Tetova ende pa plan gjeneral urbanistik

    Qendra e Tetovës / Fotografia: Nistori

    Komuna e Tetovës vazhdon të funksionojë pa Plan Gjeneral Urbanistik prej vitit 2003, ndërsa ka pasur një ndryshim në vitin 2013, por që atëherë e këndej nuk është arritur që të përpunohet dhe pastaj të miratohet ky plan.

    Nga pushteti lokal në Tetovë njoftojnë se ka nisur procedura për përpunimin e planit gjeneral urbanistik të ri për qytetin e Tetovës. Sipas komunës së Tetovës, Plani i ri Gjeneral Urbanistik duhet të sjell edhe zhvillim më të madh për qytetin e Tetovës.

    “Komuna e Tetovës, gjegjësisht njësia për planifikim urbanistik, si njësi kompetente për përpunimin dhe miratimin e planeve urbanistike, momentalisht ka nisur procedurën për përpunimin e planit gjeneral urbanistik të ri për qytetin e Tetovës e cila është në fazën e mbledhjes së të dhënave të nevojshme duke pasur parasysh faktet dhe kujdesin maksimal që hartimi i planit të ri gjeneral të jetë i atillë që si dokument publik, në masë të madhe të jetë i zbatueshëm, i cili do të jetë në mbrojtje të interesit publik me çka do të rregulloj përgjithmonë organizimin, dedikimin, formën dhe mënyrën e përdorimit të hapësirës, tokës dhe kushtet hapësinore dhe funksionale në qytetin e Tetovës”, njoftojnë nga shërbimi për informim në komunën e Tetovës.

    Nga komuna e Tetovës, respektivisht nga Sektori i Urbanizmit në komunën e Tetovës kanë bërë të ditur se pritet që hapësira aktuale prej 1100 hektarëve të zgjerohet në 1300 hektarë. Kjo do të mundësonte zgjerimin e hapësirës për ndërtim por në pjesë periferike të qytetit të Tetovës.

    “Tash jemi në përpunim e sipër, kurse pjesa e planit gjeneral urbanistik kapën një sipërfaqe prej 1100 hektarësh, ku bën pjesë vetëm pjesa e qytetit pa fshatrat. Brenda kësaj hapësire ka 128 blloqe urbane, ku 68 janë blloqe urbane aktive, ndërsa 60 nuk kanë plan urbanistik dhe tash punojmë që këta plane t`i përpunojmë dhe ti bëjmë pjesë e Planit Detal Urbanistik”, deklaroi kohë më parë Rilind Selmani, shef i Sektorit të Urbanizmit në komunën e Tetovës.

    Në paraqitjet e tija publike, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka thënë se mbi 70 për qind e Tetovës është pa Plane Detale Urbanistike, por ai ka thënë se komuna punon në drejtim të sjelljes së Planit Gjeneral Urbanistik.

    ”Po punojmë edhe në Planin Gjeneral Urbanistik, ku qytetarët do të kenë mundësi të ndërtojnë dhe të kemi pjesë zhvillimore të qytetit dhe të mund të ndërtohen edhe kapacitete industriale dhe rezidenciale dhe çdo kush që mund të ndërtojë, të ndërtojë me leje”, ka thënë Bilall Kasami./Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia për bëhet e varur nga importi i ushqimit, vitin e kaluar janë shpenzuar një miliard euro për importe ushqimore

    Lajmi i rradhës

    Ndryshimi i motit, rriten kërkesat për ndihmë të shpejtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë