Të rinjtë e Ballkanit gjithnjë e më të varfër!

    Të dhënat e Qendrës Statistikore Evropiane “EUROSTAT” tregojnë se gjatë vitit 2021 në shtetet e BE-së shkalla e privimit të rëndë material dhe social tek të rinjtë ku përfshihen persona nga mosha 15-29 vjeç ishte 6.1%, ndërsa shkalla e privimit të rëndë material dhe social në mesin e popullsisë së përgjithshme arriti në 6.3%.

    Në mesin e vendeve të BE-së përqindje më të lartë të atyre që ishin të privuar rëndë në vitin 2021 ka Rumania me 23.1%, e cila ndiqet nga Bullgaria me 18.7%, dhe Greqia me 14.2%. Në të kundërtën e këtyre vendeve, si vende me përqindje më të ulët të varfërisë tek të rinjtë me një normë nën 3% janë Luksemburgu, Polonia, Suedia, Qiproja, Republika Çeke, Holanda, Kroacia, Sllovenia, Finlanda, Austria dhe Estonia.

    “Shkalla e rrezikut nga varfëria më shumë sesa për popullsinë totale, në vitin 2021 për vendet e BE-së ishte më e lartë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç. Megjithatë, nëse 20.1% e të rinjve krahasohet me 16.8% të varfërve në totalin e popullsisë, dallimi mes tyre është prej 3.3%. Hendeku më i madh mes varfërisë së të rinjve dhe popullsisë totale është në Danimarkë pasi atje krahasuar me 25.6% të rinjve, 12.3% e popullsisë së përgjithshme është në rrezik nga varfëria. Diferencë të madhe ka edhe në Suedi ku dallimi është me 15.7% kundrejt 24.6%”, thuhet në raportin e EUROSTAT-it.

    Megjithatë, tetë vendeve të BE-së kishin më pak të rrezikuar të rinjtë nga varfëria, në krahasim me popullsinë në tërësi. Ndryshime më të dukshme ka në Letoni ku popullsia e përgjithshme e cila është e rrezikuar nga varfëria është 23.4% në krahasim me 17% të rinjve. Pas saj vjen Malta me 16.9% kundrejt 11.3%, Estonia me 20.6% kundrejt 15.7%, si dhe Kroacia me 19.2% kundrejt 14.7%.

    Maqedonia e Veriut nuk ka një kategori të veçantë të varfërisë tek të rinjtë. Të dhënat e fundit nga ESHS tregojnë se shkalla totale e varfërisë për vitin 2020 ka arritur në 21.8%. E analizuar sipas llojit të familjes, shkalla e varfërisë për familjet me dy të rritur dhe dy fëmijë në vitin 2020 arrin në 20.7%. Njohësit e problemeve tek të rinjtë thonë se ndonëse ka shërbime të ndryshme sociale për uljen e nivelit të papunësisë, ndihmë për strehim të pavarur, përmirësimin e standardeve për studentët, ato nuk janë të harmonizuara dhe për këtë arsye nuk dihet se cili shërbim i ndihmon të rinjtë dhe sa ndikon në reduktimin e varfërisë.

    Biljana Dukovska nga platforma maqedonase kundër varfërisë tregon se mungesa e një dokumenti kyç, apo kornize e cila do të kujdesej për gjendjen e varfërisë tek të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, si dhe grupeve tjera që cilësohen si grupe të rrezikuara sociale është një nga arsyet kryesore se pse kemi mungesë të efektit nga programet për reduktimin e varfërisë.

    “Nëse i shohim të rinjtë në numër mund të ulim numrin e të papunëve, por kjo nuk nënkupton se janë punësuar ata që më shumë kishin nevojë. Nëse shohim se disa të rinj për dallim nga të tjerët po përparojnë më shpejtë në të ardhura, duhet të shohim se ku është problemi me ata të rinj që kanë ngecur. Duhet të ketë politika të ndryshme të synuara për grupet e ndryshme si dhe duhet të ketë tregues të matshëm, kjo është ajo strategjia e re që duhet ta sjellë uljen e varfërisë si për të rinjtë ashtu edhe për kategoritë tjera të cenueshme”, u shpreh Dukovska. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Për një vit, 1992 maqedonasë kanë marrë pasaporta bullgare

    Lajmi i rradhës

    Kujt i marrin më shumë borxh shqiptarët?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë