Spasovski: asnjë kriminel nuk mund të jetë më i fortë se shteti

    Asnjë kriminel nuk mund të jetë më i fortë se shteti. Shteti jemi të gjithë ne dhe kriminelët nuk mund të mbizotërojnë mbi shumicën dërrmuese të qytetarëve që janë të ndershëm, të përgjegjshëm dhe që duan një Maqedoni të sigurt, tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski pas aksionit të madh të djeshëm policor në rajonin e Ohrit-Strugës në të cilin 20 personat u arrestuan për shitje kokaine, hashash, marihuanë, armë dhe ushtrim dhune. Drogën e kanë blerë nga Shqipëria, anëtarët e grupit janë monitoruar për disa muaj nga organet e sigurisë dhe Prokuroria për Krimin e Organizuar.

    “Për atë luftë pa kriter dhe pa kompromis kundër drogës flet aksioni i djeshëm në Strugë, ku 23 kriminelë nga Struga, një nga Ohri dhe një shtetas shqiptar, u gjurmuan për një kohë të gjatë përmes një hetimi penal. Ata i janë dorëzuar prokurorisë kompetente dhe gjykatës. Shumica prej tyre janë ndaluar, tre persona janë në kërkim. Për disa prej tyre tashmë kemi të dhëna se ku janë dhe do të mbahen në paraburgim”, tha Spasovski sot në Manastir.

    Sipas MPB-së, gjatë arrestimit në kontrollet e kryera në 36 lokacione, janë konfiskuar armë, municione të kalibrave të ndryshëm, kokainë, marihuanë, para, motorë, celularë dhe sende të tjera. Departamenti për Luftën e Krimit të Organizuar ka paraqitur kallëzim penal në Agjencinë kundër Krimit të Organizuar për 23 persona.

    Spasovski tha se gjatë arrestimeve dhe masave operative në terren nuk ka pasur kundërshtim nga të arrestuarit.

    “Kundërshtrim nuk mund dhe nuk do të ketë. Njësitet speciale të MPB-së janë njësi elitare, shtylla kurrizore e shtetit dhe asnjëherë nuk do të lejojnë që askush të kërcënohet rendi dhe qetësia dhe siguria publike”, shtoi Spasovski.

    Sipas Ministrisë së Brendshme, nga janari deri në nëntor 2023, grupi shiste dhe hidhte në qarkullim kokainë, hashash dhe marihuanë në mënyrë të paligjshme dhe për këtë qëllim e blinin nga Shqipëria, e ruanin në shtëpi të sigurta, e transferonin dhe e shisnin me tre rrjete të zhvilluara edhe në objektet hotelierike në Torno.

    Kujtojmë se pas një procedure disa mujore para hetimore, dje nën koordinimin e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është kryer aksion policor në rajonin Ohër – Strugë. Me aksionin u shtyp një grup kriminal shumë anëtarësh, anëtarët e të cilit, me qëllim përfitimin e paligjshëm të përfitimit pasuror, merreshin për një kohë të gjatë në prokurimin dhe shitjen e paautorizuar të lëndëve narkotike dhe armëve.

    Në aksion u është hequr liria 19 personave, tre persona janë në dispozicion të organeve të rendit dhe një person ndodhet në mbajtje për tentativë vrasje në një tjetër ngjarje penale. Prokurori në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vlerësuar se ekzistojnë rrethana që arsyetojnë frikën nga rreziku i arratisjes, se do të fshehin, falsifikojnë apo asgjësojnë gjurmët e veprës penale dhe se duke ndikuar dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët do ta pengojnë hetimin, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup do të propozojë caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë personat e dyshuar, prej të cilëve për dy persona do të propozojë masën arrest shtëpiak.

    Lajmi Paraprak

    Fazliu: shqiptarët nuk përfitojnë asgjë nga kryeministri shqiptar!

    Lajmi i rradhës

    IPGj: do të paditen institucionet që nuk do ta respektojnë gjuhën shqipe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë