Tokat shtetërore, vështirë për t’u shitur

    Fotografia eshte ilustruese dhe nuk ka të bëjë me parcelat e votlaikëve

    Ekzekutivi nuk do të heqë dorë nga shitja e paralajmëruar e tokës shtetërorë bujqësore, ndërsa VMRO-DPMNE paralajmëron që do të bllokojë Ligjin me të gjitha mjetet ligjore në Parlament. Ministri Hoxha qetëson: do të mbahet llogari për interesin publik dhe nuk do të jetë aspak e lehtë që toka bujqësore të shndërrohet në tokë ndërtimore pas 20 vitesh

    Shkup, 7 qershor – Ekzekutivi nuk do të heqë dorë nga shitja e paralajmëruar e tokës shtetërore bujqësore, ndërsa VMRO-DPMNE insiston ta bllokojë Ligjin me të gjitha mjetet ligjore në Parlament. Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha thotë se gjatë miratimit të Ligjit do të merren parasysh të gjitha vërejtjet e opinionit dhe profesionistëve. Madje, ai ka thënë se do të mbahet llogari për interesin publik dhe nuk do të jetë aspak e lehtë që toka bujqësore të shndërrohet në tokë ndërtimore pas 20 vitesh. Në favor të mbrojtjes së interesave të fermerëve dhe shtetit, ka thënë Hoxha, është edhe Ligji për planifikim urban dhe ai për tokën bujqësore, ndërsa shteti posedon edhe më shumë mekanizma të tjera për të parandaluar keqpërdorimet eventuale.

    Si shembull për këtë, ai theksoi edhe rastin e fundit në Ohër ku nuk u lejua shndërrim i tokës bujqësore në tokë ndërtimore në bazë të obligimeve që dalin ndaj UNESKO për mbrojtjen e liqenit të Ohrit si trashëgimi kulturore. “Nëse jeni të interesuar të blini tokën shtetërore bujqësore, do të duhet të blini atë për qëllimin që e keni theksuar si nismë biznesi , pra çka do të kultivoni, çfarë kulture dhe për çfarë qëllimi dhe në ato dhjetë vite edhe ju që e keni blerë atë, nuk guxoni ta tjetërsoni, nuk guxoni të shndërroni. Pas vitit të dhjetë, nëse vet pronari heq dorë nga pjesa e bujqësisë dhe nëse nuk dëshiron më të punojë me bujqësi, do të duhet të bëhet një procedurë shtesë tërësisht ndryshe”, shton Hoxha.

    Sipas tij, në rast se në këtë tokë dëshirohet të bëhen, për shembull, kërkime gjeologjike, që ajo të shfrytëzohet apo shndërrohet nga tokë bujqësore në tokë ndërtuese, kjo kërkon një procedurë tërësisht tjetër ku përfshihen Ministria e Transportit, mendimi nga ana e Ministrisë së Bujqësisë e cila nëse nuk lejon transformimin e tokës, kjo edhe nuk do të ndodhë… “Kështu që ligji edhe e lejon, megjithatë ministria mund të mos lejojë këtë për shkak të procedurave të caktuara”. Njëherësh, edhe Inspektorati i Bujqësisë do të jetë në terren për të parë nga afër nëse realizohet apo jo biznes-plani i parashtruar gjatë shitblerjes së tokës për të parandaluar keqpërdorimet eventuale. Ministri Hoxha thotë se nuk do të jetë e mundur që kompani të caktuara apo individë të blejnë tokën bujqësore dhe të presin 10 vjet për të ndryshuar dedikimin e saj. Me ligj parashikohet që shitja e tokës bujqësore t’ju mundësohet investimeve strategjike që i miraton Parlamenti, ku shuma minimale e investimit është 30 milionë euro.

    Në ndërkohë, nga VMRO -DPMNE thonë se një zgjidhje e tillë ligjore do të jetë shitja klasike e tokës bujqësore që ka për qëllim krijimin e oligarkëve të rinj. “Vetë Ligji ka shumë mangësi që nënkuptojnë edhe keqpërdorime dhe manipulime me tokën shtetërore bujqësore, ku në bazë të nenit 5, mundësohet që pas 10 vitesh – toka të shitet apo të dedikohet si truall ndërtimor, mund të dhurohet, këmbehet, të jepet me koncesion për kërkime gjeologjike”, thotë Cvetan Tripunovski, kryetar i Komisionit për bujqësi nga partia VMRO-DPMNE. Sipas tij, ky ligj është i dëmshëm për ardhmërinë e shtetit, por edhe për ardhmërinë e fermerëve të Maqedonisë, andaj kërkojnë edhe tërheqjen e tij. Njëherësh, sipas tij, me propozim-ligjin mundësohet që me shitjen e tokës bujqësore shtetërore për personat vendor dhe të huaj, shteti të mbetet pa tokë, ndërsa bujqit e vërtetë do të bëhen qiraxhi. Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se ato 50 mijë hektarë tokë që akoma nuk janë dhënë me qira, duhet t’u ofrohen bujqve falas me qëllim që ajo të jenë rentabil në punën e tyre, në vend se kjo tokë të shitet përmes thirrjeve publike.

    Në ndërkohë, të drejtë të marrin pjesë në thirrjet publike për shitjen e tokës kanë personat fizik që janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe personat juridike që janë rezident në Maqedoni, dhe tek të cilët pronësia e aksioneve apo pjesëmarrjeve në përqindje duhet të jetë me së paku 51 për qind në pronësi të personave fizik që janë shtetas të Maqedonisë, ose të personave juridik rezident në Maqedoni që nuk janë përfaqësi të personave të huaj juridik. Gjithashtu, ligji përcakton ndër të tjerash që shitblerja e tokës bujqësore në pronësi të shtetit të mund anulohet nëse përcaktohet se pronësinë e kanë fituar persona të huaj fizik dhe juridik, që nuk mund të fitojnë të drejtën e pronësisë të tokës shtetërore bujqësore në pronësi të shtetit në bazë të këtij ligji.

    Pritshmëritë janë se shteti do të përfitojë afër 300 milionë euro nga kjo shitje. Sipas propozim-ligjit, do të mund të blihet maksimalisht deri 50 mijë hektarë tokë me çmim fillestar të ankandit prej 1 euro për tokë bujqësore të klasit një dhe dy, 0.50 euro për tokë bujqësore të klasit 3 dhe 4 kadastral dhe 0.20 euro për kategorinë prej 5 deri 8. Në rast se toka bujqësore gjendet në lartësi mbidetare prej mbi 700 metra, çmimi fillestar do të ulet për 30 për qind. Mjetet e fituara nga shitja – 49 për qind i takon shtetit, 49 për qind i takon komunës dhe 2 për qind i takon Ministrisë së Bujqësisë për harxhimet procedurale. Njëherësh, toka e lirë bujqësore në pronësi të shtetit mund të shitet edhe me nënshkrimin e marrëveshjes direkte për realizimin e projektit strategjik investues të miratuar në bazë të Ligjit për investime strategjike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ekzekutivi ka paralajmëruar se pret që në arkën e shtetit të hyjnë 200 deri 300 milionë euro nga shitja e tokës shtetërore bujqësore në dy tre vitet e ardhshme. Një nga arsyetimet e privatizimit të tokës bujqësore është edhe vendosja e saj në funksion të zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të reja të punës, nxitjes së prodhimtarisë vendore, rritjes së eksportit etj. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Deti Marmara po shkatërrohet shkaku i mukozës detare

    Lajmi i rradhës

    “Personi që punon gjatë gjithë ditës nuk ka kohë për të fituar para”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë