Taravari – VMRO-së: Çdo ambasadë e huaj kërkon të kalojnë ndryshimet kushtetuese

    Duke iu përgjigjur VMRO-DPMNE-së, kryetari i ASh-së, Arben Taravari, thotë se jo një, por çdo ambasadë e huaj dhe vendet fqinje kërkojnë të kalojnë ndryshimet kushtetuese.

    “Porosi prej çdo ambasade në Maqedoninë e Veriut ka qenë se duhet patjetër të mundoheni, të japim maksimumin që viti 2023 të jetë vit i ndryshimeve kushtetuese. Nëse nuk e kupton këtë VMRO-DPMNE-ja, unë nuk di si t’ua sqaroj këtë. Po edhe shtetet fqinje Kosova dhe Shqipëria, të cilat ia mendojnë të mirën Maqedonisë së Veriut dhe insistojnë me çdo kusht që Maqedonia e Veriut paralelisht t’i fillojë negociatat me BE-në, është që të bëjmë çmos si parti shqiptare që t’i përkrahim ndryshimet kushtetuese”, deklaron Arben Taravari, Kryetar i ASh-së.

    Ditë më parë VMRO-DPMNE e pyeti Taravarin të tregojë se cila ambasadë e huaj i kërkon ASh-së të bëhet pjesë e Qeverisë.

    Ndryshe, Taravari para marrjes së vendimit për t’iu bashkëngjitur ose jo ekzekutivit, të shtunën kur mbahet Kuvendi qendror i ASh-së, do të raportojë edhe për takimet dhe mesazhet që ka marrë nga vizitat zyrtare në Kosovë dhe Shqipëri.

    “Aty do të raportoj për takimet që i kam pasur me përfaqësuesit e shtetit dhe të opozitës në Kosovë, po edhe me përfaqësuesit në Shqipëri, konkretisht me Kryeministrin Rama dhe me përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar që janë në Maqedoninë e Veriut. Nesër e kam edhe një takim me ambasadoren e SHBA-ve dhe e bashkëbisedojmë me aktivin politik të partisë dhe e sjellim vendimin së bashku”, deklaron Arben Taravari, Kryetar i ASh-së.

    Lajmi Paraprak

    Oda Farmaceutike ngre alarmin: Rritet përdorimi i pa kontroll i antibiotikëve

    Lajmi i rradhës

    Gashi takohet me Aggeler: Kërkova nga ambasadorja mbështetje për amendamentin kushtetues për korrupsionin politik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë