Thellohet pabarazia në tregun e punës në Maqedoni

    Një vit pas pandemisë, biznesi amerikan po përballet me vështirësi të mëdha që të gjejë punëtorë të kualifikuar. Në fillimet e pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin mungesë të fuqisë punëtore sidomos në zejtari dhe në sektorët ku kërkohet fuqi fizike, mirëpo sivjet pas rikuperimit dhe hapjes së ekonomisë, kërkesa për fuqi punëtore po arrin majat, dhe nuk pritet të zvogëlohet kërkesa e lartë për punëtorë. Vlerësimet janë se shumica e punëtorëve do të punësohen në vendet e punës që i dëshirojnë, pagat do të rriten si dhe kënaqësia e punës, karshi mungesës së fuqisë punëtore tek kompanitë e vogla dhe të mesme.

    Analizat e Federatës kombëtare të bizneseve të pavarura në muajin mars tregon se gati gjysma apo 42 për qind e kompanive kanë hapur vende pune, që nuk kanë mundësi t’i plotësojnë, që paraqet shkallën më të lartë në historinë 47 vjeçare të këtyre hulumtimeve. Njëherësh mjaft të rritur kanë ikur jashtë shtetit për shkak të pandemisë, që e vështirëson edhe më tej situatën në tregun amerikan të punës. Ekzistojnë edhe raste që i iket punës nga frika nga pandemia, apo nga nevoja për përkujdesjen e fëmijëve të vegjël apo kompensimeve të larta federale për të papunët. Këto faktorë po zvogëlojnë motivin e tyre që të punësohen, përderisa punëdhënësit e ndryshëm si ato në sektorin e gastronomisë po ballafaqohen me mungesën e fuqisë punëtore të pakënaqur me lartësinë e pagave apo me të ardhurat relativisht të vogla si dhe me frikën nga pandemia. Problemi me mungesën e fuqisë punëtore sidomos u përshkallëzua kur për shkak të pandemisë u mbyllën shkollat. Ky problem pritet të tejkalohet me hapjen e shkollave, që nuk është rasti me kopshtet që vuajnë nga mungesa e personelit apo nuk kanë mjaftueshëm të punësuar.

    Problemi kronik me mungesën e punëtorëve është i theksuar si në SHBA ashtu edhe në Britaninë e madhe, ndërsa kjo çështje është sidomos problematike për Amerikën që shquhet me një treg mjaft konkurrues, ku për çdo ditë “luftohet” për një vend pune. Pengesë për tu kthyer në punë është edhe fakti se prindërit ankohen se nuk ka kush të përkujdeset për fëmijët, ndërsa administrata amerikane pritet që përmes subvencioneve të zbusë këtë problem. Në panairin e fundit të punësimit në Virxhinia, një pjesë e madhe e vizitorëve u interesuan jo vetëm për pagat, por edhe për sigurimin shëndetësor dhe pensional. Njëherësh mjaft punëdhënës kanë rritur edhe pagesën minimale si Amazon nga 15 dollarë para pandemisë në 18 dollarë pas pandemisë. Ekonomistët amerikan vlerësojnë se përskaj rritjes së të ardhurave të punëtorëve, punëdhënësit do të duhet të modifikojnë një pjesë të vendeve të punës, për të gjetur mjaftueshëm fuqi punëtore. Nga ana tjetër, në rajonin e Ballkanit perëndimor, pandemia shkaktoi papunësinë e dhjetëra mijë punëtorëve, pamundësinë në vitin e kaluar që të punësohen edhe punëtorët sezonal jashtë shtetit, zvogëlimin e pjesërishëm të pagave e kështu me radhë.

    Në Maqedoninë e Veriu në tregun e punës po ofrohen afër 8000 vende pune vetëm nga Agjencia e Punësimit që vështirë po plotësohen, përkundër papunësisë së madhe prej mbi 100 mijë të papunë.

    Nga Lidhja e Sindikatave thonë se qysh përgjatë fillimit të pandemisë kanë paralajmëruar punëdhënësit që të mbajnë llogari për punëtorët, për shkak se do të vijë koha kur do të përmbyset situata, dhe në rast se sjellje e tyre nuk është korrekte, nuk do të mund të gjejnë punëtorë që mbijetesën e tyre do ta kërkojnë jashtë shtetit. Njëherësh shtojnë se vendet e lira të punës nuk po plotësohen, për shkak se ofrohen paga të ulëta. “Koha tregoi se për shkak të një sjellje të tillë të punëdhënësve, sot kur oferta dhe kërkesa për fuqi punëtore është e madhe, nuk ka punëtorë. Ato në vend të angazhohen në ekonominë vendore po ndërtojnë ekonomitë e shteteve tjera”, thonë nga LSM. Nga atje shtojnë se për dallim prej më parë, punëtorët nuk pranojnë të punojnë për paga të ulëta, pa kushte përkatëse të punës, dhe respektuar të drejtat e punëtorit në bazë të marrëdhënies së punës dhe të mbështetur në ligj dhe marrëveshjet kolektive. “Po rritet kërkesa për punëtorë për shkak se njerëzit e çmojnë më shumë dinjitetin e tyre në raport me nënçmimin e punëdhënësve me pagat e ulëta dhe pagesën në dorë. Njëherësh fuqia punëtore si zejtarët apo zanatlinjtë, por edhe personeli mjekësor, njohësit e teknologjisë informatike, inxhinierët e kështu me radhe po ikin jo vetëm për shkak të pagave, por edhe të dëshpëruar pse shteti nuk po ec më fuqishëm përpara në më shumë aspekte“, thonë ekonomistët.

    Problem tjetër i tregut të punës në Maqedoninë e Veriut është edhe mosharmonizimi midis kualifikimeve dhe profileve arsimore që ofrohen dhe ato që kërkohen në tregun e punës. Punëdhënësit vlerësojnë se edhe struktura ekonomike në vend në një pjesë të madhe përcakton edhe kërkesën për një lloj të caktuar të punëtorëve në bazë të veprimtarive të caktuara ekonomike. Ato vlerësojnë se hendeku midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, dalja në tregun e punës e një pjesë të madhe të maturantëve dhe të diplomuarve me diploma që nuk kërkohen nga punëdhënësit, si dhe ekzistenca e një ekonomie që nuk po krijon vlerë të shtuar apo ka produktivitet të ulët, gjithashtu ndikon në nivelin e pagave që ofrohen në shtet. /Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    LSDM: Këto zgjedhje përcaktues nëse vendi do të ecë përpara apo do të kthehet në izolim

    Lajmi i rradhës

    Në rreth të dytë për votim do të shkojnë 44 komuna në Maqedoni, ndërsa në dy komuna do të votohet nga e para

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë