TETORI ZBUT TARIFAT ROAMING / Diaspora përfiton nga uljet

    Pas anulimit të roamingut ndërmjet shteteve të rajonit para tre viteve, pas pesë muajsh do të ulet kostoja e këtij shërbimi ndërmjet BE-së dhe shteteve të Ballkanit. Siç u paralajmërua para një jave në Bruksel, niveli më i lartë i çmimeve me pakicë për një gigabajt të dhëna do të zvogëlohet në 18 euro nga 1 tetori i këtij viti, në 14 euro nga 1 tetori 2026 dhe në nëntë euro nga 1 tetori 2028.

    Marrëveshja vullnetare, e firmosur nga 38 operatorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, pritet të reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit, për të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale. Kjo është një marrëveshje për të cilën u arrit pajtim në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dhjetorin e kaluar në Tiranë. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, çdo operator në mënyrë individuale vendos se si të ulë kostot, për shembull përmes zbritjeve, paketave speciale ose tarifave të reja.
    Të dhënat celulare me kosto më të ulët do të duhet të jenë të disponueshme për gamën më të gjerë të mundshme të përdoruesve të fundit, pa pengesat ose kushtet që lidhen me paketat e rrjetit shtëpiak.

    Pritjet janë që ulja e çmimeve të nxisë dhe thjeshtëzojë shkëmbimet biznesore, kulturore, turistike dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet ndërmjet rajoneve fqinje.

    Ky proces mbështetet edhe nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe nga Komisioni Evropian. KE-ja i ka ftuar edhe operatorët e tjerë telefonikë nga BE-ja dhe rajoni për t’iu bashkuar iniciativës.

    Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, thotë se kjo marrëveshje do të ndikojë në treg dhe do të nxisë konkurrencën mes operatorëve që janë pjesë e deklaratës, por edhe atyre që nuk janë ende pjesë e saj. Caktimi i çmimit maksimal, do të ndikojë edhe operatorë që ofrojnë paketa me çmime të ulëta në këtë moment. “Për shkak të rregullave dhe legjislacionit të konkurrencës së ndershme, operatorët nuk mund të negociojnë haptazi e drejt për së drejti çmimet e ofertave. Ajo që ne si KBR mund të bënim, së bashku me Komision Evropian (KE), ishte t’i mblidhnim operatorët, ta nisnim dhe ta lehtësonim këtë proces, ku të gjithë u përfshinë në mënyre vullnetare dhe na besuan rolin e drejtuesit në këto negociata. Nuk ishte arritje e vogël të bindje operatorët që të jepnin një Deklaratë Roaming dhe pastaj të negocionin uljen e kufirit maksimal të çmimeve midis dhjetëra kompanive që kanë qëllim kryesor fitimin”, thekson Bregu.

    Nga ana tjetër, nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për porosi SMS dhe për qasje në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, dhe Serbisë.

    Marrëveshja për roaming-un mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar në prillin e vitit 2019, pas së cilës çmimet e thirrjeve telefonike janë reduktuar për rreth 27 për qind nga korriku i atij viti, dhe i ka hapur rrugën heqjes së plotë të tarifave të roaming-ut nga korriku i vitit 2021. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kanavaca iluzioniste e piktorit politikan

    Lajmi i rradhës

    FËMIJËT TË LËNË PASDORE | Prindërit më sy çelë ndaj rrjeteve sociale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë