TIKTOK-u | Kovaçevski: Përdorimi i rrjeteve sociale do të rregullohet me strategjitë për digjitalizim dhe media

    Me strategjitë për digjitalizimin dhe mediat në të ardhmen do të rregullohet përdorimi i mediave sociale për avancimin e shoqërisë, dhe jo për pasoja të padëshiruara, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve nëse planifikohet të hiqet aplikacioni Tik Tok pasi është duke u bërë i rrezikshëm për përdorim, transmeton Portalb.mk.

    Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Gostivarit, Kovaçevski theksoi se që nga fillimi i aplikimit të mediave sociale, ekspertët treguan se do të vijë një moment kur për shkak të mënyrës së krijimit dhe funksionimit të tyre, do të jetë vështirë të kontrollohen dhe se do të duhet të rregullohet funksionimi i tyre.

    “Mediat sociale janë një fenomen i ri në shoqëri. Në kohën kur u krijuan më shumë se 10 vjet më parë, ato ishin absolutisht interesante për të gjithë. Megjithatë, edhe atëherë, ekspertët thanë se do të vijë një kohë kur mediat sociale, në mënyrën se si krijohen dhe funksionojnë, do të jenë të vështira për t’u kontrolluar, praktikisht e pamundur dhe se do të vijë një moment kur duhet të bëhet rregullimi i tyre dhe nuk po flas për një shtet, por rregullim në lidhje me funksionimin e tyre të përgjithshëm”, tha Kovaçevski.

    Ai theksoi se ka shembuj të ndryshëm në lidhje me përdorimin e mediave sociale dhe aplikacioneve të tjera 4G dhe 5G që përdoren në rrjetet publike të telekomunikacionit.

    “Sigurisht se te ne në përputhje me strategjinë e digjitalizimit dhe strategjinë e mediave, në të ardhmen do të mendojmë për përdorimin e mediave sociale, këtu nuk po flas për të gjitha, nuk po flas për disa kufizime, por për rregullore që do të mundësojë shfrytëzimin e tyre për të avancuar shoqërinë, e jo për t’u përdorur për diçka që ne nuk dëshirojmë ta kemi si pasojë në shoqëri”, tha Kovaçevski.

    Kujtojmë se Komisioni i BE-së u ndaloi punonjësve të tij të përdorin aplikacionin TikTok në telefonat celularë ose laptopët e punës. Sipas Brukselit punonjësit duhet ta fshijnë aplikacionin sa më shpejt të jetë e mundur, afati i fundit është data 15 mars. Arsyeja e këtij vendimi është mbrojtja e të dhënave dhe shqetësimi për aksesin e mundshëm të shtetit kinez në kompaninë kineze të TikTok, Bytedance. Një zëdhënës i TikTok-ut u shpreh “i zhgënjyer” duke thënë se vendimi bazohet në një “gjykim të gabuar”.

    Komisioneri i BE-së për Industrinë, Thierry Breton, tha se ndalimi i aplikacionit TikTok do të zbatohet gjithashtu edhe për pajisjet private të regjistruara pranë Komisionit. Ai theksoi se Bashkimi Evropian po i kushton vëmendje çështjes së sigurisë kibernetike. Masa synon të mbrojë Komisionin nga kërcënimet kibernetike. Breton nuk donte të komentonte ndonjë incident të mundshëm në lidhje me aplikacionin TikTok.

    Lajmi Paraprak

    Lënda më e madhe për përgjimet masive “Target-Fortesa” – procesi gjyqësor sot do të nisë nga fillimi

    Lajmi i rradhës

    Antikorrupsioni ka hapur disa lëndë lidhur me pasurimin e Artan Grubit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë