Salajdin Salihu
Në vitin 1897 një autor me pseudonimin Nishlija e botoi novelën “Bilbili shqiptar”, ku ngjarja ndodh në Nish, në kohën kur qyteti “nuk ishte kaurizuar”. (Nishlija, “Arnaut Bilbil”, Otaxhbina, Beograd, 1897, f. 169-181.)
Novela u botua në revistën që drejtohej nga famëkeqi Dr. Vladan Gjorgjeviqi, i njohur për qëndrimin racist ndaj shqiptarëve. Kjo novelë u botua edhe në gjermanisht, në “Pester Lloyd” (f. 179), me inicialet Dr. J.V., që është Dr. Jovan Veliçkoviqi, një jurist nga Mitrovica. Ai përktheu në gjuhën gjermane shumë krijime të autorëve serbë. Nuk e dimë nëse ishte vetëm përkthyesi ose edhe autori i kësaj novele, e cila në botimin gjerman shoqërohet me shënimin: “Një histori turke e një nishliu”. (“Strazhilovo”, 23.6.1888, f.400.)
Pasi Veliçkoviqi merrej me letërsi, mund të jetë autori i mundshëm i novelës. Mundet që autore e novelës të jetë Jelena Dimitrieviqi (1862 – 1945), e cila është quajtur “orientalistja e parë serbe”. Ajo ishte e martuar në Nish dhe botoi krijime letrare për fatin e femrave myslimane. Pasi e njihte turqishten ajo takohej shpesh me “turkeshat” e Nishit, Shkupit, Selanikut dhe Stambollit. Autorja bashkëpunoi edhe me revistën “Otaxhbina”, ku është botuar novela.
Narratori rrëfen në veten e parë dhe prej pozitës së një joserbi.
“Ju kaurët e thoni bukur: rini – çmenduri; por kjo nuk vlen vetëm për ju. Kështu jemi edhe ne. Kështu është bota mbarë”.
Ai rrëfen për një kohë të kaluar, kurse përmbajtja e veprës është si vijon: Nishi gjatë periudhës osmane qeverisej nga Mitadi, një “njeri i madh, por jo edhe turk i madh”, i cili e kishte parashikuar se perandoria do të kalonte “prej duarve të turqve në atë të kaurëve”.
Më pas përshkruhet atmosfera dhe jeta në qytetin e Nishit, kur ishte pjesë e Perandorisë Osmane.
“Atëherë jetohej ndryshe. Nuk do të flas për anën tjetër, tuajën, atë të krishterë. Në atë lagje edhe atëherë ishte si sot. Por këtej nga ne ishte krejt ndryshe”.
Në botën e “këtejshme” nuk dëgjohej më zëri i shqiptares së bukur, e quajtur prej të rinjve “arnaut – bulbul”.
“Emine – kështu quhej. Ishte e hollë si pjata, belhollë, me një fyt plot shkëlqim dhe të bardhë si Mali i Thatë kur mbulohej me borë, mbi të cilin shndriste hëna e plotë në një natë të kthjellët dimri”.
Këngëtarja e bukur, “me sytë e mëdhenj, që digjeshin si prushi”, ishte ndryshe prej grave tjera.
“Emineja nuk jetonte si gratë tona. Shoqërohej me njerëzit, ashtu sikurse gratë tuaja. Kështu mund ta shihte pamjen e vërtetë të botës së vështirë dhe ta vlerësonte atë”.
Kur ajo ishte 14 vjeçare, babai e kishte hipur mbi një gomar dhe duke i uruar fat i kishte thënë: “Kurdoherë që të mbetesh e vetme mund të kthehesh në shtëpi. Dhe atëherë do ta kesh më të lehtë ta gjesh një burrë. Bëju e zgjuar dhe beso në Zot, që të jesh e lumtur!”
“Kështu do Zoti”, kishte thënë Emineja, e cila nga Arnautllëku arriti në Nish. Aty e njohu një epror të ri, i cili “i kishte parë të gjitha mbretëritë e kaurëve”, madje flitej “se kishte lindur si kaur, por kjo kurrë nuk u vërtetua”.
Eprori dhe Mitadi ishin kthyer në Stamboll për shkak të problemeve me Padishahun. Që atëherë dy të dashuruarit më nuk u panë. Emineja vuante dhe njëkohësisht besonte se “kështu kishte dashur Zoti!”.
Asaj i trokiti fati në derë kur pasaniku Ejup i ofroi punë si këngëtare në kafenenë e tij. Këndonte ajo çdo natë për gjysmë mexhide. Pak ditë më pas Nishi fliste për të. Secili donte t’ia dëgjonte zërin si prej bilbili dhe t’i shijonte hiret e saj. Çmendeshin burrat, sajonin gënjeshtra, bënin premtime, e ngacmonin, i dërgonin dhurata dhe letra dashurie, por Emineja nuk mendonte për martesë. Ajo vetëm “dëshironte të jetonte e lirë, si gratë kaure”, pa i dhënë askujt llogari për mënyrën e saj jetësore.
“Çfarë është kjo vashë? E çmendur apo shumë e zgjuar?”
Në kafene vinte edhe indiferenti Hasa Uzunoviqi, i cili “kishte ikur në Stamboll sapo Nishi ra në duart tuaja”. Pikërisht ai e trazoi zemrën e shqiptares së bukur.
Djemve u ishte sosur durimi. Kërkonin me ngulm që këngëtarja të bënte zgjedhjen jetësore dhe t’i jepte fund makthit të përgjithshëm. Ajo kërkoi tre muaj për të marrë një vendim. Ndërkohë nuk ishte e dikurshmja. Zëri i saj ishte mekur. Shikimi i saj ishte i përhumbur. Ajo “këndonte një këngë të trishtuar shqiptare, që kurrë më parë s’e kishte kënduar”. Një këngë të dhimbshme. Një këngë që “të bënte për të qarë”.
Pas kalimit të afatit, kërkoi edhe tre muaj që ta merrte vendimin jetësor. Pretendentët sa nuk u çmendën.
“Për tre muaj do të vdesin të gjithë” – tha njëri.
“Nuk vdesin aq lehtë” – u përgjigj Emineja.
Djemtë ia kujtonin dhuratat e shtrenjta, që për Eminenë nuk kishin asnjë vlerë.
Pas ngulmimit të pretendentëve, Emineja vuri një kusht. Ishte muaji i Ramazanit. Ajo premtoi se do të martohej me atë që para iftarit do t’i provonte bakllavatë e saj.
Heshtje. Refuzim i kërkesës. Reagime.
“Është shejtani që dëshiron ta prishë fenë tonë”; “e paguajnë kaurët për të na sjellë ligësi”.
Emineja e dinte se shumë djem nuk agjëronin, por e fshihnin për shkak të mentalitetit provincial.
Të nesërmen Emineja, me bakllavanë përpara, e priste guximtarin.
“Nuk i do askush. Duhet t’i ha vetë. E vërteta është se askush nuk më dashuron” – thotë ajo.
Sakaq Hasa merr një bakllava, por Emineja nuk e lejon të bëjë mëkat. Ajo vetëm dëshiron ta dijë se cili është i gatshëm të sakrifikojë për dashurinë.
Burri i saj do të ishte Hasa. I gurëzuari Hasa.
“Emineja e dashuron! Emineja do të jetë e tij!”
Ajo sërish ishte e lumtur dhe kishte nisur jetë e re. Të rinjtë e Nishit ende silleshin rreth shtëpisë së saj. E dëgjonin zërin e bukur të bilbilit shqiptar, të cilin e mbartte era e Nishit.
Në këtë novelë shkruhet me dashamirësi për shqiptarët. Përshkruhen me delikatesë detaje nga jeta e shqiptarëve të Nishit “para se të kaurizohej”, ku banorët, ndonëse të ndarë në lagje të krishtera dhe myslimane, jetonin në paqe mes tyre.
Në Nish më nuk ka asnjë gjurmë shqiptare. /Portalb/