Brenda një viti, vetëm një rast i sulmit ndaj një gazetari ka pas përfundim institucional, tregojnë të dhënat e shoqatave të gazetarëve. Gazetarët dhe punëtorët e medias në Maqedoni ende nuk janë barazuar ligjërisht me zyrtarët. A do të ndryshojë kjo?, shkruan REL.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kërkon që sulmet ndaj gazetarëve të trajtohen si sulm ndaj personit zyrtari, tha kryetari i SHGM Mëladen Çadikovski. Ai vë në pah se ekziston një version i tillë i ligjit dhe se ai më në fund duhet të miratohet.
“Shpresojmë që ligji të miratohet në periudhën tjetër”, tha Çadikovski në intervistë me Radio Evropa e Lirë, të cilën do ta transmetojmë të Dielën.
Sipas Çadikovskit, miratimi i ligjit nevojitet sepse, siç thotë ai, në këtë moment shteti nuk i zgjidh sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe rastet e tilla nuk përfundojnë me vendim institucional dhe gjyqësor.
“Vitin e kaluar, nga 16 raste, u zgjidh vetëm një, që me të vërtetë i inkurajon të gjithë ata dhunues dhe kërcënues të vazhdojnë, kryesisht përmes rrjeteve sociale, por ndonjëherë fizikisht, me kërcënime ose sulme ndaj gazetarëve”, tha Çadikovski.
Departamenti i shtetit: Drejtësia e vonuar dhe përmirësim i vogël i lirive të medias
Nevojën për miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal ashtu që gazetarët të marrin mbrojtje më të madhe, që nga viti 2017 e thekson Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të mediave (SPGPM).
SPGPM thekson se gazetarët dhe punonjësit e medias duhet të kenë mbrojtje të shtuar në kryerjen e detyrave profesionale, të ngjashme me zyrtarët gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Rekomandimet e sindikatës janë që në Kodin Penal të përfshihen vepra të reja penale, si “parandalimi i gazetarëve nga kryerja e detyrave të tyre profesionale” dhe “sulmi ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale”, gjegjësisht të plotësohen aktet penale ekzistuese “Vrasja e rëndë” dhe “Lëndim i rëndë trupor” që mund të ndihmojë në parandalimin e autorëve të mundshëm të sulmeve të tilla në të ardhmen.
“Mbrojtja e tillë do të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane dhe praktikën e Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut,” tha SPGPM.
Analiza e SPGPM thotë se është shqetësues numri i gazetarëve të vrarë ose sulmuar në nivel global, prandaj theksojmë se në nivel lokal ka numër të vogël hetimesh që përfundojnë me dënime për sulmuesit.
“E gjithë kjo krijon atmosferë frike dhe pasiguri në punën e kolegëve tanë. Ngjarjet e 27 prillit 2017 gjatë ndërhyrjes në Parlament janë prova më e mirë e pozitës dhe trajtimit të gazetarëve në Maqedoni. Ata ishin atëherë shënjestra e një sulmi pikërisht sepse ata janë gazetarë dhe u parandaluan të bënin punën e tyre”, thuhet në analizën e SPGPM.
Gazetaria e bllokuar në mbi 130 vende
Zaneta Trajkovska nga Instituti për Studime të Komunikimit beson se me miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal, gazetarët do të jenë më të sigurt.
“Sulmi ndaj personit zyrtar trajtohet ndryshe në Kodin Penal se sulmi ndaj gazetari i cili e kryen detyrën e tij. Gazetarët do të jenë padyshim më të sigurt. Sulmet ndaj gazetarëve janë më të zakonshmet kur ndiqen demonstrata, protesta ose tubime të caktuara”, tha Trajkovska.
Freedom House: Maqedonia po bën përparim, por është ende vend pjesërisht i lirë
Indeksi Botëror i lirisë së shtypit për vitin 2021 tregon se gazetaria është bllokuar plotësisht ose pjesërisht në 73% të 180 vendeve në të gjithë botën.
Maqedonia aktualisht renditet në vendin e 92-të në Listën Botërore të lirisë së medias. Kryetari i SHGM Çadikovski beson se mosveprimi ndaj sulmeve ndaj gazetarëve është vetëm një arsye për përparimin e dobët në renditjen e vendit, e cila është përmirësuar me dy vende krahasuar me vitin e kaluar. Ndër arsyet e tjera, sipas Çadikovskit, është këmbëngulja e lidhjes midis biznesit, politikës dhe medias dhe strukturës së skenës mediatike në vend me shumë media në një treg të vogël reklamash, i cili nuk i jep mediave liri të mjaftueshme në procesin e krijimit të lajmeve, tha ai.
Më 3 maj do të shënohet Dita Botërore e lirisë së shtypit si një kujtesë për qeveritë që të respektojnë lirinë e medias, por është gjithashtu një ditë për profesionistët e medias që të reflektojnë mbi çështjet e lirisë së medias dhe etikës profesionale. Dita Botërore e lirisë së shtypit duhet të theksojë mbështetjen e mediave për kufizimin ose heqjen e lirive të tyre, por edhe një ditë përkujtimi për gazetarët që humbën jetën duke punuar si gazetarë.