Telefoni, shkaku i aksidenteve në RMV

    Përdorimi i celularit është bërë më i rëndësishëm për ne sesa siguria, kjo është përshtypja nëse i kushtoni vëmendje shoferëve në vetura apo edhe këmbësorëve gjatë ecjes në rrugë. Përdorimi i telefonave gjatë vozitjes apo ecjes në rrugë po rrezikon jetën e pjesëmarrësve në komunikacion. Shpesh herë hasim të shohim ku qytetarët duke shikuar në telefonin e tyre janë përplasur mes vete, kanë goditur ndonjë shtyllë apo kanë kaluar në semaforin e kuq. E njëjta vlen edhe për shoferët e makinave, ku për shkak përdorimit të telefonit janë aksidentuar. Në komunikacionin e vendit tonë, telefoni po bëhet shpeshherë shkaktarë për të tërhequr vëmendjen e shoferëve e kështu duke u bërë shkaktarë edhe për shumë aksidente. Sipas Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), telefoni është shkaktar për 20-25 për qind të të gjitha aksidenteve rrugore në vendin tonë.

    Nga KRSKRR, thonë se me zhvillimin e teknologjisë në vitet në vijim kjo situatë pritet të përkeqësohet edhe më tej. Sipas tyre, vëmendja e shpërqendruar është arsyeja e një numri të madh të aksidenteve me pasoja fatale deri në humbje të jetëve të njerëzve.

    “Një numër i madh i qytetarëve nuk mund ta imagjinojnë jetën e tyre të përditshme pa përdorimin e telefonit, më së shumti për hir të komunikimit më të lehtë, funksionalitetit, kryerjes e detyrimeve në punë dhe shumë angazhime të tjera. Dhe në të vërtetë, askush nuk mund ta kundërshtojë domosdoshmërinë e përdorimit të një telefoni. Por zhvillimi i teknologjisë dhe rritja e disponueshmërisë së saj për përdorim në çdo vend dhe në çdo situatë nuk do të thotë që ju keni të drejtë ta bëni atë gjithmonë dhe kudo”, thonë nga KRSKRR. Se përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit është në rritje e ka konfirmuar së fundmi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sipas të cilit në periudhën e fundit ky lloj i kundërvajtjeve në komunikacion është në rritje. Nga Ministria e Punëve të Brendshme, njoftojnë se gjatë vitit të kaluar janë proceduar 1.617 shkelje të tilla.

    “Këtë vit, që nga fillimi i tij, deri në fund të shtatorit, janë sanksionuar 2128 drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit. Rritja e numrit është rezultat i rritjes së shpejtë të aktivitetit të policisë në sanksionimin e mosrespektimit të rregullave dhe rregulloreve të qarkullimit rrugor”, thonë nga MPB.  Sipas tyre, është evidente se po përballemi me një fenomen të ri dhe potencialisht shumë të rrezikshëm, i cili sipas statistikave dhe vëzhgimeve analitike paraqet një kërcënim jashtëzakonisht serioz, i cili rezulton me aksidente njerëzore dhe tragjedi.

    Sipas studimeve të shumta kushtuar kësaj çështjeje, përdorimi i një telefoni celular ka një ndikim të shumëfishtë tek shoferi gjatë drejtimit të një automjeti. Shkenca ka vërtetuar se celulari ndikon në tre mënyra – vizuale, njohëse dhe shpërqendruese, dhe si rezultat, drejtimi i pakujdesshëm është shkaku kryesor i aksidenteve të trafikut në botë. Nga MPB vazhdimisht bëjnë thirrje që qytetarët të respektojnë ligjet, për të ulur kështu numrin e aksidenteve në përgjithësi, e sidomos kur këto të fundit shkaktohen nga pakujdesia e pjesëmarrësve në komunikacion. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nesër, ditë jopune për të gjithë qytetarët

    Lajmi i rradhës

    Drejt krizës së re politike!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë