Studimi: Ndotja e ajrit shkakton dëme të rënda në organet seksuale

    Ndotja e ajrit shkakton dëme në të gjitha fazat e jetës, duke përfshirë uljen e numrit të spermës dhe dëmtimin e rritjes së fetusit, ka treguar një studim i ri.

    Një rishikim i provave kryesore mbi efektet e ndotjes së ajrit, i nxjerrë nga më shumë se 35,000 studime në 10 vitet e fundit, ka detajuar mënyrat se si ajo shkakton dëm nga paralindja deri në pleqëri.

    Studiuesit, nga Grupi i Kërkimeve Mjedisore në Imperial College në Londër, thanë se grimcat e imëta (PM2.5) dhe dioksidi i azotit (NO2) janë veçanërisht të dëmshme, të dyja vijnë nga shkarkimet e automjeteve.

    Madje edhe njerëzit që jetojnë në periferitë më pak të ndotura të Londrës janë ende të prekur, tregoi hulumtimi.

    “Ndërsa shifrat kryesore mbi ndikimin shëndetësor të ndotjes së ajrit fokusohen në numrin ekuivalent të vdekjeve të parakohshme, ndikimet më të gjera, fshihen në barrën e sëmundjeve kronike. Ndotja e ajrit dikon në cilësinë e jetës sonë dhe ka një kosto të madhe për shoqërinë përmes kostove shtesë shëndetësore dhe të kujdesit social, si dhe aftësisë sonë për të mësuar, punuar dhe kontribuar në shoqëri”, thuhet në studimin e publikuar së fundmi.

    -Gjatë shtatzënisë, ndotja e ajrit dëmton zhvillimin e fetusit dhe mund të shkaktojë peshë të ulët të lindjes dhe abort. Është treguar se shkakton një numër të ulët të spermës tek meshkujt.

    -Tek fëmijët mund të pengojë rritjen e mushkërive, të shkaktojë astmë dhe të ndikojë në presionin e gjakut, aftësitë njohëse dhe shëndetin mendor.

    -E bën vdekjen e hershme në moshë madhore më të mundshme përmes sëmundjeve të shumta kronike, kancerit dhe goditjeve në tru.

    “Gjetja e re më e rëndësishme, është prova që lidhet si me ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e trurit, duke përfshirë shëndetin mendor dhe demencën, ashtu edhe me ndikimet e hershme të jetës që mund të çojnë në ngarkesa shëndetësore në të ardhmen brenda popullatës. Politikat duhet të synojnë reduktimin e dëmit të akumuluar nga ndotja e ajrit dhe degradimi i shëndetit, përveç mbrojtjes së njerëzve që janë bërë të prekshëm ndaj përqendrimeve aktuale të ndotjes”, kanë shkruar autorët e këtij hulumtimi.

    Ky studim u kërkua nga Autoriteti i Londrës së Madhe dhe u mbështet kryesisht në gjetjet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Komiteti i Mbretërisë së Bashkuar për Efektet Mjekësore të Ndotjes së Ajrit, Kolegji Mbretëror i Mjekëve, Instituti i Efekteve Shëndetësore dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin. /TCh/

    Lajmi Paraprak

    Pse shkaktohen gurët në tëmth?

    Lajmi i rradhës

    Sier, shqiptarja e parë e lindur në Kinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë