SKENA PA PARA!

    Me buxhete të limituara dhe vullnetin për të ngjitur në skenë shfaqje dinjitoze. Kaq mund të planifikojnë tre institucionet nacionale – teatrot shqiptarë në Shkup, Kumanovë dhe Gostivar, me buxhetin e miratuar për 2026 që as këtë vit nuk i përmbushi pritshmëritë. Nëse Teatri Shqiptar në Shkup nuk ka probleme me ambientet, Teatri i Tetovës dhe i Gostivarit ende nuk kanë godinat e tyre. Nga ana tjetër, buxheti (rreth 5.2 miliardë denarë) i këtij viti i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit është 500 milionë denarë më i madh sesa i vitit të kaluar, ndërsa projektet me interes nacional financohen me 1.7 miliardë denarë.

    “Që nga vjet, teatrot po i mbushin sallat e tyre, pritet me muaj për t’u blerë kartat edhe në 2026 pres salla plot, repertor spektakolar dhe shfaqje që do ta mahnitin publikun. MKT e konfirmon angazhimin e vet të palëkundur për jetë teatrore të gjallë, të larmishme që do të afirmojë talentet dhe një kulturë të aksesueshme për çdo qytetar. Teatri këtë vit është vend emocionesh, krijimi dhe shkëlqimi skenik, si për artistët, ashtu edhe për publikun”, deklaroi ministri Zoran Lutkov gjatë prezantimit të Programit Vjetor.

     TË PAKTËN DYFISH MË SHUMË

    Prej një viti, Ismet Ramadani, që drejton Teatrin Shqiptar në Shkup nuk ndan të njëjtin optimizëm. Sidomos për spektatorët dhe frekuentimin e teatrit që mbeten në shifra zhgënjyese. Mbështetja prej 6.7 milionë denarë për shfaqjet është e vogël, ndërsa organizimi i festivalit “Moisiu” me shumë pikëpyetje. Shumë larg nga shuma e kërkuar për këtë vit, Ramadani thotë se buxheti duhej të ishte të paktën 12 milionë denarë për një funksionim normal.

    “Është mbështetje e dobët me atë çka janë nevojat tona, nuk janë të mjaftueshme për të pasur cilësi… Megjithatë edhe gjatë vitit të kaluar kemi ngjitur në skenë shfaqje të suksesshme, ashtu do të bëjmë edhe në programin e këtij viti ku përveç premierave do të realizojmë edhe koproduksione, festivalin Moisiu, si edhe turne jashtë vendit”, thotë Ramadani.  Teatri pak ditë më parë ka filluar me realizimin e premierës së parë “Bisedë përmes hekurash” me autor Ismail Kadare dhe me regji Naser Shatrollit.

     ÇDO VIT PËRSËRITET E NJËJTA HISTORI

    Drejtori i Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi është i rezervuar në komente. I bezdisur nga përsëritja e situatave dhe ankesave çdo vit, më shumë sesa buxheti, problemi më i madh për institucionin e themeluar 19 vjet më parë është mungesa e godinës. “Nuk ka ndonjë ndryshim të madh buxheti me vitin e kaluar, e vetmja gjë pozitive është që me buxhetin e deleguar jemi të lirë që ta orientojmë për të realizuar ndonjë projekt tjetër”, thotë drejtori.

    Në Teatrin e Tetovës për këtë vit do të ngjiten në skenë “Magjistari i Ozit” ( regji nga K.Bektashi 1.7 milion denarë), “Shtëpi pa dritare” (autor dhe regji S. Gongo 1 milion denarë), një shfaqe në maqedonisht (800 mijë denarë), si edhe Festivali Ndërkombëtar i Teatrit (1 milion denarë).

     NËN MINIMUMIN E BUXHETEVE TË RAJONIT

    Drejtori i Teatrit të Gostivarit, Sulejman Rushiti, pohon se buxheti është i vogël, sidomos kur e analizon për secilin projekt. Këtë vit janë miratuar katër projekte “Life x 3” (autor Y. Reza, regjia E. Zimberi -750 mijë denarë), “I biri” (autor F. Zeller, regjia I. Bokshi -750 mijë denarë), “Mos fol me aktorët” (autor T.Dudzick, regjia K. Çipi-750 mijë denarë) dhe në maqedonisht (850 mijë denarë).

    “Ne jemi nën minimumin e buxheteve në rajon. Jemi në biseda me propozuesit e projekteve, regjisorët nga Kosova dhe Shqipëria, të shohim nëse pranojnë që me këto shuma t’i realizojnë veprat e tyre. Prandaj unë jam ithtar i idesë së ndarjes së buxhetit të teatrove me dotacion, të gjithë do kishim edhe pasqyrë më të mirë, por edhe planifikimi do bëhej më i lehtë”, thotë Rushiti.

    Sa i takon ambienteve, ndërtimi i një objekti të ri nuk është në planin e investimeve të MKT. “Kemi zëvendësuar dyshemetë e mykura, kemi bojatisur muret e atyre hapësirave që i shfrytëzojmë si zyra”, thotë drejtori. Modeli i buxheti i deleguar për institucionet nacionale nisi vitin e kaluar si një projekt pilot me 18 institucione, ndërsa këtë vit u zgjerua me 28 institucione të tjera. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    SHANSI I TRETË PËR FERMERËT! | Legalizimi i traktorëve deri në vitin 2028

    Lajmi i rradhës

    DHUNA NË FAMILJE | Një sistem që reagon vetëm pasi ndodhë tragjedia!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë