TETOVA, KA DITË QË MEZI MERR ‘FRYMË’!

    Fotografi e përpunuar nga redaksia e Nistorit që ilustron ndotjen enorme të ajrit në qytet

    Ajri i ndotur në Tetovë si duket ka marrë trajtën e një epilogu të pazgjidhur. Tetovarët sikur janë mësuar të jetojnë me ajrin e ndotur, kjo si pasojë e mungesës së masave dhe politikave të dobëta ndaj ndotjes së ajrit. Aktivistët vazhdimisht e kanë ngritur alarmin se mungesa e një strategjie serioze po e përsëritë gjendjen e viteve të kaluara, madje përkeqësohet varësisht nga ndryshimet klimatike, shkruan Nistori.

    Shifrat në vijim i obligojnë insiticionet që të alarmojnë qytetarët kur tejkalohet vlera prej 150 ug/m³ gjatë dy ditëve me radhë për grimcat e suspenduara me madhësi deri në 10 mikrometra. Në tabelat e nxjerura shihet qartë që dhjetori (2023), po edhe e shkurti i (2024) vlerat ug/m³ kanë tejkaluar kufirin.



    KOMUNA E TETOVËS NUK INFORMON QYTETARËT PËR AJRIN E NDOTUR, SI DHE PËR SHIFRAT ALARMANTE PM10

    Elmedina Abdulahi nga MMPT për Nistorin thotë se problemi me ajrin kërkon angazhimin e të gjithë institucioneve, jo vetëm ato lokale, por edhe qendrore. Sipas saj, komuna nuk ndërmori asnjë masë ndaj pragut të alarmimit të grimcave PM10.

    “Në muajin janar kishim ditë të cilat e kalonin pragun e alarmimit, por edhe pragun e informimit. Pragu i informimit do të thotë nëse kemi dy ditë me radhë ndotje prej 100 PM brenda 24 orëve, ku kjo na ka ndodhur shpesh. Nëse ndodh që të kemi ndotje më tepër se 150 PM dy ditë radhazi, atëherë është pragu i alarmimit. Fatkeqësisht, komuna e Tetovës nuk ndërmori asnjë masë serioze për të penguar apo për të ndihmuar në zbutjen e ndotjes së ajrit, prandaj vazhdojmë të kemi ditë me ajër të ndotura”, thotë Abdulahi.

    Abdulahi ka tentuar disa herë të marrë informata nëse inspektorati pranë komunës së Tetovës ka marrë masa, por kot. Ajo thotë se komuna madje nuk e ka kaluar akoma programin vjetor për mbrojtje të ambientit.

    NDOTJA E AJRIT VJEN MË SË SHUMTI NGA INSTITUCIONET KOLEKTIVE, NGROHEN ME NAFTË

    “Ndotja më e madhe vjen nga institucionet kolektive. Të gjithë institucionet ngrohjen e kanë me naftë. Ky është një ndotës i madh. Në rrethinë poashtu kemi fabrika që punojnë me leje B. Kontrolli i tyre i rregullt nëse bëhet apo jo, raporti që jepen është shumë me rëndësi. Njëkohësisht kemi komunikacionin. Këto janë gjëra ku me pak mund ose me një investim të përqendruar në njërën prej pikave, do të ketë ndryshim të madh”, shton Abdulahi.

    AS KOMUNA E TETOVËS, AS QYTETARËT NUK E DIJNË KUR AJRI I NDOTUR KALON PRAGUN E INFORMIMIT DHE ALARMIMIT

    Komuna e Tetovës hedh fajin te ministria e Mjedisit sa i përket mos informimit të opinionit kur ajri kalon shifrat enorme të ndotjes së ajrit.

    “Deri tani Komuna e Tetovës nuk ka qenë e informuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për çështjen e ndotjes së ajrit. Siç e dijmë, është obligim i ministrisë që të informojë komunën kur ndotja e ajrit e kalon kufirin. Ne si komunë e vetmja gjë që mund të bëjmë është që të japim njoftimin dhe informacionin deri te qytetarët. Ajo që apelojmë te qytetarët është që në raste të këtilla të shfrytëzojnë sa më shumë transportin publik, të reduktojnë përdorimin e veturave në raste të panevojshme dhe poashtu të reduktojnë edhe djegien e lëndëve të cilat janë kryesore dhe parësore që ndotin ajrin”, shprehet zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani.

    KOMUNA NUK TREGON KONKRETISHT MASAT E NDËRMARRA PËR AJRIN E NDOTUR, THOTË SE INSPEKTORATI ËSHTË NË TERREN

    “Isnpektorati komunal ka qenë në terren dhe po e mbikëqyr situatën. Kemi pasur raste kur është dashur të gjobisim qytetarët e papërgjegjshëm të cilët kanë shkaktuar ndotjen e ajrit, qoftë ata fizik, por edhe juridik. Pra, inspektorati komunal është në terren”, shton ndër të tjera Ramadani.

    PASAOJAT SHËNDETËSORE NGA AJRI I NDOTUR

    Mushkëritë janë përgjegjëse për thithjen e oksigjenit nga ajri dhe largimin e dioksidit të karbonit nga qarkullimi i gjakut. Dëmtimi nga ajri i ndotur mund të çojë në sëmundje të frymëmarrjes si bronkiti, emfizema ose kanceri. Kjo mund të pengojë gjithashtu funksionimin e sistemit të qarkullimit të gjakut. Ndotësit e dëmshëm të ajrit mund të shkaktojnë efekte të tjera dhe disa më të rralla, por potencialisht të rrezikshme shëndetësore, duke përfshirë kancerin dhe dëmtimet në sistemin imunitar, probleme neurologjike, riprodhuese dhe zhvillimore. Ekspozimi akut ndaj disa ndotësve të ajrit mund të shkaktojë vdekje të papritur.

    “Gjithsesi (ajri i ndotur) ndikon në shëndetin e popullatës dhe veçanërisht i tangon ato grupëmoshat që janë më të vegjël, të moshuarit dhe ata pacientë të cilët kanë probleme me sistemin e tyre respirator dhe kardiovaskular. Te keta ndikon që gjendja e tyre shëndetësore të përkeqësohet tejmase, ku paraqiten kollitje të shpeshta, infeksione të cilët i kaplojnë edhe pjesët e poshtme të sistemi respirator dhe kjo e rëndon shëndetin e popullatës te ne”, deklaron Bekim Ismaili nga Mjekësia e përgjithshme, pranë spitalin klinik të Tetovës.

    Si mund pacientët të vetëmbrohen?

    “Ato masa tani më janë të njohura. Kur nuk kanë nevojë të mos dalin jashtë përderisa ajri është i ndotur. Nëse kanë nevojë të dalin, atëherë është mirë t’i përdorin maskat mbrojtëse, në një farë mënyre të na mbrojnë nga këta agjencë të cilët gjenden në ajër. Veçanërisht u bëjmë thirrje atyre pacientëve që kanë probleme me sistemin respirator dhe kardiovaskular që panevojë të mos dalin jashtë apo në rast nevoje të mbajnë maska mbrojtëse”, shton Ismaili.

    Ministria vazhdon me avazin e mos raportimit apo matjes së grimcave PM2.5 përqendrimi i të cilave është më i lartë në krahasim me grimcat PM10. Ndërkohë, sipas raportit “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet shëndetësore” pranë IShP-së në RMV ka 3.828 vdekje në vit që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë totale në vend. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti: e dua një Ballkan pa kufi

    Lajmi i rradhës

    Ta kalosh frikën me vrap…

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë