Të premten pritet të mbyllet spitali modular në Gostivar

    Spitali modular në Gostivar do të mbyllet deri në fund të kësaj jave. Drejtori i Spitalit Klinik – Gostivar Jakup Jakupi në një bisedë telefonike për Alsat, tha se spitali mbyllet për shkak të zvogëlimit të numrit të pacientëve, por edhe për t’i lënë rrugë hetuesve të cilët njoftuan se do të kryejnë kontrolle sigurie në spital. Pas tragjedisë në Tetovë, Jakupi thotë se kontrollet e sigurisë bëhen çdo ditë, si për energjinë elektrike ashtu edhe për të gjitha instalimet në të.

    Në repartin infektiv në Gostivar ka më pak pacientë të shtrirë dhe kontrolle në ambulantë.

    “Në repartin infektiv sot në mëngjes kishte 18 pacientë, prej të cilëve katër janë lëshuar, do të thotë 14 pacientë, prej të cilëve shtatë në terapi oksigjeni. Dy janë në gjendje më të rëndë të përgjithshme. Në spitalin modular kemi vetëm tre pacientë, nuk janë në mbështetje oksigjeni dhe vlerësojmë që deri të premten të lëshohen dhe spitali modular përkohësisht të mbyllet”- deklaroi Ratko Naumovski- reparti infektiv i spitalit të Gostivarit.

    Dhe derisa disa po mbyllen, spitalet e planifikuara modulare që janë në vijim të ndërtimit, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se zhvillohen me dinamikën e planifikuar. Thonë se në vijim është konsultimi profesional për çështjet ndërtimore.

    Ministria e Shëndetësisë

    “Konsultimet dhe mbikëqyrjet e ekspertëve janë duke u zhvilluar, po bëhet analizë në lidhje me punimet e kryera ndërtimore dhe ndërtimore-zejtare me mbikëqyrjen e ekspertëve, të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë. Pas mbikëqyrjes së ekspertëve, dhe në lidhje me aktivitetet në terren, punohet në sigurimin shtesë të lidhjeve të infrastrukturës dhe respektimin e afateve kohore që lidhen me procesin e ndërtimit. Dëshirojmë të theksojmë se afati i realizimit është 60 ditë, respektivisht dy muaj.

    Prokuroria e Tetovës, nga ana tjetër, e cila po e heton shkakun e zjarrit në spitalin modular, mori dokumentet nga Ministria e Shëndetësisë për ndërtimin e objektit modular. Por, prokuroria ende nuk ka përgjigje për pyetjen kryesore se nga çka shpërtheu zjarri ku e humbën jetën 14 persona.

    Paralelisht u shty edhe hetimi i Prokurorisë për krim dhe korrupsion për ndërtimin e gjitha 19 spitaleve modulare. Shefja e kësaj prokurorie, Vilma Ruskoska ende nuk ka marrë asnjë dokument nga Byroja e prokurimeve publike dhe nga Ministria e punës dhe politikës sociale edhe pse deri tani duhej të ishin analizuar. Ato dokumente duhet të tregojnë nëse ka pasur parregullsi në përzgjedhjen e kompanisë që ka ndërtuar si dhe kush ka lejuar spitalet modulare të fillojnë me punë dhe në to të hospitalizohen pacientë. Pyetëm edhe në Ministrinë e punës dhe politikës sociale e cila miratoi pranim teknik, por deri tani nuk kemi përgjigje./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ku mund të udhëtojnë ata që janë imunizuar me vaksinë kineze?

    Lajmi i rradhës

    Infrastruktura hekurudhore në RMV nuk përmbush standardet e vendeve në rajon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë