SKANDALI NË ONKOLOGJI | Prokurorët shkuan në Kosovë për prova

    Këto janë dosjet që aktualisht ka siguruar Prokuroria Publike për skandalin në Klinikën e Onkologjisë. Nga organi i akuzës thonë se janë në fazën e mbledhjes së dëshmive edhe nga shtetet fqinje ku dyshohet se pacientë nga Kosova dhe vendet e tjera për rreth janë kuruar me terapitë e marra nga Shkupi. Ekipi i prokurorëve të Prokurorisë Publike ka qenë gjatë javës në Prokurorinë e Kosovës dhe ka mbajtur një takim të drejtpërdrejtë për sigurimin e provave në lidhje me hetimet paraprake.

    Në ndërkohë, ekipi i prokurorëve nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, theksojnë zyrtarët. Ata zbulojnë se merren në pyetje pacientët dhe të afërmit e tyre, profesionistët mjekësorë dhe persona të tjerë që mund të kenë njohuri të caktuara.

    “Në këtë pjesë të procedurës nuk mund të publikojmë se çfarë dëshmi janë mbledhur, por ju theksojmë seriozitetin dhe urgjencën në të cilën kjo prokurori po ndjek provat. Gjatë javës tre prokurorët tanë janë takuar me prokurorë nga Kosova me qëllim që procedura mos të vonojë dhe të ndërmerren të gjitha veprimet, të cilat janë të nevojshme në pjesë të hetimit të këtij rasti…”, thonë nga Prokuroria Publike.

    Nga autoritetet e Kosovës, përmes pikave të kontaktit në Rrjetin Evropian të Drejtësisë, janë kërkuar të dhëna specifike të nevojshme për verifikimin e pretendimeve mbi bazën e të cilave ka filluar hetimi paraprak. Në të njëjtën kohë, prokurorët e Kosovës shprehën gatishmërinë për bashkëpunim dhe sigurimin e të dhënave të nevojshme. Në periudhën e ardhshme, në varësi të nevojave të hetimit paraprak për sigurimin e provave, një takim i ngjashëm do të organizohet edhe në prokurorinë e Republikës së Shqipërisë, njoftoi Prokuroria. Ndërkaq edhe Ministria e Shëndetësisë dorëzoi dosjet.

    “Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar në Prokurorinë Publike raportin nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar që i referohet punës së Klinikës së Onkologjisë”, deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

    Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik është duke u zhvilluar hetim financiar, si dhe ekspertizë e detajuar e funksionimit ekonomiko-financiar të Klinikës, e cila kryhet nga një ekip ekspertësh, auditorë të Entit Shtetëror të Revizionit dhe përfaqësues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, njoftuan nga Prokuroria Publike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    EMIGRIMI / Po zbrazen fshatrat e Pollogut

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Nuk do të më shihni në politikë, nëse qytetarët nuk do ta vlerësojnë punën time

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë