Për qytetarët e RMV, dreka në restorante është luks!

    Zyra statistikore e Bashkimit Evropian, Eurostat, viteve të kaluara ka treguar që në Maqedoni një e treta e qytetarëve nuk mund të dalin për të drekuar jashtë, pra në restorant, as një herë në muaj. Sivjet, sipas statistikave të Entit Shtetëror të Statistikave, indeksi i çmimeve të shërbimeve ketering në prill të këtij viti, krahasuar me marsin e po të njëjtit vit, është rritur me 2.6 për qind. Sipas grupeve të shërbimeve, rritje është vërejtur te ushqimet me 3 për qind, pijet alkoolike me 1.6 për qind dhe pijet joalkoolike me 2.8 për qind.  “Me të ardhura mujore prej 23.000 denarësh, maksimumi dy herë në muajt i’a dal të drekoj në restorant”, thotë një qytetare nga Shkupi. “Rrogën e kam rreth 600 euro, xhepi m’a ka përballuar deri para pandemisë Kovid që disa herë në muajt të ha jashtë, por tani të them të drejtën e mendoj dy herë. Gjërat janë shtrenjtuar vitin e fundit”, tha një tjetër qytetar.

    Lidhur me këtë çështje ka folur edhe Naser Havzia nga Shoqata e Kulinarisë “Horeka”, i cili thotë se për një pjesë të popullatës shkuarja në restorant për drekë është luks. “Ka njerëz për të cilët dreka në restorant është luks. Ka varfëri, është e vërtetë, por nuk është në përmasa aq të mëdha sa thuhet. Drekën në restorant nuk mund ta përballojnë njerëzit me paga të ulëta, të papunët, ata që jetojnë me asistencë sociale”, tha Havzia.

    Pothuajse 452.000 qytetarë kanë jetuar nën kufirin e varfërisë në vitin 2020 në Maqedoni. Shkalla e njerëzve të varfër është 21.8 për qind. Më shumë se një dekadë më parë, shkalla e varfërisë ishte 30 për qind.

    Biljana Dukovska nga Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë, thotë se nuk është e habitur që për një të tretën e popullsisë, dreka një herë në muaj në restorant është luks, sepse kështu ka qenë prej kohësh.

    “Për të shpjeguar se cilët janë ata persona, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, për vitin 2020, pothuajse 452 mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut jetojnë në kufirin e varfërisë, që do të thotë se nuk mund të sigurojnë as kushtet elementare për jetesë. Kur kësaj shifre i shtohen personat që jetojnë në familje me intensitet të ulët pune dhe ata që përjetojnë privime të rënda materiale, atëherë flasim për një shifër më të madhe se një e treta e popullsisë që ka përvojë varfërie, jo vetëm në vitin 2020, por edhe në vitet mbrapa. Ky është grupi që nuk është asnjëherë pjesë e aktiviteteve shoqërore, dhe gjithashtu ka probleme me ngrohjen dhe ftohjen e mjaftueshme të shtëpisë, përballimin e shpenzimeve të papritura, rinovimin e shtëpisë etj. Po, për të gjithë, të shkuarit në restorant është luks, ashtu si kujdesi parandalues ​​shëndetësor, ushqimi cilësor dhe ngjarjet kulturore”, tha Dukovska.

    Sipas Eurostat-it, ndryshe nga banorët e Maqedonisë, ka shumë vende në Evropë ku vetëm pak për qind e popullsisë nuk mund të përballojë të dalë për drekë në një restorant një herë në muaj. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Suksesesi në RMV vjen edhe nëpërmjet mësimit dual

    Lajmi i rradhës

    Pesë të vdekur nga një shpërthim në një fabrikë municionesh në Turqi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë