Të Maqedonisë për punë në Shqipëri

    Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për lirinë e punësimit mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, një pjesë e theksuar e të rinjve dibran të cilët edhe viteve të kaluar gjatë sezonit veror punonin në bregdetin shqiptar, përshëndetën këtë draft meqë tani me këtë marrëveshje mundësohet punësim i rregullt i tyre. Deri tani siç thonë ata, punësimet kryesisht nëpër hotele dhe restorante kanë qenë pa ndonjë garancë dhe pa leje pune. Pritet që marrëveshja në fjalë për lirinë e punësimeve në tre shtete të “Ballkanit të Hapur”, dukshëm të rris numrin e qytetarëve nga Dibra që kryesisht do të punojnë në Shqipëri.

    Nga ana tjetër duhet theksuar edhe faktin se shumë shtetas shqiptar të cilët si punëtor në sferën e ndërtimit punonin në Dibër dhe rrethinë, këtë vit të vijnë dhe të punojnë duke marrë edhe leje pune në RMV.

    Marrëveshja pritet të dyfishoj numrin e të rinjve dibran të cilët gjatë sezonit veror do të punojnë në qytetet bregdetare të Shqipërisë edhe atë kryesisht Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin etj. Agron.M i cili ka 28 vjet, tre vitet e fundit ka punuar në një hotel si kamerier në Durrës.

    Ai për gazetën Koha thotë se përfitimet për tre muajt që ka punuar në Durrës vitin e kaluar kanë qenë shumë më të mira se sa si kamerier të kishte punuar në Dibër.

    “Për tre muaj gjatë vitit 2023 në Durrës në një hotel pronari më ka paguar 2800 euro. Plus kam patur pa pagesë fjetjen dhe ushqimin”, thotë Agroni dhe shton se së bashku me të ka patur edhe tre shokët e tij. Duke komentuar marrëveshjen mes tre shteteve ai potencon se tani do të punojmë me leje pune dhe në bisedën telefonike që patëm me pronarin do të kemi një rritje të pagesës mujore.

    Shoku i tij Astrit.V poashtu 28 vjeçar, thotë se kjo marrëveshje jep mundësi të gjëra që në bregdetin shqiptar të përfitojmë para por edhe të kalojmë sezonin veror. Edhe ai është shumë i kënaqur nga punësimi që ka patur vitin e kaluar. Bashkëbiseduesit tanë na informuan se në Dibër dukshëm është rritur interesi i të rinjve kryesisht i studentëve të angazhohen gjatë sezonit verorë në kapacitetet hotelerike në Shqipëri. Sipas tyre pritet që gjatë kësaj vere në qytetet turistike të Shqipërisë të punojnë mbi 100 të rinj. Ndriçim.T është student në fakultetin e ndërtimtarisë në Shkup. Ai thotë se pas marrëveshjes mes shteteve pjesëmarrës të “Ballkanit të Hapur”, këtë verë për herë të parë do të punojë në Vlorë.

    “Atje kemi disa miq tanë dhe kamë gjetur punë në një restorant në lokalitetin turistik ‘Uji i ftohët’. Besoj se do të kaloj mirë dhe do të siguroj mjetet financiare për studimet e mia”, tha ai.

    Pritet që kësaj vere të rritet edhe numri i punëtorëve nga Shqipëria në sferën e ndërtimtarisë që angazhohen me punë në Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë. Me vite punëtorë të krahut nga viset kufitare të Shqipërisë në Dibër dhe rajon kanë qenë të angazhuar në ndërtimtari blegtori dhe bujqësi. Esat.M. një shtetas shqiptar nga fshati Trebishtë thotë se në Dibër dhe Zhupë ka punuar pothuajse pesë vitet e fundit.

    “Jam punëtor në sferën e ndërtimit dhe mëse gjashtë muaj angazhohem në ndërtimet e ndryshme. Jam i kënaqur, meqë Dibra është afër kufirit dhe përfitimet janë të mira. Dy vëllezërit të tjerë punojnë në Gostivar dhe Tetovë. Tani me marrëveshjen dhe me leje pune do të jetë shumë më sigurt për të punuar, meqë shpesh herë kemi patur edhe problem rreth angazhimit tonë me punë në RMV”, thotë 45 vjeçari nga Shqipëria.

    Një pjesë e theksuar e shtetasve shqiptar në Dibër dhe rajon ka qenë e angazhuar edhe në sferën e blegtorisë kryesisht si përgatitës së djathit por edhe si barinj.

    Lajmi Paraprak

    Shenjat e xhelozisё te fёmijёt – Çfarë mund të bëjnë prindërit

    Lajmi i rradhës

    TENDERËT NË RMV / Vazhdon avazi i vjetër ku aplikon vetëm një kompani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë