Teuta Arifi nuk përgjigjet për kontratat në vepër që i publikoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami

    Ish-kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në ClickPlus në TV21 ka folur për listën dhe akuzat e kryetarit aktual të Tetovës, Bilall Kasami, përkatësisht për kontratat në vepër të nënshkruara në kohën e Arifit, përcjell Nistori.

    Arifi nuk sheh krim në to, por thotë se lista e publikuar është diskreditim i personave, që sipas saj, janë paguar për punë të caktuar.

    “Ju mund të nxirrni një listë, mirëpo ajo është një diskreditim aq i madh i personave, i njerëzve të cilët për shkaqe të ndryshme kanë qenë të përkrahur nga Komuna e Tetovës, kanë pasur raste sociale dhe diskreditimi i tyre tregon edhe njëherë për atë se çfarë në fakt e udhëheq sot Komunën e Tetovës”, tha Arifi.

    “Të gjithë ata që janë paguar kanë bërë punën e tyre, kurse problemi që thuhet se ata janë paguar pa bërë punë, këtë le ta dëshmojnë” – kështu i është përgjigjur Arifi kryetarit aktual, Bilall Kasami për akuzat se nga Komuna e Tetovës kanë marrë pagë persona që nuk kanë punuar.

    “Njerëzit janë vazhduar për punë të caktuar dhe varësisht prej buxhetit, ka mundur të ketë edhe vonesa në pagesa. Por, kryesisht, çdokush i cili është angazhuar në punën e vet, ashtu siç ju thash, jam jashtëzakonisht mirënjohëse për punën që kanë bërë…”, tha më tej Arifi.

    Ajo komentoi edhe mënyrën se si Kasami dërgoi akuzat drejt saj, të cilat në publik u cilësuan si “eksplozive”.

    “I shkreti”, tha ish-kryetarja.

    Arifi deklaroi se rrjeti i ujësjellësit dhe furnizimi me ujë i tetovarëve, është projekti më i madh me të cilin është larguar nga posti i të pares së Tetovës.

    Arifi: Mendoj se qyteti ka ujë.
    Gazetari: Nëse është puna juaj më e mirë, atëherë pse nuk ka ujë?
    Arifi: Me ujësjellësin e ri Tetova ka arritur të ketë 24 orë ujë, në ndërkohë ka defekte të ndryshme që varet sesi ju arrini t’i trajtoni dhe punoni më tutje.

    Arifi: Ka mbaruar nusërimi për Bilall Kasamin, ta vendosë skutaçen e të punojë

    Nusja, vjehrra, nusërimi dhe përparësja u përfshinë gjatë debatit nga ish-kryetarja e Tetovës, Arifi. Këto ajo i përdori për të porositur kryetarin aktual Bilall Kasamin, se koha e nusërimit për të ka përfunduar dhe tashmë duhet ta vesh përparësen që të punojë.

    “Ka kërkuar të jetë kryetar i Tetovës dhe në momentin kur tash e ka marrë, si nuset kur martohen, i vjen rëndë – “Jo s’më le vjehrra, jo s’mund ta bëj këtë, jo atë” – i vinë të gjitha punët të rënda”

    Gazetari: Megjithatë ju në asnjë moment nuk thatë se këto janë rrena

    “Kohët e telave kanë mbaruar”
    “Koha e nusërimit të Bilall Kasamit ka përfunduar. Ka mbetur ta vesh skutaçen(përparësen)dhe të kapet për punë”, tha Arifi.

    Kasami e akuzoi se bleu iPhone dhe Samsung me mjete komunale, Arifi: S’jam telefoniste

    Kryetari Bilall Kasami ditë më parë e akuzoi paraardhësen e tij, Teuta Arifi se me mjete komunale ka blerë celularë iPhone dhe Samsung.

    E pyetur për këto akuza të Kasamit, ajo tha se “nuk është telefoniste”.

    “Po unë s’jam telefoniste e komunës”, tha Arifi.

    Arifi: Ledri Vula si djalë i mirë më tha se ka qenë refugjat në Tetovë e nuk mori para për koncertin

    Përveç se janë paguar, shumë artistë që kanë qenë të angazhuar për aktivitete të ndryshme të Komunës së Tetovës, nuk kanë pranuar të paguhen, kështu u shpreh mes tjerash Arifi teksa ka folur për listën e kontratave të publikuara nga kryetari aktual, Bilall Kasami.

    Ajo shtoi, se mes artistëve që nuk kanë pranuar të paguhen, është edhe Ledri Vula nga Kosova.

    “Në Komunën e Tetovës, brenda verës Kulturore koncert ka mbajtur edhe Ledri Vula. Ka ardhur në Tetovë dhe ka mbajtur koncert”.

    Gazetari: Është paguar me kesh apo si?
    Arifi:
    Ja do t’ju tregoj si është paguar. Erdhi si djalë i mirë, e mbajti koncertin dhe tha: Unë kur kam qenë fëmijë, kam qenë refugjatë dhe ndjej se këtë gjë dëshiroj ta bëj nga vetja dhe nga shpirti im pikërisht këtë paraqitje. Kjo ka qenë mënyra e shumë personave që po ashtu kanë marrë pjesë”.
    Gazetari: E zotëri Kolonja?
    Arifi:
    Unë po ju tregoj se kështu ka qenë një tërësi e pjesëmarrësve.
    Gazetari:
    Por zotëri Vula nuk ka qenë në listë.

    Ndryshe, edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ditë më parë mori pjesë në emisionin ClickPlus dhe tha se ka fakte që individë të caktuar për punë partiake kanë paguar dreka me para të buxhetit të Komunës së Tetovës dhe poashtu foli për një sërë çështjesh që e tangojnë komunën aktualisht. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Neziri: Nëse VMRO dëshiron të bëjë koalicion parazgjedhor me një parti shqiptare, duhet të mos veprojë në emrin e një etnie

    Lajmi i rradhës

    “Luftimi i korrupsionit faktor në perspektivën e rinisë së Kosovës”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë