Tragjedia në Tetovë, familjes Emshi i mbyllen dyert e drejtësisë (Video)

    Fotografia: Emir H/Nistori

    Gazetar | Adrian Kerimi

    Ibin Emshi nga Tetova humbi babanë dhe vëllain nga zjarri tragjik në spitalin modular të Tetovës në shtator të vitit 2021. Pesë muaj më pas, familja Emshi kërkon zbardhjen e të vërtetës dhe dëmshpërblimin real për dy viktimat e kësaj familje H. Emshi dhe R. Emshi, të cilët njëherësh ishin shtetas Italian. Ata nuk pajtohen me vendimin e Qeverisë e cila ndau 420 mijë euro për 14 familjet e viktimave, shkruan Nistori.

    “Miratohen mjete me vlerë prej 420 mijë euro për familjet e 14 viktimave nga zjarri i cili shpërtheu në spitalin ku ishte i vendosur Kovid qendra në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë të datës 23 nëntor 2021 (vendimi Nr. 40-11713/1)

    Familja Emshi kërkon drejtësi. Ata duan që si fillim të zbardhet rasti, ndërsa procesi i dëmshpërblimit të shkon sipas standardeve Evropiane, përkatësisht atyre italiane. Avokati i familjes Emshi, Gabriele Giambrone nga Italia paralajmëron padi ndaj autoriteteve në Maqedoni të Veriut.

    “Ata janë rezident në Itali, jetonin këtu. Vëllai i klientit tonë ishte me aftësi të kufizuara. Ai beson se oferta e dhënë për 30 mijë euro është një nënçmim, posaçërisht kur shohim atë se çfarë ka ndodhur në atë spital. Kemi parë video incizimet, sa shpejtë është shpërndarë zjarri dhe mendimi jonë është se ato spitale nuk është dashur të ndërtohen në atë mënyrë. Gabimet janë bërë dhe njerëzit duhet kompensuar në mënyrë korrekte. Në Itali ka dispozita në të cilat thuhet se ata të cilët janë rezident të vendit tonë, mund të iniciojnë padi në vendin e tyre ku jeton në, në bazë të jurisprudencës vendase, pra në Itali dhe jo në Shkup”, potencon avokati Giambrone në një prononcim ekskluziv për Nistori.

    Përfaqësia ligjore Giambrone ka hasur në injorim total nga ana e autoriteteve në Maqedoni të Veriut. Prej sa muajsh ata kërkojnë bashkëpunimin me institucionet ekzekutive në vend, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kërkesa e tyre i është adresuar kryeministrit Zoran Zaev, ish ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq. Asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur.

    Nistori ka kërkuar zyrtarisht qëndrimin e organit ekzekutiv dhe dy resorëve kompetent, por deri në këto momente nuk kemi marr asnjë përgjigje. Qeveria, Drejtësia dhe Shëndetësia nuk japin as informacionin se mbi çfarë kriteresh është caktuar shuma prej 30 mijë euro për familje (apo për viktimë) dhe as për afatin e aplikimit, për cilin NISTORI posedon dëshmi se është bërë në afat rekord, respektivisht brenda disa orëve. Përgjigje ndaj kërkesave të familjes Emshi refuzon të japë edhe kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski, ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali dhe ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski.

    Giambrone në letrën e adresuar kërkon të dihen detaje nga procedura hetimore e deritanishëm. Zyrës së tij nuk i janë dhënë as informacionet bazike si kompania e cila ka ndërtuar dhe siguruar objektin, faza hetimore dhe as mundësia për të monitoruar (në përputhje me ligjin) procesin hetimorë të tragjedisë.

    “Nuk kemi kontaktuar kompaninë e sigurimit sepse autoritetet në Maqedoni të Veriut kanë vendosur të na injorojnë neve. Ata mendojnë se duke na injoruar problemi do të zbehet. Ata nuk e kuptojnë se neve nuk tërhiqemi, pasi kemi bërë aplikim zyrtarë në gjykatën për ndërmjetësim ndaj kryeministrit, ministrit të Drejtësisë dhe atij të Shëndetësisë. Hapi tjetër do të jetë padia në gjykatë. Neve po themi se ky rast nuk ka të bëj asgjë me Maqedoninë e Veriut. Ne mund ta trajtojmë rastin në Itali. Viktimat në atë spital ishin duke jetuar në Itali. Në rast se neve e trajtojmë rastin në Itali”.

    Së shpejti pritet që epilogu të zgjidhet në rrugë gjyqësorë, pasi avokatët e familjes Emshi nuk arrijnë të krijojnë asnjë kontakt me autoritetet. Gjykata do të vendosë se si do të procedohet rasti tani e tutje.

    “Do ta iniciojmë rastin në Gjykatën bazë të Nevarës ku kishin jetuar tashmë viktimat. Jemi duke përgatitur padinë në aspektin formal dhe gjyqësor për një dëmshpërblim prej rreth 1 milion euro, ndërsa më pas do të kërkojmë shpagimin e dëmit posttraumatik që janë përcjell tek grua, fëmijët dhe e gjithë familja e cila është traumatizuar seriozisht”, thotë avokati Giambrone për Nistori.

    Giambrone ka edhe një porosi politike për autoritetet vendase, përkatësisht Qeverinë. Ai konsideron se duke vlerësuar një jetë njeriu 30 mijë euro, Qeveria ka treguar mungesë respekti ndaj qytetarëve dhe familjeve të viktimave.

    “Ata duhet të japin përgjigje në disa pyetje serioze por nuk duan ta bëjnë, por neve do t’i sjellim me forcë duke i dërguar në gjykatë. Maqedonia e Veriut dëshiron të bëhet anëtare e BE-së. Nëse do të bëhet pjesë e tavolinës, duhet të respektosh rregullat tona. Nuk mund të jesh pjesë e ekipit, ndërsa nga ana tjetër të shpaguash dikë vetëm 30 mijë euro, ky është lëndim. Do t’i them edhe kryeministrit, nëse vërtet dëshiron të bëheni pjesë e BE-së, filloni t’i respektoni qytetarët tuaj dhe filloni t’i zbatoni standardet Evropiane. Nuk mundeni ta vlerësoni jetën e dikujt me 30 mijë euro”.

    Nistori mëson se deri më tani paratë janë dhënë vetëm për 9 viktima, nga gjithsej 14 viktima, si ndihmë financiare-kompenzim për dhimbje shpirtërore, ndërsa familjarët e 5 viktimave në spitalin modular për trajtim si pasojë e Kovid nuk janë pajtuar me vendimin e Qeverisë.

    Javën e kaluar në Prokurori Publike ka arritur raporti i ekspertëve gjerman mbi shkaqet zjarrit. Për shkak se i njëjti është hartuar në gjuhën gjermane, organi akuzës ka dhënë urdhër që të përkthehet në mënyrë të saktë dhe profesionale, më qëllim mënjanimin e çdo lëshimi gjatë fazë para-hetimore dhe hetimore. Ndërkohë për hetimin vendas, Prokuroria Publike në Tetovë kanë sqaruar se hetimi vonon për shkak se lënda është tejet voluminoze, andaj edhe merr kohë trajtimi i së njëjtës. Dyshimet fillestare janë se, zjarri ka shpërthyer nga një kabllo zgjatuese e cila është nxehur dhe ka shkaktuar zjarr.

    Në zjarrin që shpërtheu natën e 8 shtatorit të vitit të kaluar, humbën jetët 14 persona, 12 nga të cilët ishin pacientë dhe dy persona familjarë që kujdeseshin për pacientët e prekur me Covid-19. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski në Sofje, nesër seancë e përbashkët qeveritare

    Lajmi i rradhës

    “Jezusi me Muhamedin të zbresin, nuk e ndalin dot këtë” – Veliaj shantazhon hapur anëtarët e shoqatës Tirana

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë