Shumë lëndë, pak gjykatës në RMV!

    Pikërisht ditën kur u zbulua një pjesë e letrës që ambasadorja e SHBA-së i kishte dërguar institucioneve të pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor në të cilën ajo shprehte shqetësimin e saj dhe të SHBA-ve në lidhje me situatën e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, pikërisht gjatë asaj dite Gjykata e Apelit në Shkup publikoi njoftime për diskutimin e trajtimit të rasteve në dy seancat e mbajtura, përfshirë këtu edhe raste të profilit të lartë. Njoftimi i referohet një seance të mbajtur me gjykatës të Gjykatës së Apelit në Shkup.

    “Në seancë u konstatua se të gjitha rastet, veçanërisht ato me interes publik duhet të trajtohen në mënyrë efikase dhe të shpejtë në përputhje me ligjet dhe rregulloren e punës së Gjykatës, duke respektuar radhën në të cilën janë pranuar lëndët, në mënyrë që të sigurohet administrimi efektiv i drejtësisë, zbatimi i ligjit, si dhe njëkohësisht të shmanget rreziku nga vjetrimi i lëndëve të profilit të lartë”, thuhet në njoftim.

    Nga atje theksojnë se është perceptuar nevoja e përmirësimit të aktiviteteve dhe masave të caktuara, pra miratimi shtesë i procedurave të brendshme si pjesë integrale e atyre tashmë të miratuara në përputhje me ligjin për lëvizje dhe menaxhimin e lëndëve në gjykatë. Thelbi i problemit përveç nevojës për procedurë shtesë, qëndron edhe në numrin e pamjaftueshëm të gjykatësve. Apeli thekson se “zbatimi i përditësuar i çështjeve përfshirë edhe ato me interes të lartë publik, në masë të madhe varet nga plotësimi i numrit të gjykatësve”, duke treguar edhe situatën aktuale që është në këtë institucion.

    Për momentin Gjykata e Apelit në Shkup funksionon me 28 gjykatës nga 52 të planifikuar, dhe me vetëm 6 gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës. Ndonëse nuk thuhet kur është mbajtur, në një njoftim të dytë bëhet me dije se kryetarja e Gjykatës së Apelit në Shkup Meri Dika-Georgievska, me 25 prill ka mbajtur një takim pune me kryetarët e Gjykatave themelore që i përkasin rajonit të Apelit në Shkup si gjykata Civile dhe Penale, gjykata themelore, gjykatat në Veles, Kavadar, Negotinë, Kumanovë, Kriva Pallankë, takim ku shpejtësia e procedurës u vendos në korrelacion me numrin e gjykatësve.

    “Të gjithë kryetarët e pranishëm në këtë takim u pajtuan se azhurnimi i lëndëve në masë të madhe varet nga numri i gjykatësve dhe vendet e paplotësuara në shërbimin gjyqësor, e që është problem që po përballet secila gjykatë. Për tejkalim të këtyre problemeve, Këshilli Gjyqësor i RMV-së duhet të bëjë përpjekje për të plotësuar pozitat vakante gjyqësore, gjë që do të ndikojë në dhënien efikase të drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

    Mungesa e gjykatësve ishte e evidentuar edhe në raportin vjetor të punës së gjykatave në 2022, ku thuhej se në fillim të 2022 kishte 20 gjykatës më pak se në 2021, ndërsa në fund të kishte 68 gjykatës më pak.

    “Mesatarisht, në 2021 mund të merret një numër prej 493 gjykatës, ndërsa në 2022, 449 gjykatës, ose 44 gjykatës më pak”, thuhej në raport.

    Gjykatat në Maqedoni muajin janar të 2022 e filluan me 97.330 lëndë të pazgjidhura dhe pranuan edhe 602.682 lëndë të reja, ose gjithsej 700.020 lëndë, prej tyre kanë zgjidhur vetëm 590.897 ndërsa 109.123 mbetën të pazgjidhura, dhe më pas numrin e rritën në 11.785. Nga raportet statistikore për punën e gjykatave për vitin 2022 konstatohet edhe se numri i përgjithshëm i gjykatave të azhurnuara ka qenë 19 dhe të pa-azhurnuara 15, nga të cilat 2 ishin gjykata të Apelit dhe 13 gjykata themelore.

    Ndryshe, ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Angela Price Aggeler i ka dërguar letër me përmbajtje shqetësuese Gjykatës së Apelit mbi veprimet e kësaj të fundit në rastet e rëndësishme gjyqësore dhe kthimin e tyre në shkallë të parë. Letrën të cilën e ka siguruar Alsat nga burime brenda Qeverisë i referohet datës 11 prill dhe në të theksohet shqetësimi dhe zhgënjimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për veprimet e Apelit ndaj rasteve gjyqësore, posaçërisht rikthimin e tyre nga fillimi si praktikë e krijuar gjyqësore.

    “Çdo ditë e më shumë shqetësohem dhe zhgënjehem për numrin e madh të lëndëve (nga profilet e larta) që Gjykata e Apelit i ka kthyer në shkallën e parë për rigjykim. E kuptoj se mund të ketë disa arsye për përmbysjet (kthimin e lëndëve), por rritja e rasteve të rikthyera dhe drejtësia e vonuar në veprimet juridike duket se ka filluar të bëhet praktikë. Paaftësia e dukshme e gjykatave për t’i kaluar rastet në mënyrë të shpejtë përmes gjykimit, në Apel dhe kalimi i tyre para dhe mbrapa mes Apelit dhe Themelores po gërryen edhe më tej besimin edhe ashtu të ulët që opinioni ka tek gjykatat”, thuhet në letrën e Ambasadores Ageler drejtuar institucioneve gjyqësore dhe Qeverisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Autobusët në Shkup, pasqyrë e kulturës së udhëtarëve (Foto)

    Lajmi i rradhës

    Nëntë vendet më të ndotura të shtëpisë – Çfarë duhet të bëni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë