Në Gjermani jetojnë 161.044 shtetas të Maqedonisë, duke e renditur Maqedoninë në vendin e 22-të për nga numri i të huajve në ekonominë më të madhe europiane, përcjell Nistori.
Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror i të Huajve (AZR), më 30 nëntor 2025 në Gjermani jetonin gjithsej 14.077.867 shtetas të huaj, që përbëjnë rreth 16,8 për qind të popullsisë totale prej afërsisht 83,6 milionë banorësh.
Komuniteti më i madh i huaj vazhdon të jetë ai i shtetasve turq, me rreth 1,52 milionë banorë, sipas AZR-së. Menjëherë pas tyre vijnë shtetasit ukrainasë, me mbi 1,4 milionë persona të regjistruar. Për shkak të fluksit të vazhdueshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, ekziston mundësia që ata së shpejti të bëhen komuniteti më i madh i huaj në vend.
Për krahasim, sipas të dhënave zyrtare të Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë (Destatis), në fund të vitit 2020 në Gjermani jetonin rreth 135.000 shtetas ukrainasë.
Ndër komunitetet më të mëdha të huaja në Gjermani janë edhe shtetasit e Rumanisë, Polonisë, Bullgarisë dhe Kroacisë, ku Kroacia renditet në vendin e nëntë me 414.555 banorë, sipas të dhënave të AZR-së. Maqedonia, me pak më shumë se 161.000 qytetarë, pozicionohet në mesin e listës.
Të dhënat mbi numrin e përgjithshëm të personave me sfond migrimi janë edhe më të larta. Sipas mikroregjistrimit të vitit 2024, të publikuar nga Destatis, rreth 25,2 milionë persona, ose më shumë se 30 për qind e popullsisë në Gjermani, kanë sfond migrimi. Ky grup përfshin shtetas të huaj të natyralizuar, fëmijë të lindur në Gjermani nga prindër të huaj, si dhe të ashtuquajturit emigrantë të vonë nga Europa Lindore dhe ish-Bashkimi Sovjetik.
Sipas të njëjtave statistika të AZR-së, nga numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj, rreth 230.000 persona janë të detyruar të largohen nga vendi. Prej tyre, 190.360 kanë statusin “Duldung” (qëndrim i përkohshëm), ndërsa rreth 40.000 persona jetojnë pa status të rregulluar dhe janë të detyruar të largohen menjëherë nga Gjermania.
Numri më i madh i personave që janë të detyruar të largohen nga vendi vjen nga Turqia, me pothuajse 23.900 shtetas, të ndjekur nga Afganistani dhe Siria, me gjithsej mbi 22.100 persona, shumica prej të cilëve me qëndrim të përkohshëm.
Të dhënat janë publikuar nga Regjistri Qendror i të Huajve (AZR) dhe Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë (Destatis), ndërsa një pjesë e analizës është realizuar edhe nga javorja gjermane Focus. /Nistori/






