Suksesesi në RMV vjen edhe nëpërmjet mësimit dual

    Stafi që del nga shkollat ​​profesionale është e ardhmja, e kërkon tregu i punës dhe mundëson sukses më të madh, tha ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri gjatë vizitës në Qendrën Rajonale për Arsim dhe Aftësim Profesional “Mosha Pijade” në Tetovë. Në pritje të regjistrimeve të ardhshme, ai u bëri thirrje semimaturantëve që të regjistrohen në shkollat profesionale.

    Despina Aleksoska, është nxënëse e shkollës “Mosha Pijade” në Tetovë. Ajo, krahas mësimit në shkollë, ndjek edhe praktikën në fabrikën “Kiel”, ku ka arritur aftësi për përdorimin e shumë makinave për përpunimin e metaleve. Despina tashmë e ka të sigurt vendin e saj të punës në të ardhmen në këtë fabrikë. Këtë, ajo e arriti pasi u inkuadrua në paralelen me mësim dual, ku nxënësve u mundësohet që përveç mësimit, të ndjekin edhe mësimin praktik në këtë fabrikë. “Përfitimet që i kam marrë kanë të bëjnë me atë se jam aftësuar se cilat janë funksionet e makinës për përpunimin e metaleve, prerje të metalit, këtu bëjnë pjesë edhe shpimi, strugimi dhe shumë punë tjera në këtë lëmi. Pas përfundimit të viti të katërt, e kam të garantuar edhe vendin e punës në këtë fabrikë”, thotë Aleksoska.

    Ndërkohë, falë punës së mentorëve që përcjellin pjesën praktike, nxënësit kanë arritur që atë që e kanë mësuar në shkollë në teori tash ta realizojnë në praktikë. “Kjo ka benefite si për kompaninë ku realizohet pjesa praktike e mësimit me punë, poashtu edhe për vet nxënësit. Interesat janë të dyanshme, sepse kompania do të ketë kuadër adekuat të gatshëm për punësim, kurse në anën tjetër – nxënësit e mirë mund edhe të regjistrohen edhe në fakultetin e makinerisë, por beneficionet janë edhe për nxënësit sepse marrin përvojën e tyre për profesionin e tyre”, thotë Zoran Boshkovski, profesor në “Mosha Pijade”.

    Fabrika “Kiel”, e cila prodhon ulëse për trena, ka hapur dyert për këta nxënës. Pas përfundimit të mësimit teorik dhe praktik, nxënësit mund të jenë punëtorë potencial në këtë fabrikë. “Pas përfundimit të shkollës, nxënësit janë të trajnuar dhe të aftësuar që të punojnë në këtë kompani dhe për këta nxënës nuk do të duhet të ketë testim si për punëtorët tjerë që pranohen në punë. Ata janë të gatshëm të punësohen. Nxënësit ndjekin mësimin sipas programit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa po ashtu në fabrikë atyre u mundësohet që të ndjekin nga afër edhe procesin e prodhimit”, tha Stefan Jovanovski, përfaqësues i fabrikës “Kiel”.

    Edhe nxënësi Qibir Nesimi pjesën teorike njëherë në javë e kryen në fabrikën “BFM”, kurse ditët tjera punon si vullnetar në fabrikën “Xeni Kom”. “Këtë vit kemi marrë informacione të mjaftueshme për sistemin e ngrohjes, ventilimit, klimatizimit etj. Këtu kam mësuar për termo, ujë-instalues, sistemet solare, për ngrohje… dhe jam i gatshëm të vazhdoj me punë në të ardhmen”, tha nxënësi Qibir Nesimi. Në fabrikën “BFM” në Tetovë, nxënësit marrin mësime se si funksionojnë pajisjet e sistemit të ujit dhe të ngrohjes qendrore. Më pas, këta nxënës angazhohen edhe në kompani private ku në praktikë mësojnë se si duhet të vendosen këta pajisje.

    “Në të kaluarën, të rinjtë janë edukuar vetëm duke parë drejtpërdrejt dhe duke marrë zanatin nga mjeshtri. Tani, përveç asaj që shkojnë nëpër kompani përkatëse për instalimin e ujit, dhe atje kanë një mentor që merret me këta nxënës. Ne i mësojmë se si funksionon një pajisje që përdoret te uji sanitar dhe përveç që do të jenë punëtorë profesional, do të jetë njerëz që do të marrin përgjegjësinë mbi funksionalitetin dhe sigurinë e sistemit të ujit dhe ngrohjes në një ambient apo ndërftesë. Pra, këta nxënës nuk do jenë vetëm punëtorë të thjeshtë, por mjeshtër të shkolluar”, thotë Bedri Behadini, profesor.

    Mësimi dual është e ardhmja për të gjithë ata që dëshirojnë që edhe të mësojnë, por edhe aftësohen në profesionin e tyre. “Po sigurisht, nuk do të thotë se krejt do të jenë bashkëpunëtorë, por ata që e dëshirojnë profesionin dhe ky profesioni jonë ka një të ardhme të mirë, të ardhurat janë të mira. Mendoj se disa prej tyre do të jenë bashkëpunëtorët tanë dhe mendoj se janë në drejtimin e duhur”, thotë Fejsal Mustafi, pronar i fabrikës “BFM” në Tetovë. Shkolla e mesme “Mosha Pijade”, në vitin shkollor 2020/21, ka nënshkruar marrëveshje me disa kompani për realizimin e pjesës së mësimit praktik në kuadër të programit të Ministrisë së Arsimit për mësimin dual. Pikërisht mësimi dual, ka bërë që kohëve të fundit të rritet dukshëm interesimi për regjistrimin e nxënësve në këtë shkollë. Krahas kësaj, së fundmi është rritur numri i nxënësve dhe paraleleve në shkollat profesionale që janë pjesë e mësimit dual. Me këtë është rritur edhe numri i fabrikave që bashkëpunojnë.

    Vitin e kaluar, gjithsej 32 kompani të Tetovës, janë përgjigjur pozitivisht për të qenë pjesë e mësimit dual, ku nxënësit krahas mësimit teorik – do të angazhohen edhe në procesin praktik nëpër këta kompani. /koha/

    Lajmi Paraprak

    MAQEDONIA PO PLAKET! Shifra jo të këndshme demografike

    Lajmi i rradhës

    Për qytetarët e RMV, dreka në restorante është luks!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë