Të qenurit grua e shpëtoi nga dajaku, por jo edhe nga dëmtimi i veturës, rrëfen Elmedina Abdulahi

    “Skam çfarë të të bëj ty se je grua, po të kishe qen burrë ndryshe kisha vepruar e kjo punë ishte kryer moti!”, “Shko bëj ndonjë dreke dhe shiko fëmijët në shtëpi se nuk të ka mbet ty të drejtosh botën”, “Ti s’ke arritur të mbash familje, e do ndryshosh shoqërinë”, kërcënime, ofendime, të cilat rezultuan edhe me thyerjen e veturës së saj personale.

    Këto janë vetëm disa nga përjetimet e aktivistet Elmedina Abdulahit gjatë angazhimit të saj si aktiviste për kauza të ndryshme.

    POR, ELMEDINA NUK U DORËZUA!

    Për Mollëkuqja.mk, ajo flet për këto sfida me të cilat është përballur vetëm për faktin që është grua. Në kohën kur Tetova përballej me shumë probleme, me mungesë kushtit themelor për jetesë – ajrit të pastër, për një pjesë të shoqërisë më e “dëmshme” ishte gjinia e Elmedinës, se sa ajri i ndotur dhe kancerogjen.

    Elmedina kryesisht avokon për çështje që kanë të bëjnë me ambientin, transparencë dhe jo rrallë herë e kemi parë duke kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët për punët e (pa) kryera të tyre. Sipas saj, të merresh me këto fusha në Maqedoninë e Veriut është e vështirë – por, ende më e vështirë është nëse je grua.

    Në vend të motivimit që të vazhdojë luftën për ajër të pastër, komentuesit shpesh herë i sugjëronin asaj të shkojë në shtëpi dhe “të ju përgatisë drekë fëmijëve”.

    “Këtë e kam përjetuar në lëkurën time me shumë stres disa herë ose më mirë thënë, në fillim të çdo nisme të re. Ofendimi më i madh për mua, jo si aktiviste po si një nënë, kanë qenë fjalët dekurajuese të stilit: “Shko bëj ndonjë dreke dhe shiko fëmijët në shtëpi se nuk të ka mbet ty të drejtosh dynjanë”  ose koment i llojit, “Ti sën ke mbajt familje do ndryshosh shoqërinë” dhe shumë shumë të tjera të llojit të njëjtë”, shprehet Elmedina Abdulahi

    Që e gjithë kjo të kulmojë, Elmedinës i thyen veturën. Elmedina thotë se për burrat në shoqërinë tonë është e pakapshme kur një grua ju kundërpërgjigjet në mënyrën e njëjtë, andaj ata nuk kursehen dhe në këto momente përdorin çdo armë të mundshme, që patriarkati fatkeqësisht të dominojë.

    “Bëheshe fjalë për hapësira publike të uzurpuara nga një person; burrë që ndjehej i plotfuqishëm për të bërë gjithçka që dëshironte vetëm se kishte lidhje të afërta me pushtetarë. Po ja që ai rastisi në një grua që ndoshta nuk ishte fizikisht me e fortë se ai po që nuk kishte të ndalur me reagimet e saja, kështu vijuan debate të shumta bile edhe zënkat të herë pas hershme që u përcollën me kërcënime të rënda, ofendime, që më në fund të përfundojnë me thyerjen e veturës sime personale”, deklaron Elmedina Abdulahi.

    Në këtë situatë ajo nënvizon se në këtë ngjarje kishte dëshmitarë burra dhe asnjëri nga to, për veç që nuk morën guximin të luftojnë për të liruar hapësirën publike të uzurpuar, por edhe nuk kishin guxim të dëshmojnë se i  ishte bërë asaj dëm material. Dhe e dyta, shprehja e uzurpuesit: “Skam ç’të bëj ty se je grua se po të kishte qen burrë ndryshe kisha vepruar e kjo punë ishte kryer moti!

    Këto situata, edhe pse jo të këndshme për të, asnjëherë nuk e vendosën në dyshim vullnetin e saj për të sjellë ndryshime në shoqëri përmes aktivizmit.

    Është e rëndësishme që ne të gjithë të kuptojmë se ndërgjegjësimi dhe pranimi i ndryshimit pozitiv nuk do të vijë pa sfida dhe përballje, por është e nevojshme për të përparuar drejt një shoqërie më të barabartë dhe të drejtë”, thekson Abdulahi.

    Në fund, ajo theksoi se pavarësisht sfidave të mëdha, gratë tregojnë rezistencë të jashtëzakonshme dhe guxim për të përballuar me këto pengesa. Ajo porositi se është shumë e rëndësishme të përkrahim dhe të inkurajojmë pjesëmarrjen e grave në çdo sferë të jetës, pasi vetëm, duke e respektuar barazinë dhe luftuar diskriminimin gjinorë, mund të krijojmë një shoqëri të drejtë dhe të zhvilluar.

    Nevojitet një ndërgjegjësim i përgjithshëm për të shembur stereotipat dhe paragjykimet gjinore që mbizotërojnë në shoqëritë tona. Kjo kërkon investime në edukim dhe sensibilizim, duke promovuar vlerat e barazisë gjinore dhe të drejtësisë sociale”, përfundoi Abdulahi.

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti në territorin e Mexhitit: Të qëndrojmë bashkë

    Lajmi i rradhës

    Dimitrievski i Kumanovës i ikë përgjegjësisë për punësimin e katër maqedonasve të paraqitur si shqiptarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë