Çfarë mund të bëni për të zhvilluar inteligjencën e fëmijës suaj?

    Ekziston një mendim i përgjithshëm se inteligjenca është një dhunti e lindur dhe se nuk mund të përmirësohet gjatë jetës. Ajo që i bën fëmijët më të zgjuar, mund t’ju surprizojë pamasë. Në kundërshtim me çfarë mendohet në popullatë, inteligjenca e fëmijëve nuk zhvillohet duke u bërë shumë pyetje apo duke u dhënë libra voluminozë për të lexuar. Ajo forcohet nga aktivitetet dhe gjërat që prindërit bëjnë apo u thonë fëmijëve të tyre. Disa hapa të thjeshtë për të forcuar inteligjencën e fëmijës suaj mund t’i lexoni më poshtë.

    1. Lërini të lexojnë për të përmirësuar inteligjencën verbale dhe linguistike.

    Inteligjenca linguistike është aftësia për të procesuar informacione duke përdorur fjalë. Krahasuar me procesimin e imazheve apo fjalimeve, të lexuarit është më sfidues, duke qenë se shumë pjesë të trurit bëjnë lidhje me njëra-tjetrën. Kur lexojmë, në detyrohemi të krijojmë dhe imagjinojmë ngjarje në mendjen tonë.

    Të lexuarit jo vetëm zhvillon aftësitë komunikuese, të nevojshme në shumë fusha të jetës së përditshme, por edhe e mban mendjen aktive. Të lexuarit herët për fëmijët, i ndihmon ata për të zhvilluar aftësi të mira konjitive. Në një studim të bërë nga profesorët Cunningham dhe Stanovich, u vu re se studentët me arritje më të larta dhe që lexonin më shumë, ishin ata që kishin nisur më herët me leximin. Kjo gjë kishte ndikuar në përmirësimin e fjalorit, njohurive të përgjithshme dhe aftësive komunikuese tek studentët. Të lexuarit i kishte bërë ata padyshim më inteligjentë. Ndaj, nëse keni një fëmijë të vogël, lexoni përditë me ta dhe shpjegojani fjalët që nuk arrijnë t’i kuptojnë. Mundohuni që ata të përmirësojnë sa më shumë fjalorin e tyre.

    1. Luani me blloqe për të zhvilluar inteligjencën e tyre hapësinore.

    Pazëllat, blloqet dhe lojërat e kujtesës janë lojërat, me të cilat duhet të rritet çdo fëmijë. Jepini fëmijës suaj kohë dhe hapësirë për të luajtur lojëra të tilla, sidomos kur janë në fillim të shkollimit të tyre (kopsht apo fillore).

    Kur ndërtojnë struktura të ndryshme, fëmijët zhvillojnë inteligjencë hapësinore, e cila ka të bëjë me aftësinë për të imagjinuar imazhe në mendje. Kur fëmija vendos mbi mënyrën se si t’i pozicionojë blloqet, sipër, poshtë, ose pingul, ata forcojnë inteligjencën hapësinore dhe zhvillojnë aftësi shumë të mira orientuese.

    Studimet kanë treguar se zhvillimi i aftësive të tilla shoqëron më vonë në jetë arritjet e larta në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Fëmijët e vegjël, të cilët janë shumë të mirë në këto lojëra, zhvillojnë edhe aftësi të mira në matematikë që në arsimin fillor.

    1. Bëni ushtrime matematike dhe aktivitet fizik me fëmijën tuaj për t’i zhvilluar inteligjencën fluide.

    Inteligjenca fluide është aftësia e të menduarit në mënyrë abstrakte, aftësia e të zgjidhurit të problemeve dhe zbulimit të marrëdhënieve midis gjërave pa përdorur njohuritë kryesore. A mund të mësohet? Sigurisht. Për fëmijët e vegjël mund të niset me shembuj të thjeshtë për t’i bërë të kuptojnë marrëdhëniet midis objekteve. Nëse doni t’i mësoni fëmijës suaj ndryshimin midis një rrethi dhe një trekëndëshi, tregojini shembuj konkretë nga shtëpia juaj. Bëjini t’i shohin dhe t’i prekin objektet për ta mësuar mirë diferencën mes tyre.

    Në vend që t’i mësoni psh. ta shkruajnë numrin “2”, tregojini shembuj me objekte realë duke përdorur kukulla apo blloqe. Për t’i bërë të kuptojnë konceptin e mbledhjes, psh“3 + 4”, vendosini në tavolinë fillimisht 3 arusha dhe pastaj shtoni ngadalë edhe 4 të tjerë.

    Veç kësaj, studimet kanë treguar se inteligjenca fluide forcohet edhe përmes aktivitetit fizik. Është parë se gjatë ushtrimeve fizike, çlirohen një sërë hormonesh, të cilat janë themelore për hipokampusin, një regjion në tru i lidhur me të mësuarin dhe kujtesën. Ndaj merreni fëmijën tuaj për të luajtur, për të bërë vrap, ose edhe për shëtitje.

    1. Besoni tek ta.

    Nëse fëmija juaj është i zgjuar apo shumë i zgjuar, kjo gjë nuk ka asnjë rëndësi, nëse nuk ia shprehni. Është realizuar një studim ku disa mësues të fillores u thonin vazhdimisht një grupi fëmijësh se ishin shumë të zgjuar, pa u bërë asnjë test, apo pa bërë asnjë ndryshim në klasë. Në fund të vitit shkollor u pa se fëmijët e stimuluar me fjalë të tilla, arritën rezultate më të larta se pjesa tjetër e klasës. Fjalët dhe bësimi që shfaqni tek fëmija juaj, ndikon padyshim shumë në jetën e tyre.

    1. Urojini për përpjekjet që bëjnë, edhe për ato më të voglat.

    Lëvdatat kanë shumë vlerë për fëmijët, sidomos kur janë të përqendruara tek procesi i të mësuarit, jo tek përfundimi. Kjo gjë është zbuluar në një studim të bërë nga Carol Dueck, një profesoreshë e “Universitetit të Stanford”, e cila doli në përfundimin se forcimi i inteligjencës arrihet më shumë, nëse urimet apo lëvdatat përqendrohen tek procesi i të mësuarit, se sa tek rezultatet. Ndaj, në vend që t’i uroni fëmijët me fjalët: “Ua, ke marrë notën më të lartë, bravo. Je shumë i/e zgjuar”, urojini ata me fjalët: “E vura re që bërë maksimumin për atë detyrë dhe i kushtove kohën e duhur. Më pëlqen që përdore metoda të ndryshme, derisa e zgjidhe problemin. Jam krenar/e që u mundove dhe nuk u dorëzove pa e zgjidhur”.

    Fëmijët kanë nevojë për dozën e duhur të stimulimit për të mësuar në mënyrën e duhur. Të mësuarit e vërtetë është aktiv dhe emocional. Si një prind, duhet të kuptosh se ke një ndikim shumë të madh tek të mësuarit e fëmijës tënd.

    Lajmi Paraprak

    “Data nuk është sfida e vetme, fillimi i negociatave mund të jetë fillimi i vuajtjeve”

    Lajmi i rradhës

    Kacarska: Lëvizjet në BE më shumë në drejtim të asaj që kërkon Bullgaria

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë