Debati publik në Parlament lidhur me draftin e Strategjisë për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna me Bazë Gjinore ndaj Grave dhe Dhuna në Familje 2026-2033 është kthyer në debat mes deputetëve. Në fillim të seancës së Komisionit për mundësi të barabarta, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile…, kërkesa e deputetes Ilire Dauti që të mos vazhdohej diskutimi deri në prezantimin e draftit edhe në gjuhën shqipe shkaktoi ilaritet në sallë dhe tentativë për të fituar poenë politikë, shkruan gazeta KOHA.
“Ju flisni për kalkulime politike që po bëj unë, por kjo seancë nuk mund të vazhdojë pa materialin në gjuhën shqip. Po flasim për barazi, nga këtu duhet të fillojë barazia, ndryshe s’ka kuptim. Si mund të flasim për një strategji kundër dhunës, në këtë rast me bazë gjinore, kur ne këtu kemi dhunë psikologjike”, tha ndër të tjera deputetja Dauti. Seanca ka vijuar, ndërsa kreu i Këshillit nacional për barazi gjinore, Savka Todorova, nuk i ka kursyer komentet.
“Po përdor një metaforë. Jam krenare që jam maqedonase”, u shpreh ajo duke iu referuar angazhimit të saj si aktiviste për të drejtat e grave.
Strategjia Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna me Bazë Gjinore ndaj Grave dhe Dhuna në Familje 2026-2033, është dokumenti i parë strategjik, i përgatitur në përputhje me nenin 13 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Pika fillestare për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare është analiza e kornizës ligjore ndërkombëtare kombëtare, rekomandimet dhe gjetjet nga vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Zbatimin e Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (2018-2023), rekomandimet e Grupit të Ekspertëve, Komitetit për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, dhe organeve të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Strategjia synon të ofrojë një sistem funksional, të harmonizuar dhe të qëndrueshëm për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, bazuar në të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Ajo krijon një qasje të integruar që lidh kompetenca, shërbime dhe sektorë të ndryshëm në një sistem të përbashkët për parandalim, mbrojtje dhe mbështetje, bazuar në parimin e kujdesit të duhur.
Fokus i veçantë i kushtohet krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm të koordinimit, trajnimit të vazhdueshëm dhe përmirësimit të aksesit në drejtësi dhe shërbime të specializuara, duke përfshirë edhe gratë që përballen me diskriminim të shumëfishtë dhe ndërsektorial. Strategjia është në përputhje me dokumentet kryesore kombëtare dhe prioritetet evropiane. Është pjesë e proceseve më të gjera për reformimin e gjyqësorit, promovimin e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale. Në të njëjtën kohë, ajo njeh dimensionin digjital të dhunës dhe domosdoshmërinë e një qasjeje ndërsektoriale dhe moderne të bazuar në nevojat e viktimës.
Dhe duke krijuar një kornizë të qartë institucionale, parashikueshmëri në planifikim dhe monitorim të rregullt të zbatimit, strategjia ofron një bazë të qëndrueshme për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes dhe përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra. Detyrimi për të përgatitur një Strategji Kombëtare rrjedh nga Neni 13 i Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, nen ky që parashikon miratimin e një strategjie kombëtare për një periudhë tetëvjeçare, me propozim të Qeverisë dhe miratim nga Parlamenti. /Koha/






