pazarit ku tregtohen artikuj festivë.

    Më shumë blerje ka në pjesën e fruta perimeve, klientët blejnë pavarësisht çmimeve të rritura, ndonëse në sasi më të vogla.

    “Njerëzit blejnë, nga halli, por jo si vitet e kaluara ku artikuj ai arra, lajthi, kikirikë shiteshin shumë. Festat e fundvitit po afrohen dhe kuptohet që do të blejnë, se tavolinat do mbushen, qoftë edhe me më pak”, thotë një tjetër shitës.

    Sipas statistikave zyrtare çmimet u rritën në tremujorin e fundit me 3,6 për qind. %, ndërsa në nivel vjetor kulminacionin e rritjes së çmimit e pësoi nafta, me 69,5 për qind, së bashku me produktet ushqimore, lëndët e para që arritën deri në 27,6 për qind. Indeksi i çmimeve të inputeve në bujqësi në nëntor të këtij viti krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar është rritur thuajse me 15 për qind, të plehrave kimike me 12,4 për qind, foragjereve me 9,2 për qind, gjë që solli edhe rritjen e pashmangshme të indeksit të çmimeve të artikujve bazë, si patatet, qepët… e të tjera.

    Një situatë e ngjashme me muajin e fundit të vitit u vërejt edhe në shtator dhe tetor, ku indeksi i shpenzimeve në muajin tetor u rrit me mbi 4 për qind, krahasuar me një vit më parë, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë u rrit me 6.1 për qind. Sipas të dhënave nga Enti shtetëror i statistikave, produkte si vaji u rritën me 25 për qind, perimet me 12 për qind, ndërsa karburantet me më shumë se 30 për qind.

    Prognoza e Bankës Popullore lidhur me inflacionin parashikoi që ai të arrijë në tre për qind deri në fund të këtij viti do të thellojë më shumë hendekun e varfërisë. Stabilizimi pritet të vijë vitet e ardhshme, ndërsa vitit 2021 është konsideruar si një nga më të vështirët. Sipas të dhënave nga zyra e statistikave evropiane, Eurostat inflacioni total arriti në 4.1 për qind, nivel më i larti që nga korriku i vitit 2008.

    Ekspertët kanë parashikuar se inflacioni total dhe ai bazë në Eurozonë, ka të ngjarë të rriten më tej gjatë dy muajve të fundit të këtij viti. Një situatë e tillë është e pritshme pas ndryshimeve që pësuan çmimet e gazit e që tregojnë se do të ketë një përshpejtim të mëtejshëm të inflacionit të energjisë dhe se norma bazë e inflacionit do të vazhdojë gjithashtu të rritet. Sipas Bankës Qendrore Evropiane viti i ardhshëm do të ketë një periudhë afatmesme ku inflacioni të mbetet nën objektivin prej 2 për qind. BQE parashikon një inflacion prej 2.2 për qind në vitin 2021, 1.7 për qind në vitin 2022 dhe 1.5 për qind në 2023. (koha.mk)

    Lajmi Paraprak

    Të gjithë ata që ia zgjatën jetën këtij regjimi, sot u pa se kanë kontribuar që të arrihet deri te falja e kriminelëve

    Lajmi i rradhës

    Avokati Davidoviq: Lirimi i Mijallkovit është ringjallje e vlerave europiane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë