“Trashëgimia e Ohrit”, kapitull i ri me Shqipërinë

    Komisionet nacionale të të dyja vendeve duhet të hartojnë një Plan strategjik të detajuar me aktivitete dhe projekte konkrete për mbrojtjen e rajonit të Ohrit si një vlerë botërore e trashëgimisë, që do të duhet të dorëzohet për miratimin në UNESCO deri në muajin shkurt të muajit të ardhshëm, përpara se të gjenden në listën e rrezikuar të trashëgimisë botërore. Ministrja e Kulturës e ka cilësuar këtë moment si një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy vendeve që do të rikthejë disa vlera të harruara, siç është miqësia dhe besimi

    Shkup, 15 korrik – Një kapitull i ri në marrëdhëniet me Shqipërinë është konsideruar deklarata e përbashkët mes dy vendeve për mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe natyrore të Liqenit të Ohrit. Dy vendet obligohen që të punojnë së bashku për zgjidhjen e problemeve aktuale dhe të trashëguara dhe zbatimin e përshpejtuar të aktiviteteve të domosdoshme që duhet të ndërmarrin. Fillimisht duhet të hartohet një Plan strategjik me qëllime të caktuara, iniciativa dhe projekte për mbrojtjen e rajonit të Ohrit si një vlerë botërore e trashëgimisë, që do të duhet të dorëzohet për miratimin në UNESCO deri në muajin shkurt të muajit të ardhshëm. Deklarata e hartuar nga komisionet nacionale të të dy vendeve për UNESCO është nënshkruar të hënën nga përfaqësues të të dy qeverive, ministret e kulturës Irena Stefoska dhe Elva Margariti, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

    “Të gjitha aktivitetet ndërmerren në koordinim me fqinjët tanë dhe po veprojmë së bashku duke prezantuar idenë e një plani konkret rimëkëmbje dhe veprimi me të cilin tregojmë seriozitetin në qasjen tonë dhe shpresojmë se do të fitojmë kohë shtesë për realizimin e tij, përpara se të gjendemi në listën e rrezikuar të trashëgimisë botërore”, deklaroi ministri i MPHM, Nuredini. Për ministren e Kulturës, Stefoska bashkëpunimi mes dy vendeve do të shërbejë po ashtu edhe për të rikthyer disa vlera të harruara, siç është miqësia dhe besimi.

    “Jemi të vendosur të punojmë me ndershmëri dhe profesionalizëm dhe në mënyrë konkrete të japim kontributin tonë në zgjedhjen e problemeve, gjetjen e mekanizmave për zbutjen e kërcënimeve dhe të mënyrave se si t’ju përgjigjemi dobësive të konstatuara .. Duke ndërmarrë hapa konkrete për mbrojtje, do të japim një shembull edhe për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, për një rajon më të mirë dhe më të integruar ballkanik”, deklaroi ministrja. Të dy ministret e kulturës nënshkruan edhe një Program pesëvjeçar bashkëpunimi në fushën e kulturës, që parashikon bashkëpunim më intensiv ndërmjet institucioneve në fushën e kulturës në të dy vendet, në mbrojtjen dhe promovimin e pasurisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit, si dhe bashkëpunim në parandalimin e tregtisë së paligjshme me artefakte. Pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit u mor dy vjet më parë nën mbrojtjen e UNESCO me vendimin e miratuar për zgjerimin e pronës – “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”.

    “Në këto dy vite, pavarësisht problemeve të mëdha, me të cilët është përballur Shqipëria kemi hedhur hapa të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë së pasur natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit. Jemi tërësisht angazhuar dhe të përgjegjshëm të zbatojmë një plan strategjik të përbashkët, për rimëkëmbjen e këtij rajoni, shoqëruar nga një plan veprimi të detajuar mbi masat që do të ndërmarrim për të parandaluar çdo lloj rreziku, që mund t’i kanoset pasurisë së këtij rajoni, që tashmë nuk është vetëm e jona”, ka deklaruar ministrja e Shqipërisë, Margariti. Liqeni i Ohrit, një nga liqenet më të vjetër të botës, konsiderohet një nga rezervat më të mëdha të biodiversitetit dhe njëkohësisht një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në kontinent. Është pikërisht kombinimi i vlerave të spikatura natyrore e diversiteti i trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore që e bëjnë këtë rajon vërtet unik./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Tenderi për çerdhet në fazën e evaluimit

    Lajmi i rradhës

    Kontesti RMV – Bullgari në ngërç

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë