Një ditë pas protestës së madhe studentore të mbajtur të hënën në Shkup, ku mijëra studentë shqiptarë kërkuan respektimin e gjuhës shqipe dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, skena politike në Maqedoninë e Veriut po reagon në mënyrë të ndarë dhe shpeshherë të kundërt – nga përshëndetjet dhe falënderimet, deri te akuzat për instrumentalizim politik dhe destabilizim të shtetit. Protesta e dytë me radhë e organizuar nga studentët shqiptarë u mbajt të hënën, më 18 maj 2026, duke nisur në orën 16:30 nga Ura e Gurit në Shkup, me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”. Ndryshe nga protesta e parë e 6 prillit, e cila u përqendrua kryesisht te kërkesa që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, kjo e dyta zgjeroi kauzën në një kërkesë të përgjithshme për zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha institucionet shtetërore.
Ura e Gurit u mbulua nga flamuj kuq e zi dhe pankarta me mesazhe si “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Respekto Ligjin për Gjuhët” dhe “Përgjegjësi”. Në protestë morën pjesë edhe studentë nga Kosova dhe Shqipëria. Protesta nuk kaloi pa incidente. Studentët nga Tirana u ndaluan dhe u devijuan për në Kumanovë gjatë rrugës për në Shkup, ndërsa studentët nga Kosova u bllokuan në vendkalimin kufitar të Bllacës me arsyetimin se sistemi elektronik i kontrollit të pasaportave ishte bllokuar. Pas përfundimit të protestës, rreth orës 17:45, para Ministrisë së Drejtësisë u ndaluan tre persona, dy shqiptarë dhe një maqedonas, pas një zënke, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
BDI: PËRGJEGJËSI NGA ASTRIT ISENI
Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar përgjegjësi nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, të cilin e akuzon për maltretim skandaloz të studentëve nga Shqipëria. “Zëvendës ministri pa legjitimitet etnik në Ministrinë e Brendshme, Astrit Iseni, maltretoi studentët nga Shqipëria duke i endur rrugëve me shoqërim dhe izolim policor, vetëm e vetëm që të mos marrin pjesë në protestën studentore në Shkup. Mungesa e legjitimitetit kombëtar të bën shërbëtorë dhe Astrit Iseni shkëlqen në këtë rol”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia u ka kërkuar falje studentëve nga Shqipëria për këtë turp të, siç thonë, vazalëve si Astrit Iseni dhe VLEN, duke përshëndetur njëkohësisht mbarëvajtjen demokratike të protestës studentore dhe duke u solidarizuar plotësisht me kërkesat e tyre. “Zgjidhja është vetëm një, ndaloni diskriminimin, respektoni dhe zbatoni ligjin për gjuhën shqipe. Asgjë tjetër”, përfundon reagimi i BDI-së.
VLEN: AKUZA PËR ALI AHMETIN
VLEN, nga ana tjetër, ka reaguar duke i hedhur akuza të rënda BDI-së dhe liderit të saj, Ali Ahmeti. Sipas tyre, problemi me moszhvillimin e provimit në gjuhën shqipe ka ekzistuar prej vitesh, ndërsa përgjegjësia kryesore u takon ish-pushtetarëve të BDI-së. “Shqiptarët nuk janë naivë. Ata e shohin shumë qartë se pas kësaj zhurme nuk qëndron halli i studentit, por halli i pushtetit të humbur. Prandaj pyetja është tjetër. Pse Ali Ahmeti fshihet pas studentëve? Pse nuk u thotë shqiptarëve se këtë çështje nuk e zgjidhën kur kishte gjithë pushtetin në dorë?”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
VLEN-i e akuzon Ahmetin se “e gjuan gurin dhe e fsheh dorën”, duke shtuar se “e ndez zjarrin nga prapa, i shtyn tjerët përpara dhe pastaj mundohet të përfitojë politikisht”. Sipas partisë në pushtet, kjo temë nuk duhet të shndërrohet në përplasje mes institucioneve dhe studentëve”.
LD E PAVLE TRAJANOVIT: AKUZA PËR DESTABILIZIM
Ndërkohë partive maqedonase iu pengon protesta e studentëve shqiptarë. Lidhja Demokratike e udhëhequr nga Pavle Trajanov ka reaguar ashpër, duke akuzuar BDI-në se qëndron pas një tentative për të krijuar krizë politike dhe etnike në vend. “Është e qartë se pas këtyre aktiviteteve qëndron agjenda politike e BDI-së, e cila pas humbjes së pushtetit po përpiqet përmes retorikës nacionaliste, tensioneve etnike dhe krizave artificiale të shkaktojë destabilizim të shtetit”, thuhet në reagimin e partisë.
Veçanërisht shqetësuese për këtë parti është prezenca e qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria në protestë, të cilën e vlerësojnë si “ndikim të jashtëm të palejueshëm mbi çështjet e brendshme të shtetit”. Partia thekson se përdorimi i gjuhës shqipe duhet respektuar në përputhje me Kushtetutën, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe ligjet, por njëkohësisht “duhet ruajtur sistemi i vetëm dhe funksional gjyqësor”.
“E palejueshme është që drejtësia të bëhet fushë për konfrontime politike dhe etnike, ose për krijimin e sistemeve paralele që do të dëmtonin sigurinë juridike dhe unitetin e institucioneve”, qëndron në reagim. Lidhja Demokratike i ka bërë thirrje Qeverisë të mos i nënshtrohet presioneve dhe kërkesave radikale, duke propozuar respektim të plotë të të drejtave gjuhësore për të gjitha komunitetet, njohuri të detyrueshme të gjuhës maqedonase për bartësit e funksioneve gjyqësore, si dhe ruajtjen e karakterit unitar të shtetit.
ENDE PRITET ZGJIDHJE
Ndërkohë që reagimet politike vazhdojnë të polarizohen, kërkesa thelbësore e studentëve – mundësimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe zbatimi i plotë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve mbetet pa zgjidhje konkrete institucionale. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar disa herë se po punohet për zgjidhje ligjore, ndërsa së fundmi kishte edhe një takim mes tij me bashkëkryetarët e VLEN-it, për të shqyrtuar zgjidhjet e mundshme të këtij problemi. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë vazhdon të mbajë qëndrimin se gjuha maqedonase mbetet gjuha kryesore në procedurat juridike. /Koha/






