Skuterët elektrik | Policia kërkon më shumë kujdes

    Ditët e verës në masë të madhe kanë bërë që të rritet frekuentimi jo vetëm i automjeteve, por edhe i motoçiklistëve, çiklistëve dhe lloje të ndryshme të motorëve, sidomos të atyre me katër rrota. Jo rrallëherë si pjesëmarrës në komunikacion me këta lloje të motorëve hasen edhe persona të mitur, të cilët drejtojnë këta automjete pa asnjë leje përkatëse, pa mbrojtje në kokë dhe veshje adekuate. Madje, në vendbanimet rurale mund të vërehen edhe më shumë persona në një motor. Krahas kësaj kategorie, nga policia e Tetovës theksojnë se kohëve të fundit në dy qytetet e Pollogut, gjegjësisht në Tetovë dhe Gostivar, është rritur dukshëm numri i skuterëve elektrikë, të cilët drejtohen kryesisht nga të rinjtë.

    Kësisoj, duke patur parasysh frekuentimin e intensifikuar në trafik të këtyre trotineteve elektrike gjatë ditëve të fundit nëpër rrugët e Tetovës dhe Gostivarit, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka dalë me disa apele dhe këshilla dhe ju drejtohet shfrytëzuesve të skuterëve ose trotineteve. Sipas zëdhënësit të policisë së Tetovës, Fatmir Rexhepi, nëse drejtuesi i trotinetit elektrik qarkullon në zonë për këmbësorë, nuk duhet të lëvizë me shpejtësi më të madhe se 6 kilometra në orë.“Shfrytëzuesit duhet t’i drejtojnë ato në shtigje biçikletash ose korsi, dhe nëse nuk janë ndërtuar, në shtigje për këmbësorë, gjegjësisht zonë tjetër e destinuar për lëvizjen e këmbësorëve. Vozitësi i një skuteri elektrik apo trotineti në një shteg biçikletash ose korsi nuk duhet të lëvizë me një shpejtësi më të madhe se 25 kilometra në orë. Nëse shoferi i një skuteri elektrik lëviz në trotuar, shteg këmbësorësh ose zonë tjetër të destinuar për lëvizjen e këmbësorëve, shpejtësia nuk duhet të kalojë më shumë se 6 km në orë”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

    Problem në vete është mosha e atyre që vozisin këtë lloj të skuterëve. Zakonisht hasen fëmijë të moshës së vogël dhe rrezikojnë jetën e tyre por edhe të pjesëmarrësve tjerë qoftë në trafik qoftë në vende për këmbësorë. Nga policia e Tetovës theksojnë se këta trotinete mund t’i vozisin vetëm ata persona që kanë moshën 14 vjeçare e më lartë. “Skuteri elektrik mund të drejtohet vetëm nga një person që ka mbushur 14 vjeç dhe jo më i ri se aq. Vozitësi i një skuteri elektrik duhet të ketë një helmetë mbrojtëse në kokë, ai nuk duhet të transportojë persona të tjerë dhe në kushte të shikimit të zvogëluar ai është i detyruar të veshë një jelek reflektues me fosfor”, thekson zëdhënësi Rexhepi.

    Ai apelon deri te motoçiklistët të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos vozisin me shpejtësi të madhe, nën ndikim të alkoolit dhe pa leje adekuate. Sektori për Punë të Brendshme Tetovë përkujton se për mosrespektim të këtyre dispozitave ligjore, janë paraparë gjoba nga 50 deri në 120 euro për këtë kategori të pjesëmarrësve në trafik. Vozitësit më të shpeshtë të skuterëve elektrikë janë fëmijë të mitur, por mund të vërehen edhe motoçikleta me fuqi më të madhe motorike./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Kontesti RMV – Bullgari në ngërç

    Lajmi i rradhës

    Qyteti amerikan ku të gjithë banorët jetojnë në të njëjtën ndërtesë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë