Edhe përskaj asaj se KSHZ lejoi që listat e pavarura të marrin pjesë në zgjedhje pa mbledhjen e nënshkrimeve, një pjesë e nismave të pavarura do të vazhdojnë procedurat për themelimin e partive politike. Kandidatët e pavarur u bëjnë apel qytetarëve të japin nënshkrime dhe t’i ndihmojnë të formojnë parti politike, pasi, sipas tyre, aktualisht ky është i vetmi mekanizëm i sigurt që përfaqësuesit qytetarë të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të këtij tetori.
Këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit nga “Qytet i Gjelbër Human” thonë se sjellja e institucioneve po krijon pasiguri juridike, pasi për një kohë të gjatë nuk është definuar procedura për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur, ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e fundit e ka shfuqizuar Rregulloren për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturat e pavarura.
Nënshkrime për platformën e përbashkët politike “Të Pavarurit së Bashku” po mbledhin edhe tre shoqata qytetare që kanë pasur këshilltarë në këshilla komunalë: “Të Pavarurit për Karposh”, “Shansi për Qendër” dhe “Të Gjelbrit nga Gazi Baba”. Ata thonë se janë të vetëdijshëm që pasiguria mbetet, prandaj vazhdojnë mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e platformës politike.
Ndërkohë, KSHZ ka marrë vendim që kandidatëve të pavarur nuk do t’u duhen nënshkrime për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, deklaroi se një nga konkluzionet e miratuara në seancën e KSHZ-së ka qenë shfuqizimi i Udhëzimit të KSHZ-së për rregullimin e procedurës së mbledhjes së nënshkrimeve, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shfuqizuan nenet e Kodit Zgjedhor që rritën kuotat e nënshkrimeve të qytetarëve që duhej të mblidhnin kandidatët e pavarur për kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Nuk bëhet fjalë për vendim të KSHZ-së, por për zbatim të drejtpërdrejtë të ligjit. Udhëzimi shfuqizohet për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shfuqizuan nenet 61 dhe 62 të Kodit Zgjedhor për mbledhjen e nënshkrimeve, pra për përqindjen dhe numrin e nënshkrimeve të nevojshme për kandidimin e listave”, tha Kondarko.
Nga Qyteti i Gjelbër Human, megjithatë, janë të pakënaqur pasi mendojnë se në këtë mënyrë nuk ekziston një mundësi e rregulluar ligjërisht që t’u garantojë kandidatëve të pavarur të drejtën për të dalë në zgjedhje, prandaj mbeten tek opsioni për të formuar parti. Gorjan Jovanovski, këshilltar i QGJH-së në Qytetin e Shkupit, thotë se kandidatët e pavarur tashmë kanë pasur një takim me KSHZ-në një muaj më parë, kur Kondarko i kishte informuar se ata nuk kanë të drejtë ta interpretojnë ligjin dhe se do të presin interpretim autentik nga Parlamenti, ndryshe nga deklarata e fundit, kur edhe pse nuk ka interpretim autentik nga Parlamenti, ai pretendon se po veprojnë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“U bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të përfshihen edhe më me zell dhe të na ndihmojnë sa më shpejt të mbledhim minimum 1.000 nënshkrime për të themeluar parti. Aktualisht, vetëm partia si mekanizëm është mënyra e rregulluar ligjërisht për të dalë në zgjedhje, e cila vlen njësoj për të gjithë dhe nuk mund të hidhet poshtë apo të kontestohet nga asnjë institucion i shtetit”, thonë nga QGJH.
Ata shtojnë se në historinë e vendit nuk ka pasur parti të formuar nga vullnetarë shumëvjeçarë, gjë që sipas tyre është arsyeja kryesore pse partitë tradhtojnë besimin e qytetarëve sa herë që u jepet.
Edhe “Të Pavarurit së Bashku” paralajmërojnë se nuk do të jenë parti si të tjerat, por një platformë bashkëpunimi dhe dëgjimi të zërit të qytetarëve, për zgjidhje që vijnë nga propozimet e tyre, pasi qytetarët e dinë më së miri cilat janë problemet dhe sfidat në komunat ku jetojnë, prandaj ndryshimi duhet të vijë gjithmonë prej tyre.
“Aktualisht pasiguria mbetet; nëse në Kuvend miratohen ndryshimet e propozuara jokushtetuese, KSHZ-ja do të detyrohet t’i zbatojë. Kjo do të thotë që mund të ndryshojë ajo që u tha këto ditë. Duke ditur gjithçka që kemi përjetuar deri tani, ne jemi të përgatitur që të ketë skenarë nga më të ndryshmit. Për këtë arsye, për momentin po i shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe vazhdojmë mbledhjen e nënshkrimeve”, theksojnë nga “Të Pavarurit së Bashku”.
Mbështetja për kandidatët e pavarur mund të bëhet duke plotësuar një deklaratë te noteri, së bashku me një vërtetim shtetësie jo më të vjetër se gjashtë muaj, i cili mund të merret edhe online. Meqenëse po formohen dy opsione politike, çdo qytetar do të duhet të vendosë për cilën do ta japë nënshkrimin. /Koha/






