Terminalet, vazhdon trajnimi i këshillave zgjedhor

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri pak ditë para zgjedhjeve do të trajnojë rreth 34 800 anëtarët e këshillave zgjedhor për përdorimin e pajisjeve për identifikim biometrik të votuesve. Përveç trajnimit, trupat zgjedhor do të marrin edhe udhëzues dhe video materiale për përdorim efikas të terminaleve për shenjat e gishtave.

    Ajo që marrim si informatë nga terreni, ata janë të kënaqur nga ajo që u prezantohet vetë atyre pjesëmarrësve nëpër këto trajnime -tha Admir Shabani, KSHZ.

    Alsat kërkoi të jetë pjesë e këtyre trajnimeve për të demonstruar procedurën e përdorimit të pajisjeve të cilat për herë të parë do të përdoren në zgjedhjet e 17 tetorit. Kjo nuk u mundësua me arsyetimin e mbrojtjes së të dhënave personale të votuesve.

    Pavarësisht se kjo metodë njihet si identifikim dhe votim biometrik ku pajisjet duhet të posedojnë të dhënat e të gjithë shtetasve me të drejtë vote, përsëri letërnjoftimet e vlefshme dhe pasaportat do të jenë pjesë e patjetërsueshme e procesit.

    Votuesi nuk do të mund të votojë nëse nuk posedon letërnjoftim ose pasaportë me të cilën do të identifikohet identiteti i vetë votuesit. Është hapi i parë kur votuesi i qaset vendvotimit, bëhet kontrolli i dokumentit për identifikim personal, pastaj hapi i dytë është vërtetimi I identitetit me anë të pajisjes për identifikim biometrik – deklaroi Admir Shabani, KSHZ.

    KSHZ-ja ka siguruar mjaftueshëm pajisje për zëvendësimin e tyre në rast të pengesave gjatë ditës së votimit. Votimi biometrik nuk është metodë e përdorur në vendet me demokraci të zhvilluar megjithatë autoritetet dhe partitë politike në vend theksojnë se ajo mund ta kthejë besimin te procesi. Votimi biometrik pritet të reduktojë keqpërdorimet si votimin e shumëfishtë ose votimin në emër të dikujt tjetër./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Zaev: Le t’u japim fund më zënkave mes etniteteve, të bëhemi bashkë për një të ardhme të mirë

    Lajmi i rradhës

    Mickoski: LSDM asgjë nuk bëri për popullin, por bënë shumë për xhepat e tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë